Spahia: Qeveria i është dorëzuar Covid-19 dhe po fajëson pacipërisht qytetarët!

Ish-deputeti i PD, Bardh Spahia ka folur TV Ora News për situatën e rëndë të Covid-19. Spahia është shprehur se, Qeveria i është dorëzuar Covid-19 dhe po fajëson pacipërisht qytetarët!

“Kjo qeveri ka dështuar në betejën kundër Covid-19 dhe më e keqja është se tashmë, që situata ka dalë jashtë kontrollit, është dorëzuar para virusit, duke e lënë situatën të precipitojë në rënie të lirë.

Nuk mund të fajësohen qytetarët, sepse pakujdesia e tyre është shumë e vogël në raport me panoramën shqetësuese nëpër spitale e qendra shëndetësore. Ato janë kthyer në vatra infeksioni, duke rrezikuar cdo qytetar që do ketë nëvojë për shërbimet e tyre. Mbajtja hapur e fasonerive e Call Center-ave, ishte vendim i Edi Ramës, dhe u provua si problematik për shkak të ekspozimit ndaj infektimit zinxhir.

Vazhdojmë të jemi të fundit në rajon për numrin e ulët të testimeve dhe nuk kemi ende një panoramë të përhapjes së Covid-19 në vend prej muajit mars kur u shpall rasti i parë.
Përgjegjës kryesor për daljen e situatës jashtë kontrollit është vetë qeveria dhe posacërisht Edi Rama!

Ndryshe nga javët e para, kur shfaqej për të kërcënuar qytetarët nëse thyenin rregullat e karantinës, Edi Rama është strukur e fshehur para përgjegjësisë, që është krejt e dukshme dhe askush nga autoritetet shëndetësore, nuk flet për këtë situatë të re. As kryeministri, as ministrja e shëndetësisë e as komiteti i ekspertëve! Të gjithë zbatojnë linjën e propagandës të diktuar nga qeveria, duke fajësuar qytetarët! Situata është e vështirë dhe është e turpshme, që kryeministri nuk merr masa e nuk harton strategji, por investohet me propagandë të pështirë për t’ua hedhur fajin qytetarëve!

Shqipëria do duhej të merrte expertizën më të mirë të vendeve, që e kaluan para nesh, si Italia psh. Mbrojtja e personelit shëndetësor, si brezi i vijës së parë, do u jepte mundësi këtyre profesionistëve që të na mbronin e të na kuronin në kushtë qetësie e jo presioni, e jo të ktheheshin në vektor transmetimi të Covid-19 sic po ndodh! Ky është një gabim i pafalshëm! As modeli i Kosovës nuk ndiqet nga ky kryeministër, përgjegjëshmëria me të cilën po i qaset situatës kryeministri I ri Hoti me blerjen e 100 mijë testeve të tjera si dhe të 7 aparaturave të reja.

Si askund tjetër, qeveria ka zgjedhur qasjen e fshehjes së situatës. Edi Rama mendon se me terr informativ, do mund t’i shmanget një problematike kaq serioze, por edhe koha po ia provon se e ka krejt gabim dhe ai gabim fatkeqësisht po përkthehet në kosto njerëzore”, u shpreh Spahia.

Artikulli paraprakCovid-19/ Shpërthen mjeku i njohur: Kë të besojmë, shkencëtarët e Harvardit apo shkencëtarët e Komitetit?
Artikulli tjetërRritja e infektimeve, Kosova kufizon përsëri lëvizjen e qytetarëve