ISIS merr përgjegjësinë e sulmeve terroriste në Londër

Pas sulmeve të përgjakshme terroriste në Londër, milicia terroriste Shteti Islamik njoftoi përmes “agjencisë” së vet të lajmeve “Amak” se ata që vranë në kryeqytetin britanik të shtunën në mbrëmje të paktën shtatë vetë dhe plagosën rreth 50 të tjerë, ishin “një njësi luftëtarësh të IS-it”. Në forumet dhe kanalet e tyre të chat-it simpatizantët e IS-it shprehën gëzim për këtë sulm, njofton “Site Intelligence Group” që është i specializuar për shqyrtimin e propagandës radikale islamike.
Sipas dëshmitarëve okularë atentatorët kanë thirrur si në urën London Bridge edhe në lokalet në lagjen Borough Market se veprojnë “Në emër të Allahut”. Tetë minuta pas telefonatës së parë urgjente policët i vranë të tre burrat me breshëri prej 50 fishekësh, që sipas shefit të policisë antiterror, Mark Rowley, nuk kishte ndodhur deri tani.
Policia po sqaron tani nëse në planifikimin e veprës terroriste kanë qenë të përfshirë edhe persona të tjerë. Deri tani janë arrestuar 11 vetë që po mbahen në gjendje arresti hetimor.

Artikulli paraprakKryeministrja May: “Tolerancë e tepruar ndaj ekstremizmit”
Artikulli tjetërPutin: Rusia nuk ka asnjë material kundër Trumpit