Pse u kërcënua Ylli Rakipi? Denoncimi me zhvatjen e 30 milionë eurove me Unazën e Re

Drejtuesi i emisionit “Të Paekspozuarit”, Ylli Rakipi, ka marrë mesazhe këcënuese për jetën.
Këto kërcënime vijnë menjëherë pas publikimit të aferës korruptive, me tenderin e Unazës së Re dhe personave të cilët qëndrojnë pas kësaj afere.
Kërcënimet në drejtim të gazetarit, janë të formave të ndryshme. Ato janë bërë së pari në mënyrë indirekte, nëpërmjet postës elektronike dhe më pas edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Lidhur me këto kërcënime, gazetari u është drejtuar organeve kompetente.
Pavarësisht kërcënimeve dhe shantazheve, emisioni “Të Paekspozuarit”, do të vijojë të kryejë detyrën dhe misionin e vet në interes të publikut.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, me anë të një deklarate, ka dënuar kërcënimet e ardhura në drejtim të gazetarit Ylli Rakipi. Meta apelon institucionet ligjzbatuese të hetojnë me përgjegjësi maksimale rastin.
“Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta pasi u njoh nga mediat me kërcënimet e bëra ndaj gazetarit të njohur, zotit Ylli Rakipi, priti në një takim të veçantë z. Rakipi dhe u njoh me shqetësimet dhe kërcënimet ndaj tij për shkak të detyrës.

Presidenti Meta shprehu solidaritetin e tij me z. Rakipi dhe të gjithë gazetarët që me guxim e profesionalizëm i shërbejnë interesit publik përmes fakteve dhe të vërtetave.
Presidenti Meta apelon ndaj institucioneve ligjzbatuese të hetojnë me përgjegjësi maksimale këtë rast me qëllim ndëshkimin e merituar të autorëve.
Presidenti Meta i bën thirrje të gjithë gazetarëve të denoncojnë çdo presion e shantazh që u bëhet në cënim të misionit të tyre i cili është vendimtar për demokracinë e sundimin e ligjit“, thuhet në deklaratën e Presidencës.
Partia Demokratike, me anë të një deklarate, ka dënuar kërcënimet në drejtim të gazetarit Ylli Rakipi.”Partia Demokratike dënon në mënyrën më të ashpër kërcënimet që i janë bërë gazetarit Ylli Rakipi. Ne jemi në krah të zotit Rakipi, me të njejtën kurajo dhe vendosmëri me të cilën ai ka denoncuar vjedhjen dhe pastrimin e 30 milionë eurove nga Edi Rama, përmes një skeme ndërkombëtare kriminale.Kërcënimi ndaj Ylli Rakipit nuk është thjesht kërcënim ndaj një gazetari, por është kërcënim ndaj gjithë shoqërisë sonë.Kur krimi guxon të kërcëonjë një njeri të medias, në kohën kur autorët e skandalit janë të gjithë të identifikuar, kjo do të thotë vetëm një gjë: krimi ndjehet më i fortë se shteti dhe se drejtësia.
Pavarësisht, se kush është personi që ka bërë direkt kërcënimin, autori i vërtetë është Edi Rama, frymëzuesi, ortaku dhe mbrojtësi kryesor i krimit në vend. Asnjë qytetar nuk është më i mbrojtur në Shqipëri dhe nuk do të jetë derisa Edi Rama të largohet nga pushteti”, thuhet në deklaratën e PD-së.

Artikulli paraprakNesër zbardhet plani Rama-Veliaj-Bego për ndërtimin e kullave mbi shtëpitë e banorëve të Unazës
Artikulli tjetërStudentët nuk tërhiqen, axhenda e protestës për ditën e nesërme