Miniti në Tiranë; “Peshqit e mëdhenj” do të arrestohen

Televizioni afër qeverisë “Top Channel” e hapi dje edicionin informativ me një lajm që kishte siguruar nga burimet e veta qeveritare mbi vizitën e ministrit të Brendshëm të Italisë në Tiranë, Minniti. Sipas këtij televizoni ministri i Brendshëm italian kishte marrë garanci nga Tirana zyrtare për arrestimin e “peshqve të mëdhenj”. Pa dhënë emra, kuptohet qartësisht se cili ishte në të vërtetë misioni i ministrit të Brendshëm italian në Tiranë.

Në krah të Minnitit ambasadorët e SHBA e BE

Një takim i zgjeruar është zhvilluar dje në sallën e Pallatit të Kongreseve ku të pranishëm kanë qenë si ministri i Brendshëm italian, Minniti, homologu i tij shqiptar dhe përfaqësues të trupit diplomatik. Ajo që ka rënë në sy ka qenë prezenca e dy ambasadorëve të SHBA dhe BE në krah të ministrit të Brendshëm italian. Përse do të duhej të ishin këta dy ambasadorë në një takim ku do të fliste ministri i Brendshëm italian? Natyrisht që politika ndërkombëtare flet me simbolikat e veta. Dy ambasadorët nuk kanë qenë thjesht dhe vetëm për të dëgjuar ministrin e Brendshëm italian në mesazhin e tij se duhet të arrestohen të “paprekshmit”. Ata kanë qenë në krah të Minnitit për të mbështetur misionin italian në Shqipëri në goditjen e grupeve të krimit të organizuar me lidhje të forta politike dhe qeveritare. Ka pasur shumë pikëpyetje në lidhje me qëndrimin e ambasadorëve në rastin e skandalit të fundit të implikimit të Tahirit në trafikun e drogës dhe prezenca e tyre dje në krah të Minnitit ishte një tregues për pozicionin e tyre.

U takua me të gjithë, por jo me Ramën

Vizita e ministrit të Brendshëm italian është paraprirë nga lajmet në media edhe për shkak të hetimeve të nisura nga drejtësia italiane për trafikun e drogës të grupit të Habilajve në rrjetën e përgjimeve të të cilëve ka rënë edhe ish-ministri i Brendshëm, Tahiri. Axhenda e tij ka qenë mjaft e ngjeshur në vetëm pak orë qëndrimi në Shqipëri. Ai ka mbërritur në mëngjes në Tiranë për t’u larguar pak pas mesditës. Minniti është takuar fillimisht me homologun e tij në Tiranë, Xhafaj. Më pas është pritur në takim nga Presidenti i Republikës dhe ajo që ka surprizuar ka qenë takimi jashtë axhende me kreun e opozitës, Basha. Surpriza tjetër e takimeve të ministrit të Brendshëm italian ka qenë fakti që ai nuk ka patur asnjë takim qoftë edhe kortezie për shtrëngim duarsh me kreun e qeverisë. Vështirë të besohet më se lideri global nuk ka dashur të takojë ministrin e Brendshëm italian, gjithsesi ky takim i munguar është një kambanë alarmi për atë që pritet të ndodhë në të ardhmen e afërt. Ramën po e takojnë gjithnjë dhe më pak partnerë të Shqipërisë, ndërsa ka takime të shumëfishuara me sekserët e krimit si në rastin e Gaz Demit, për të cilin dera e kryeministrisë dhe ajo e Kodrës së Diellit vazhdojnë të qëndrojnë të hapura.

Çfarë deklaroi Minniti?

Marco Minniti deklaroi fort dhe prerë se vizita e tij në Shqipëri kishte një qëllim të vetëm, atë të luftës ndaj organizatave kriminale me lidhje politike. “Duam të godasim organizatat e mëdha, duhet të godasim të paprekshmit, pasi në Itali e Europë nuk ka të paprekshëm”.
“Guardia di Finanza ka kryer një punë të jashtëzakonshme dhe për këtë e falënderoj. Bashkëpunimi ka çuar në rezultate të jashtëzakonshme. Ne kemi përballë një operacion të suksesshëm, që prej vitit 2013-2017 kemi parë një rritje progresive edhe të rezultateve dhe sidoqoftë në momentin që theksojmë se kemi të bëjmë me operacion suksesi unë nënvizoj: Operacionet e suksesshme duken në kohë, këto rezultate duhet t’i mbajnë edhe në vitet e ardhshme. Në luftën kundër krimit të organizuar, në këtë objektiv strategjik do të keni bashkëpunimin e plotë të qeverisë italiane. Ne duam të godasim organizatat e mëdha, duhet të godasim të paprekshmit, pasi në Itali e Europë nuk ka të paprekshëm, për këtë objektiv duhet të punojmë së bashku. Në këtë projekt dhe objektiv është angazhuar i gjithë sistemi italian që kanë bashkëpunuar me Shqipërinë dhe këtë e tregojnë edhe të dhënat. Ky raport, kjo marrëdhënie përfshihet në një marrëdhënie edhe më të gjerë mes Shqipërisë, Europës dhe vendeve të Ballkanit”, tha ministri i Brendshëm i Italisë, Minniti. Në këtë deklaratë të Minnitit ka një detaj që nuk mund të kalojë pa u vënë re. Ai thotë se në goditjen e të paprekshmëve është angazhuar i gjithë sistemi italian. Ai direkt ka përfshirë këtu edhe drejtësinë italiane, e cila në fakt ditët e fundit ka patur dhe ka një dosje mjaft të rëndësishme, atë të hetimeve të grupit të Habilajve të lidhur me ish-ministrin e Brendshëm, Tahiri.

Arben SHAHINI

Artikulli paraprak1945 qe Viti Zero i botës?
Artikulli tjetërPse jam dakord me Trump për Iranin