Prokuroria: Shefi i policisë lejoi kultivimin e kanabisit

Nga hetimi u konstatua se një sasi relativisht e madhe bimësh narkotike nuk është asgjësuar edhe pse grupi i kontrollit, i drejtuar nga Shefi i Rendit të Kurbinit, Ylli Vata, kishte qenë në këto vende dhe nuk ka kryer detyrën për asgjësimin e tyre
Prokuroria për Krime të Rënda jep detaje nga hetimet që çuan në zbulimin e shefit të Policisë së Kurbinit, Ylli Vata, për mos asgjësimin e parcelave me kanabis prej nga merrte 20% të fitimit. Prokuroria bën të ditur se, Vata ishte pjesë e zinxhirit kriminal dhe bashkëpunëtor në kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike, si dhe skemën se si funksiononte i gjithë grupi kriminal.
Sipas organit të akuzës, Vata duke qenë epror direkt i specialistëve të policisë të zonave ka ndikuar në moskryerjen e detyrës së tyre. Madje, ai dhe grupi i policëve të tij i njoftonin trafikantët sa herë zhvilloheshin operacione policore anti-kanabis në atë zonë. Për këtë arsye, Prokuroria angazhoi në hetim edhe Shërbimin për Çështje të Brendshme dhe Ankesa në Ministrinë e Brendshme.
Emri i Shefit të Rendit të Kurbinit rezultoi gjatë hetimit të nisur pak muaj më parë nga Prokuroria për Krime të Rënda, në bazë të të cilit, në nëntor 2016 u arrestuan edhe 7 persona, njëri prej të cilëve efektiv policie.
Prokuroria për Krime të Rënda ka nisur hetimin në korrik 2016, në bazë të materialeve të përcjella nga ana e Prokurorisë së Kurbinit. Nga hetimet e asaj prokurorie, rezultonte se disa persona të arrestuar në flagrancë, mund të ishin pjesë e një grupi të strukturuar kriminal. Për këtë arsye, Prokuroria për Krime të Rënda, si strukturë përgjegjëse për hetimin e grupeve kriminale, pranoi aktet e Prokurorisë së Kurbinit dhe zhvilloi hetimet e mëtejshme.
Si rezultat i hetimeve të kryera, është provuar se shtetasi Lefter Neli ka organizuar dhe krijuar një mekanizëm, i cili bën të mundur dhe krijon të gjitha kushtet e përshtatshme për kultivimin e bimës narkotike në zonat e malësisë së Kurbinit. Po ashtu, nga hetimi rezulton se, për këtë aktivitet, ai ka marrë sigurinë se ajo nuk do të cënohet nga forcat e Policisë së Komisariatit të Kurbinit.
Po sipas hetimit, grupi kishte të siguruar edhe tregtimit të lëndës narkotike pas procesit të përpunimit.
Pas arrestimit të disa personave, përfshirë edhe atë që konsiderohej kreu i grupit, Lefter Neli, Prokuroria për Krime të Rënda vijoi hetimin për identifikimin e bashkëpunëtorëve të mundshëm. Nga hetimi u konstatua se një sasi relativisht e madhe bimësh narkotike nuk është asgjësuar edhe pse grupi i kontrollit, i drejtuar nga Shefi i Rendit, Ylli Vata, kishte qenë në këto vende dhe nuk ka kryer detyrën për asgjësimin e tyre.
Në bazë të të dhënave të marra nga hetimi, Prokuroria për Krime të Rënda ka arritur në konkluzionin se shtetasi Lefter Nelaj dhe bashkëpunëtorët e tij, bashkëpunonin ngushtësisht me drejtuesin e rendit në Komisariatin e Policisë Kurbin, me qëllim kryerjen e veprave penale për të cilat janë arrestuar. Në këto kushte, Prokuroria për Krime të Rënda ka marrë miratimin e Gjykatës për arrestimin e oficerit të policisë, Ylli Vata.
Vata është shpallur në kërkim. Shpallja në kërkim, erdhi një ditë pas vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda që dha për Vatën, masën “arrest me burg” në mungesë për favorizim dhe bashkëpunim të kultivimit të lëndëve narkotike. Masa u dha pas shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë që në bazë të provave e implikon Vatën në favorizimin e kultivimit të drogës.
Nga përgjimet telefonike të pjesëtarëve të dyshuar të grupeve, por dhe disa prej të arrestuarve, prokuroria ka ngritur dyshime të forta se, Vata kishte lidhje me të paktën 3 grupe kriminale që vepronin në zonën e Kurbinit.
Dyshohet se, shefi i Rendit në Laç merrte 20% nga shitja e kanabisit të mbjellë, duke dhënë garancinë e mosprekjes nga ana e policisë dhe informimin në kohë reale për ndonjë rrezik të mundshëm. Ylli Vata mban aktualisht detyrën e shefit të Krimeve në Tropojë.

R.POLISI

Artikulli paraprakRepublika e krimit do të mundet
Artikulli tjetërBerisha: Kujdes nga Top Gjoba!