Pse jam dakord me Trump për Iranin

Me vendimin për të braktisur UNESCO-n dhe decertifikimin e marrëveshjes lidhur me bërthamoren iraniane, Amerika e Donald Trump konfirmon se ka zgjedhur Izraelin si bashkëbisedues të privilegjuar në Lindje të Mesme. Në fakt, Tel Avivi i frikësohet avancimit të Iranit shiit, armiku i tij historik, nën egjidën e Rusisë së Vladimir Putinit. Për të pasur një çelës të interpretimit izraelian për skenarin e Lindjes së Mesme kemi bërë një bashkëbisedim me Yaakov Perry. Ministër i Shkencës, Teknologjisë dhe i Hapësirës midis viteve 2013 e 2014 dhe aktualisht anëtar i Knesset-it, karriera e Perry e ka arritur majën e saj në brendësi të Shin Bet, agjencisë së shërbimeve sekrete izraeliane e drejtuar prej tij midis viteve 1988 e 1994. Më poshtë bashkëbisedimi me të:

-Çfarë mendoni për vendimin e Trump dhe të Netanyahut për të dalë nga UNESCO?
UNESCO është një organizatë populiste që nuk ka respekt për të vërtetën. Nga momenti që ka një mazhorancë arabe, miraton në mënyrë të vazhdueshme rezoluta kundër Izraelit. Në korrik ka marrë një vendim fyes, duke pohuar se Jeruzalemi nuk është më baza e popullit hebraik. Donald Trump, që ka marrëdhënie të shkëlqyera me Netanyahun dhe mbështet Izraelin në Kombet e Bashkuara, ka premtuar që Shtetet e Bashkuara, që janë kontribuesit më të mëdhenj të UNESCO-s, do të pushojnë së financuari. Tani ka pasur një marrëveshje midis Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara për ta braktisur organizatën.

-Sipas jush, a ekziston një paragjykim antiizraelian në brendësi të Kombeve të Bashkuara?
Nga viti 1967, kur ka qenë Lufta e 6 Ditëve, Kombet e Bashkuara e akuzojnë Izraelin se refuzon paqen dhe dënon vendbanimet e politikat e tij mbi territor. Akoma më përpara 1967, kemi pasur problem akuza raciste e fashiste në brendësi të Kombeve të Bashkuara. E dimë të gjithë se Kombet e Bashkuara janë kundër qeverisë izraeliane, jo vetëm lidhur me problemin palestinez, por për çfarëdo lloj gjëje që ajo bën dhe kjo, sepse ka një mazhorancë arabe. Edhe shtete si Jordania dhe Egjipti, që me Izraelin kanë një traktat paqeje, votojnë gjithmonë kundër nesh.

-Ekziston mundësia që një të nesërme Izraeli ta braktisë të gjithë organizatën?
Nuk do të largohemi nga Kombet e Bashkuara: do të luftojmë dhe e dimë se në fund do të arrijmë që ta bindim se jemi nga ana e drejtë në shumcën e rasteve. Izraelianët vuajnë vazhdimisht për faj të aktiviteteve terroriste myslimane. Unë vetë e kritikoj shpesh qeverinë time për procesin e paqes, por nuk ka rëndësi, se cila është e vërteta. Në 90–95% të rasteve, Kombet e Bashkuara votojnë kundër Izraelit.

-Çfarë ka ndryshuar me administratën Trump krahasuar me atë Obama në raportet midis Uashingtonit dhe Tel Avivit?
Në fillim, Obama dukej sikur e kuptonte pozicionin tonë. Por në fund të mandatit të tij dukej se kishte ndryshuar ide. Ka kërkuar çdo lloj preteksti: për shembull kredon e tij myslimane apo simpatinë e tij për shtetet e Lindjes së Mesme. Obama besonte se gjërat në botë duhen ndryshuar gjithmonë dhe gjithsesi me negociata dhe jo me luftëra, nga marrëveshja e gabuar me Iranin lidhur me bërthamoren. Tani Trump rreshtohet kundër marrëveshjes dhe mbështet fuqimisht Izraelin: unë shpresoj që Trump të qëndrojë një mandat tjetër, por askush nuk mund ta dijë.

-Lidhur me marrëveshjen e bërthamores iraniane, pse izraelianët gëzohen për vendimin e Trump që ta braktisë?
Izraeli ka qenë vendi i parë në botë që i ka rënë këmbanës së alarmit për të paralajmëruar se Irani po zhvillon një plan bërthamor, edhe pse iranianët theksonin se qenë të prirur nga ruajtja e paqes. Kemi qenë të parët që kemi denoncuar nevojën e sanksioneve kundër regjimit iranian. Nga momenti që i kemi paraqitur, Irani ka vuajtur: nuk mund ta shesë më naftën, të gjitha vendet perëndimore i kanë ngrirë llogaritë e tij bankare. Kur Obama dhe Bashkimi Europian kanë përfunduar marrëveshjen me Iranin, i kanë eliminuar të gjitha sanksionet. Ka qenë një gabim trashanik: nëse bota perëndimore do të donte të bënte një marrëveshje me Iranin, atëhere sanksionet duhet t’i hiqte ngadalë, një e nga një, jo të gjitha bashkë.

-Nuk besoni se braktisja e marrëveshjes do t’u jepte zë forcave ekstremiste në Iran?
Besoj se situata e brendshme politike në Iran është shumë interesante. Ka një opozitë të fortë kundër qeverisë, por jo të fortë sa duhet për ta rrëzuar regjimin. Disa shtete europiane po kërkojnë që të inkurajojnë opozitën e brendshme në Iran për ta zëvendësuar regjimin, por për momentin nuk po funksionon.

-Atëhere pse këto shtete nuk i ndërpresin marrëdhëniet me qeverinë Rohani?
Nuk është aq e lehtë të ndërpresësh marrëdhënie: për shembull, pjesa më e madhe e kapitaleve iraniane gjendet në banka amerikane dhe europiane. Nga ana tjetër, Irani është prodhuesi më i madh i naftës dhe vendet perëndimore janë të varura nga eksportet iraniane. Nuk është rastësi që qysh ka hyrë në fuqi marrëveshja të gjitha kompanitë perëndimore janë kthyer në Teheran. Ne izraelianët besojmë akoma se mund të ketë një ndryshim regjimi në Iran, një afrim me koalicionin perëndimor, por nuk do të ndodhë nesër.

-Pse Irani përbën kërcënim për Izraelin?
Iranianët pothuajse çdo ditë pohojnë se nuk ka ekzistencë të mundshme për hebrenjtë në Izrael, që duhet të eliminohen dhe të fshihen nga harta gjeografike. Teherani ka një influencë të madhe mbi organizatat terroriste dhe në kufijtë tanë veriorë, në Lartësitë Golan, ka shumë ushtarë iranianë. Së fundmi, Irani është i përfshirë rëndshëm në Liban, në Rripin e Gazës me Hamasin, në Siri përkrah Assad me Hizballahun. Është një kërcënim real, jo vetëm mediatik, ndaj sigurisë izraeliane.

-Çfarë ka ndryshuar në marrëdhëniet midis Izraelit dhe Iranit qysh kur në Teheran ka ardhur Rohani?
Izraeli kishte marrëdhënie të shkëlqyera me Iranin gjatë regjimit të Shahut. Kur atë e kanë përzënë dhe Khomeini ka marrë pushtetin, marrëdhëniet janë ndërprerë. Qysh nga ai moment kemi mbetur armiq për 40 vjet: sot nuk ekziston asnjë marrëdhënie diplomatike dhe Irani është armiku ynë më i keq.

-Si shikohet influenca në rritje iraniane në Siri, Liban dhe Irak?
Ndiqet me shumë vëmendje në Izrael. Gjatë takimit të fundit me Putinin, Netanyahu i ka kërkuar Rusisë që të pengojë forcat iraniane të dislokohen në Siri. Putini nuk ka bërë asgjë. Irani synon hegjemoninë në Lindje të Mesme dhe po Lufton për ta siguruar bashkë me Turqinë dhe me Egjiptin. Të gjitha lëvizjet Shiite të terrorit marrin armë, financime dhe logjistikë nga Irani. Hezbollahu posedon sot 120 000 raketa, pjesa më e madhe e të cilave e prodhimit iranian. Vijnë nga Sudani, kalojnë nëpër Gadishullin e Sinait, deri në Rripin e Gazës.

-Për këtë arsye keni bombarduar në muajin shtator në Siri?
Bombardimet që po bën Izraeli janë kundër armëve që vijnë nga Irani nëpërmjet aeroportit të Damaskut dhe të çuara në Liban kundër Izraelit. Po kërkojmë që të presim zinxhirin e prodhimit nga Irani deri në Siri dhe tek Hezbollahu.

-Tani që Irani përbën një kërcënim të përbashkët, a është në zhvillim një afrim midis sauditëve dhe izraelianëve?
Kohët e fundit marrëdhëniet konfidenciale midis Arabisë Saudite dhe Izraelit po përmirësohen. Arsyeja e parë është kërcënimi i përbashkët iranian. E dyta është lufta kundër islamit radikal.

-Jemi në dyert e një stine të re midis botës arabe dhe Izraelit?
Një mundësi për të ardhmen është që Shtetet e Bashkuara të vihen në drejtimin e një lloj ombrelle që bashkon Izraelin, Jordaninë, Egjiptin, Arabinë Saudite dhe vendet e Gjirit. Me mbështetjen e vendeve arabe, nën këtë ombrellë mund të rinegociiojmë situatën në Palestinë. Është në interesin izraelian, në atë amerikan dhe saudit që të bashkohen forcat dhe të krijohet një rend i ri në Lindje të Mesme.

-Është e vërtetë se Princi Mohammed bin Salman ka qenë për vizitë në Izrael në muajin shtator?
Unë nuk e di të vërtetën. Di se disa media kanë referuar për një mision sekret. Është diçka që mund të ndodhë në Izrael dhe në Lindje të Mesme. Patjetër që ka zëra në Izrael sipas të cilave marrëdhëniet zyrtare midis zyrtarëve sauditë dhe izraelianë po përmirësohen me shpejtësi.

-Pak ditë më parë në Kajro është nënshkruar një pakt midis Hamasit dhe al Fatahut për një qeveri palestineze pajtimi kombëtar. Është një hap përpara për paqen në Tokën e Shenjtë apo janë vetëm takticizma?
Ajo që ka ndodhur është pozitive për Izraelin. Është një shenjë e mirë që siguria në Rripin e Gazës të kalojë nën kontrollin e Abu Mazen. Ka mundësi të jetë vetëm një hap taktik. Hamasi gjendet në një situatë ekonomike të dëshpëruar. Qeveria e re do të fillojë më 1 dhjetor, do të shikojmë nëse do të funksionojë. Unë shpresoj që të funksionojë, pasi ardhja e Autoritetit Palestinez në Rripin e Gazës do ta largojë përplasjen midis Izraelit dhe Hamasit. Por jamë dyshues, pasi në të kaluarën kemi parë shumë herë të formohet në qeveri dhe më pas të zhbëhet shpejt.

-Pakti është bërë i mundur falë ndërmjetësimit të Egjiptit. Si është parë Presidenti Al Sisi nga izraelianët?
Al Sisi është një udhëheqës shumë i fortë, është në marrëdhënie mjaft të mira me Netanyahu dhe ka interes që midis Izraelit dhe Palestinës të kthehet qetësia. Izraeli e di që Al Sisi nuk po vepron kundër interesave të tij: në fakt, nganjëherë interesat egjiptiane dhe ato izraeliane janë të njëjtat.

-Çfarë interesash?
Për shembull, në këtë moment Egjipti po vuan rëndshëm prej sulmeve të fraksioneve islamiste dhe nuk e do Hamasin, pasi janë myslimanë dhe të lidhur me Vëllazërinë Islamike egjiptiane.

-Ju rezulton se ISIS ka lidhje me disa grupe terroriste palestineze?
Ekzistojnë lidhje, por jo me të gjitha organizatat. ISIS-i është sunit dhe nuk ushtron asnjë influencë të drejtpërdrejtë mbi organizatat Shiite si Hezbollahu. Megjithatë, mund të perceptohet sharmi që Shtetet Islamike dhe atentatet e tij në Europë kanë mbi të gjitha organizatat terroriste në Lindje të Mesme.

-Si funksionon sot parandalimi antiterrorizëm në Izrael?
Izraeli është shteti me më shumë përvojë në luftën kundër terrorizmit në botë. Për të luftuar terroristët duhet të jesh jashtëzakonisht i saktë në mbledhjen e inteligjencës, nuk mund t’i besohet fatit. Në shmangim 85-90% të sulmeve terroriste përpara se të zbatohen dhe kemi 10 000 njerëz që punojnë në inteligjencë.

-Sipas jush, në çfarë pike është luftimi i terrorizmit në Europë?
Për të mundur terrorin, Europa duhet të jetë e gatshme–dhe sot akoma nuk është–që të lërë mënjanë privatësinë dhe disa të drejta civile. Duhet të jetë e gatshme të luftojë 24 orë në ditë, 365 ditë në vit. Edhe popullsia duhet të bëjë pjesën e saj: në Izrael kur futesh në autobus kontrollohet më parë që nuk ka pako të braktisura nën sedile apo individë të dyshimtë.

-Cilat vende europiane po luftojnë më mirë kundër terrorizmit?
Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia kanë një përvojë të madhe nga e kaluara me terrorizmin politik. Por nuk është e mjaftueshme kundër valës aktuale të terrorit, që vjen edhe nga refugjatët dhe nga komunitetet myslimane. Për këtë, midis masave parandaluese, është e nevojshme që të kontrollohet më mirë fenomeni migrator.
(nga Formiche)

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakMiniti në Tiranë; “Peshqit e mëdhenj” do të arrestohen
Artikulli tjetërFarsa e dosjes anti-Trump