Putin: Rusia nuk ka asnjë material kundër Trumpit

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, gjatë një interviste të transmetuar në terminin më të shikuar në Shtetet e Bashkuara, përsëri i ka hedhur poshtë akuzat se Moska është përzier në zgjedhjet amerikane vitin e kaluar dhe tha se Kremlini nuk ka material komprometues për presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Zoti Putin e ka shfrytëzuar një intervistë të mbrëmshme në programin e rrjetit “NBC”, “Sunday Night With Megyn Kelly”, për ta distancuar vetveten nga kundërthëniet lidhur me dyshimet për përzierje ruse, që kanë shkaktuar një gjendje të trazuar në Uashington dhe seriozisht i kanë dëmtuar shpresat e paraqitura për përmirësim të lidhjeve me Shtetet e Bashkuara, që janë shumë të tensionuara.
Putin i ka hedhur poshtë lidhjet e tij me figurën qendrore në hetimet e Shteteve të Bashkuara për këtë çështje, duke thënë se ai “realisht as që ka folur me” Michael Flynnin, i cili ishte këshilltar i zotit Trump gjatë fushatës zgjedhore dhe ka shërbyer për një kohë si këshilltar për siguri kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, para se të shkarkohej.
Putin ka hedhur poshtë raportet se ai ka ndonjë informatë dëmtuese, që mund të përdoret për ta komprometuar Trumpin, ishin “vetëm një tjetër ngarkesë e marrëzive” dhe e ka shtruar pyetjen se “nga kush do ta merrnim ne këtë informacion”?
Presidenti rus, Vladimir Putin, i cili javën e kaluar tha se hakerët rusë mund të kenë ndërmarrë hapa për ndërhyrje në zgjedhjet amerikane për shkaqe “patriotike”, por vazhdimisht ka përsëritur se shteti nuk ka qenë i involvuar në këtë çështje, ka vlerësuar se nuk kishte nevojë për Rusinë për të synuar ndikim në rezultate, duke sugjeruar se kjo nuk do të kishte kuptim në periudhë afatgjatë.
“Presidentët vijnë e shkojnë dhe bile edhe partitë në pushtet ndryshojnë, por drejtimi kryesor politik nuk ndryshon”, tha Putin.
Në muajin janar të këtij viti, komuniteti i inteligjencës së Shteteve të Bashkuara, e publikoi një vlerësim se, “Putin kishte urdhëruar fushatë ndikuese në vitin 2016, me synimin në zgjedhjet presidenciale amerikane”, ku përfshihej shkatërrimi i besimit në sistemin demokratik të Shteteve të Bashkuara, denigrimin e gjasëve të kandidates demokrate, Hillary Clinton dhe përmirësimin e gjasëve të Trumpit për të fituar.
Zyrtarët amerikanë dhe shumë vëzhgues besojnë se Putin dëshironte t’i zvogëlonte gjasët e zonjës Clinton për t’u zgjedhur, pasi ajo publikisht kishte marrë qëndrim të ashpër për të drejtat e njeriut dhe demokracisë në Rusi, pastaj agresionin e saj në Ukrainë, duke u shprehur në mbështetje të vazhdimit të sanksioneve për shkak të aneksimit të Krimesë dhe involvimit në luftë në pjesën lindore të Ukrainës, nga e cila deri tash janë vrarë mëse 9,900 njerëz.
Putin ka marrëdhënie të ftohta me zonjën Clinton dhe e ka akuzuar atë për inkurajimin e protestave kundër qeverisë në Rusi në vitin 2011, në periudhën kur Putin përgatitej të kthehej në presidencë, pasi i kaloi katër vite si kryeministër.
Nga ana tjetër, Donald Trump, gjatë fushatës zgjedhjore e pat bërë të qartë se do të synojë përmirësim të raporteve me Rusinë dhe do ta shtojë bashkëpunimin kundër terrorizmit. Për këtë bashkëpunim, për një kohë të gjatë, është angazhuar Putin.
Herë pas here, Putin dhe Trump kanë shprehur admirim për njëri-tjetrin, por Putin tha se asnjëherë nuk ka pasur “marrëdhënie speciale” me presidentin e Shteteve të Bashkuara.
“Ne nuk kemi kurrfarë raportesh”, tha Putin dhe ka shtuar se, “ishte një kohë kur ai e vizitoi Moskën, por kurrë nuk jam takuar me të”.
Agjencia amerikane FBI dhe Kongresi i Shteteve të Bashkuara po zhvillojnë hetime për kontaktet ndërmjet rusëve dhe fushatës dhe ekipit tranzitor Trump, përfshirë çfarëdo shenje të mundshme të marrëveshjes së fshehtë nga ana e ndihmësve të Trumpit me atë që oficerët e inteligjencës amerikane thonë se ishin synimet ruse në zgjedhjet amerikane.
Vladimir Putin, që në të kaluarën për një kohë të gjatë ishte oficer i KGB-së sovjetike, zakonisht duket se krenohet me vëmendjen për detaje, pastaj me njohjen e njerëzve me të cilët takohet dhe për përgatitjet e gjithanshme për biseda dhe zhvillime të tjera.
Në muajin shkurt të vitit të kaluar, këshilltari për siguri kombëtare i presidentit Trump, Michael Flynn, u detyrua të largohej nga zyra, ku qëndroi më pak se një muaj, pas pretendimeve se e kishte mashtruar zëvendëspresidentin amerikan, Mike Pence për kontaktet e tij me ambasadorin rus në Uashington, Sergei Kislyak, gjatë periudhës tranzitore pas fitores së Trumpit në zgjedhjet e 8 nëntorit të vitit të kaluar.
Michael Flynn, po ashtu, ishte akuzuar se nuk ka raportuar për takimin me Putinin në Moskë, gjatë një solemniteti të organizuar nga rrjeti shtetëror televiziv, “Russia Today” dhe për pagesë të honorarit nga burimet ruse, siç ishte pagesa nga ky rrjet televiziv.
Putin, po ashtu, tha se nuk ka njohuri për raportet nga shumë media amerikane për propozimin e dhëndrit dhe këshilltarit të Trumpit, Jared Kushner, për krijimin e një kanali sekret për komunikim me Kremlinin.
“Nuk kam njohuri për këtë propozim, asnjë propozim si ky nuk ka ardhur tek unë”, tha Putin. Komentet e Putinit ishin përkthyer nga rusishtja në anglishte për transmetim.

Kremlini ka publikuar transkriptin e intervistës

Derisa e ka hedhur poshtë përzierjen ruse në zgjedhjet e Shteteve të Bashkuara, Putin e ka akuzuar Uashingtonin për ndërhyrje në zgjedhjet e jashtme. “Vendoseni gishtin kudo në hartën e botës dhe çdokund ju do të dëgjoni për ankesat se zyrtarët amerikanë janë përzier në proceset e brendshme zgjedhore”, tha Putin.
Analistët thonë se Putin shpeshherë synon t’i mënjanojë akuzat kundër Rusisë, duke u përpjekur t’ia mveshë aksionet e ngjashme atij që akuzon.
Duket se Putin u nervozua shumë nga pyetja e moderatores Megyn Kelly, për raportet e korrupsionit të gjatë dhe shtypjen e atyre që mendojnë ndryshe në Rusi.
“Përse ju mendoni se keni të drejtë të na bëni pyetje të këtilla?, ka pyetur Putin dhe shtoi “për të moralizuar dhe për të na dhënë mësime se si të jetojmë”?
“Ne jemi të gatshëm të dëgjojmë kur kjo bëhet në mënyrë konstruktive, me qëllim të ndërtimit të raportit, krijimit të ambientit të përbashkët. Por, ne absolutisht nuk do të pranojmë kur këto lloje të gjërave përdoren si instrument të konfliktit politik”, tha Putin.

Artikulli paraprakISIS merr përgjegjësinë e sulmeve terroriste në Londër
Artikulli tjetërTheresa May: Është koha për ashpërsim të luftës ndaj terrorit