Pse Rama lë në maganiza helikopterët e emergjencave?

Ish-Kryeministri Berisha i është përgjigjur dje shqetësimit të ngritur nga një ndjekës i tij në Facebook, se përse gjatë kohës së qeverisjes së tij nuk u investuan për blerjen e mjeteve të duhura logjistike për të përballuar situata të fatkeqësive natyrore siç është rasti konkret ai i zjarreve masive.
Në një reagim të tij, Berisha bën të ditur se gjatë qeverisjes së tij janë blerë disa helikopterë nga Eurocopter me qëllim përdorimin e tyre në situata të tilla të emergjencave, por për përdorimin e tyre duhet të blihen kovat e ujit. Berisha tha se Rama ndonëse ka shpenzuar mbi 600 mijë euro në porositjen e “Benz-it” të tij të blinduar nuk investon asnjë qindarkë lekë në blerjen e kovave që duhen për shuarjen e zjarreve përmes helikopterëve.
“Zoti Garid Seno shkruan: ‘25 vjet o Salë nuk bletë një avion për fikjen e zjarreve, ngeli shteti duke lipur tek fqinjët dhe kur t’u fryhet atyre të vijnë, nëse vijnë, çdo gjë është shkrumbuar, turp i madh”.
Përshëndetje Garid! Lidhur me objeksionin tuaj për mungesën e avionëve kundër zjarreve ju sqaroj sa vijon:
Qeveria e mëparshme, në një kontratë me Eurokopter ka porositur disa helikopterë modernë të fuqishëm dhe multifunksionalë për ushtrinë. Këta helikopterë mbartin edhe kova uji disa tonëshe për shuarje zjarresh dhe përdoren me sukses për këto qëllime në të gjitha vendet që kanë probleme me zjarrin. Por për t’i përdorur ata për këtë qëllim, duhet që të blesh kovën e ujit. Mirëpo Edi Rama e ka mendjen tek ‘Benz’-at e blinduar për veten e tij.
Kështu ai, përveç një ‘Benz’-i të blinduar që kishte në Kryeministri prej vitesh, sapo erdhi në pushtet mori për përdorim personal ‘Benz’-in e blinduar të blerë për transportin e personaliteteve të huaja që vizitojnë Shqipërinë. Rama më vonë porositi me mbi 600 mijë euro një tjetër ‘Benz’ të blinduar për vete, ndërkohë që me ato para mund të blinte 15 kova për helikopterët Puma për shuarjen e zjarreve në vend. Por problemi i tij është se ai mendon vetëm për veten e tij!”.

Artikulli paraprakMeta me ministrin Demiraj për zjarret që po shkrumbojnë vendin
Artikulli tjetërJanë vetëm 24 zjarrfikëse për 15 vatra zjarri