Republika e krimit do të mundet

Xhandarmëri për luftën ndaj drogës

Lulzim BASHA

Ndodhemi këtu në këtë shesh të lirisë, në këtë qëndresë të vendosur dhe historike dhe stoike për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për demokraci të vërtetë, për drejtësi të vërtetë dhe për një Shqipëri europiane në ditën e 12 të protestës së pandërprerë të kësaj lëvizjeje popullore, kombëtare dhe demokratike.
Lëvizja që ju nisët më 18 shkurt është një lëvizje e paprecedent në historinë e re të Shqipërisë. Sepse kushtet dhe situata në të cilën gjendet sot Shqipëria është e paprecedentë. Ndaj edhe kërkesa jonë është e paprecedent, por po kështu fitorja e kësaj beteje, fitorja e kësaj kauze, fitorja e kauzës së çdo qytetari që i është bashkuar kësaj proteste fizikisht dhe miliona shqiptarëve që na ndjekin, është e pashmangshme.
Fitorja po vjen, kauza triumfon. Ditë për ditë më shumë shqiptarë po çlirohen nga frika, po marrin kurajon dhe po bashkohen këtu me ne në sheshin e lirisë, po bashkohen nga shtëpitë e tyre me thirrjet, me urimet, me lutjet, me bekimet për t’i dhënë fund njëherë e mirë republikës së krimit, korrupsionit dhe drogës. Për t’i dhënë fund republikës së vjetër, ku kujdesen vetëm për veten e tyre ata që kanë pushtetin politik, ekonomik dhe kriminal. Dhe për të themeluar republikën e vërtetë të çdo qytetari dhe çdo qytetareje shqiptare, republikën e re të ligjit, të demokracisë, të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe të drejtësisë të vërtetë.
Kjo është kauza, prandaj jemi këtu ditë për ditë e natë për natë sepse kemi marrë një vendim të madh. Vendimi është shembja e republikës së vjetër dhe ngritja e republikës së re që fillon me zgjedhje të lira dhe të ndershme, me largimin e një qeverie që është bërë njësh me krimin dhe vazhdon me institucionet e reja të kësaj republike në shërbim të qytetarëve dhe pushtetit të qytetarëve.
Rruga ka nisur dhe ne do ta arrijmë destinacionin. Kjo është e sigurt, kjo është e vendosur, kjo ka mbështetjen e të gjithë qytetarëve të ndershëm shqiptarë.
Prandaj, është një rrugë që do të na çojë me sukses drejt përfundimit të vetëm, fitores së kauzës tonë të drejtë.
Është vendi dhe koha të kujtojmë së bashku shkaqet, mënyrat dhe format se si republika e vjetër, ra pre e krimit, se si republika e vjetër u shndërrua në një strofull të krimit, se si republika e vjetër është shndërruar në republikën e drogës, në kanabistanin e Europës.
Është koha të kujtojmë se si ia dolën në 4 vjet këta qeveritarë të lidhur me krimin të shkatërrojnë një shtet të tërë dhe ta kthejnë në funksion dhe në mbrojtje të kriminelëve dhe drogës.
Na e kujtuan sot në këtë shesh drejtuesit dhe punonjësit e Policisë së Shtetit të larguar në mënyrë të paligjshme nga ky kryeministër dhe qehajai i tij i krimit në ministrinë e drogës, që i thotë vetes Ministri e Brendshme. E nisën duke ekzekutuar kupolën e drejtuesve të lartë të policisë dhe drejtuesve të niveleve zbatuese, të cilët ju dhanë shqiptarëve arritje të mëdha e të merituara, siç ishte futja e vendit në NATO, siç ishte heqja e vizave për qytetarët shqiptarë.
E arritëm këtë, sepse vullneti politik i bashkuar me përkushtimin profesional mundësoi një luftë pa kompromis kundër krimit, kundër strukturave kriminale, kundër bandave dhe kundër aseteve dhe pasurive të tyre të vëna përmes aktivitetit kriminal.

Paratë e drogës në duart e Ramës e Tahirit

Si është e mundur që sot, kriminelët, në Parlament, në institucionet shtetërore në ekonominë e vendit, bëjnë ligjin? Është e mundur pikërisht sepse iu hap rruga nga ky kryeministër.
Së pari, iu hap rruga duke larguar nga policia oficerët e ndershëm dhe duke vendosur në kupolën drejtuese njerëz të lidhur kokë e këmbë me krimin, me bandat dhe me drogën.
E bënë këtë pikërisht që vrasësi i Dritan Lamajt, Arben Frroku të arratisej ndërkohë që merrte vendimin për t’u kthyer në burg.
Si mund të arratisej vrasësi i një oficeri policie, përveçse kur policia të kishte dekapituar nga oficerët e ndershëm dhe të ishte vënë në funksion të vrasësit dhe në funksion të vëllait të vrasësit, Mark Frrokut, në vetvete një vrasës që ndiqet nga Belgjika për ekzekutim dhe prostitucion, i cili përdori mandatin e deputetit, përdori makinën e deputetit për të shkatërruar operacionet policore antinarkotikësh në bashkëpunim me policitë e rajonit duke fshehur të dyshuarin kryesor në makinën e tij. Dhe çfarë ndodhte?! Policia e dekapituar, e pakokë, ku koka e policisë janë njerëz që i shërbejnë krimit dhe drogës, në vend që të arrestonte kryenarkotrafikantin në makinën e deputetit, u detyrua të salutonte makinën e deputetit dhe të ndalonte operacionin.
Si mund të ndodhte ndryshe që kërkesa për ekstradimin e tij nga Interpol Belgjika, të fshihej për tre muaj me radhë? Si mund të ndodhte ndryshe, përveçse kur policia u dekapitua dhe oficerët e ndershëm të Policisë së Shtetit u zëvendësuan me njerëz pa personalitet, pa autoritet, të cilët iu bindeshin verbërisht urdhrave politikë të një ministri të lidhur kokë e këmbë me kriminelët më të rrezikshëm në vend.
Ky pra ishte plani, kjo ishte strategjia dhe kjo funksionoi. Vendosja e Saimir Tahirit në krye të Ministrisë së Brendshme nga Edi Rama ishte pika e parë e këtij plani.
Pika e dytë e këtij plani ishte largimi i oficerëve të ndershëm dhe zëvendësimi i tyre me kukulla në duart e Saimir Tahirit, ose me njerëz të drejtpërdrejtë të lidhur me segmentet e botës së krimit. Përmes tyre, iu hap rruga kriminelëve në rrugë, iu hap rruga kriminelëve në Parlament, iu hap rruga kriminelëve në krye të bashkive e në institucione të rëndësishme shtetërore për të bërë atë që bënë.
Mbulimin e vendit me drogë, mbjelljen e drogës cep më cep të Shqipërisë, kthimin e Shqipërisë në hambar droge ku paratë, përfitimet e kësaj droge shkojnë të gjitha në duart e kupolës kriminale të lidhur drejtpërdrejtë me Edi Ramën dhe me Saimir Tahirin.

Qeveria është bërë njësh me krimin

Miliardat e drogës nuk janë në xhepat e fermerëve të varfëruar, të skllevërve të hashashit që shkojnë sylidhur në mëngjes dhe kthehen sylidhur në mbrëmje në vatrat e tyre të varfëruara. Nuk shkojnë këto përfitime as për qytetarët, as për popullin, as për ekonominë kombëtare.
Përfitimet e drogës janë vetëm në duart e një kupole mafioze, e një kupole kriminale të lidhur drejtpërdrejtë me Edi Ramën, me Saimir Tahirin dhe një grusht pushtetarësh. Dhe këto përfitime kanë një dhe një vetëm qëllim, pushtetin dhe pasurimin e Edi Ramës, Saimir Tahirit dhe kriminelëve me të cilët erdhi në pushtet dhe me të cilët do të mbajë pushtetin.
Prandaj refuzojnë çdo veprim që bie ndesh me këtë plan ogurzi teksa shkelin nga mëngjesi deri në darkë Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Prandaj nuk e arrestuan tri vite me radhë “Eskobarin e Ballkanit”, kur ne e denoncuam si një emërim kriminal në krye të kupolës shtetërore. 32 herë Partia Demokratike e denoncoi Klement Balilajn, “Eskobarin e Ballkanit” si një emërim kriminal në strukturat shtetërore. Nuk lëvizën gishtin.
Përkundrazi, doli nga zyra e tij në Sarandë dhe kërcënoi se do të hidhte në gjyq për shpifje Partinë Demokratike. Dhe kur “CNN” e shpalli “Eskobarin e Ballkanit”, policia e Saimir Tahirit me urdhër të Edi Ramës për dy javë nuk lëvizi gishtin, duke i dhënë mbrojtje, për t’i lejuar arratisjen dhe nuk lëviz gishtin sot megjithëse Klement Balilaj kap peshk nga jahti i tij luksoz dhe shëtit nga dasma në dasmë. Askush në këtë qeveri të bërë njësh me krimin nuk lëviz gishtin për ta arrestuar dhe për ta vënë para ligjit apo për t’ia dorëzuar autoriteteve greke që e kërkojnë si kokën e një rrjeti të madh e të rrezikshëm të trafikut të heroinës.
Këto janë faktet, ja si ndodhi dhe ja pse ndodhi, ja si Republika e Shqipërisë në vetëm katër vjet, megjithë problematikat e saj, megjithë ulje-ngritjet e saj u asgjësua nga Edi Rama, Saimir Tahiri dhe një grusht kriminelësh, u kthye sot në republikën e krimit, në republikën e drogës, që nuk i bën dritë syri për asnjë qytetar, që nuk i bën dritë syri për hallet e popullit, por që ekziston vetëm për të mbrojtur dhe shtuar pushtetin dhe pasuritë e krimit dhe të drogës.
Ndërkohë, kriza ekonomike përkeqësohet, papunësia ka arritur nivele dramatike, rinia është në dëshpërim të thellë, shërbimet publike janë të asgjësuara totalisht dhe vendi është në zgrip të një humnere katastrofike ekonomike, psikologjike, sociale dhe politike. Ky është produkti i republikës së krimit, ky është produkti i republikës së drogës për shumicën dërrmuese të shqiptarëve.
Asnjë shqiptar i thjeshtë nuk ia pa hajrin drogës dhe kanabizimit të Shqipërisë, shumë prej jush, shumë prej qytetarëve shqiptarë, i kanë parë vetëm të keqen, përmes krimit në rrugë, përmes drogës nëpër shkolla, përmes drogës në duart e fëmijëve, përmes kriminalizimit të ekonomisë shqiptare.
Askush nuk ia ka parë hajrin, me përjashtim të një grushti qeveritarësh të bërë njësh me krimin, që janë përfituesit kryesorë të drogës dhe pa dyshim me në krye kryeministrin, që janë akuzuar prej ditës së parë, si konsumuesit më në zë të drogës në Ballkan.
Kjo është gjendja dhe tani që zgjedhjet po afrojnë, plani është që së bashku me drogmenët dhe trafikantët e tjerë, me paratë e drogës, me paratë e narkotrafikut, të blejnë zgjedhjet e shqiptarëve. Pra, republika e krimit e ka jetike që të investojë një pjesë të parave të drogës për ta mbajtur gjendjen kështu siç është, që të vazhdojnë të mbjellin Shqipërinë me drogë, që të vazhdojnë ta mbushin Europën me drogë, që të pasurohen dhe t’i shpëtojnë drejtësisë, t’i shpëtojnë ligjit, që t’i shpëtojnë burgut, e kanë jetike ta mbajnë republikën e vjetër në këmbë.

Më 18 shkurt nisi përplasja e madhe

Me policë të korruptuar dhe të lidhur me drogën. Me gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar sepse të ndershmit ju prishin punë dhe mbi të gjitha jo me zgjedhje, por me votime fasadë, pra me zgjedhje të kapura dhe të diktuara nga krimi.
Kjo është beteja. Ky është themeli i të keqes. Kjo është faza e përplasjes së madhe që ka nisur më 18 shkurt. Me njërën anë, shumica dërrmuese e shqiptarëve, e cila ndjen në kurriz pasojat e kësaj politike, të këtij plani kriminal dhe nga ana tjetër, një pakicë absolute qeveritarësh të bërë njësh me krimin, që nën pushtetin e krimit dhe me pushtetin e krimit mendojnë vetëm se si t’ia dalin me sukses edhe fushatën aktuale të mbjelljes dhe korrjes së drogës.
Kjo është një betejë ekzistenciale. Kjo është një betejë historike, kjo është një betejë me jetë a vdekje, ose Shqipëria do të përfundojë në errësirën e tejzgjatur të vendeve të shtuara ku çdo qytetar kthehet në një skllav të narkoindustrisë, ose me forcën, vendosmërinë dhe qëndresën e bashkimit popullor, do ta shporrim këtë pakicë, do ta nxjerrim nga zyrat e shtetit ku nuk e kanë vendin dhe me një qeveri teknike do t’i japim vendit zgjedhje të lira dhe të ndershme ku qytetarët vendosin për fatin e tyre dhe fatet e fëmijëve të tyre, të vendosin për një qeveri që kthen rendin dhe sigurinë, që lufton drogën për t’i dhënë Shqipërisë perspektivën europiane që meriton, për t’i dhënë shqiptarëve bashkë me sigurinë edhe një ekonomi të vërtetë, një ekonomi të fortë që krijon vende të vërteta pune dhe jo t’i shndërrojë shqiptarët në skllevër dhe konsumues të hashashit.
Kjo është beteja zonja dhe zotërinj, kjo betejë zgjidhet vetëm me vullnet politik.
Vullneti politik bën ndryshimin, bën diferencën dhe unë ju garantoj se me vullnetin tim politik dhe me vullnetin politik, të burrave dhe grave, të rinjve dhe të rejave, me përvojën e atyre që luftuan dhe fituan betejat për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë, me përvojën pozitive të oficerëve të ndershëm të Policisë së Shtetit të liruar sot për t’i hapur rrugë krimit dhe drogës, por që do të rikthehen sipas një plani masash, në detyrë, në javën e parë të republikës së re, për të marrë në dorë luftën e vërtetë kundër krimit dhe drogës; dhe me të gjithë oficerët e ndershëm në Policinë e Shtetit, atyre që sot kokulur u kërkohet të mbyllin një sy sa herë që vjen puna për të zbatuar ligjin dhe për të goditur drogën, pra ne të gjithë bashkë, me mbështetjen e qytetarëve të republikës së re, do të rikthejmë rendin, sigurinë, për çdo qytetar dhe qytetare të Shqipërisë. Do të luftojmë drogën dhe do të hapim rrugën për anëtarësimin e shpejtë të Shqipërisë në BE me të gjitha leverditë ekonomike që ka për ekonominë tonë dhe për punësimin e qytetarëve shqiptarë. Kjo është beteja dhe për t’i ikur kësaj beteje shpikin lloj-lloj gënjeshtrash dhe propagandë bajate.

PD do rikthejë kontrollin e territorit dhe kufijve

Si mundet të kërkosh nga qytetarët shqiptarë që janë në këtë shesh për të mundur krimin dhe për të çliruar zgjedhjet e lira dhe të ndershme, të të besojnë se ti je serioz dhe i vendosur për drejtësinë, kur drejtësinë e ke kthyer në një vegël për t’i shpëtuar kriminelët nga dënimet, për të nxjerrë bandat nga burgu dhe për të vazhduar allishverishet e përditshme e të përnatshme me krimin e organizuar që e ke ditë për ditë në zyrën tënde, mëngjes, drekë e darkë, darkon me krimin, ulesh me krimin dhe gdhihesh me krimin.
Kjo është një farsë. Kjo duhet të marrë fund. Nuk ka drejtësi me një qeveri të inkriminuar, nuk mund të ketë drejtësi pa zgjedhje të lira dhe të ndershme. Do të ketë drejtësi vetëm nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe një qeveri pa konflikt interesi me krimin.
Zgjedhjet e lira dhe drejtësia e vërtetë shkojnë bashkë. Kush thotë se këto funksionojnë veç e veç është gënjeshtar, është mashtrues, është i inkriminuar. Së bashku me oficerët e ndershëm të Policisë së Shtetit me përvojën më të mirë të ndërtuar në vitet e lavdishme të luftës kundër drogës dhe krimit të organizuar, së bashku me mijëra të rinj e të reja, së bashku me një ekip profesional dhe me integritet të lartë qytetar politik dhe moral, unë jam gati t’i jap Shqipërisë dhe shqiptarëve rendin dhe sigurinë e vërtetë, luftën e vërtetë kundër krimit me zero tolerancë, me zero kompromis, siç ia dolëm ta fusim Shqipërinë në NATO, siç ia dolëm të hiqnim vizat për shqiptarët, bashkë do t’ia dalim ta fusim Shqipërinë në BE, duke luftuar drogën, duke luftuar krimin, me një polici të vërtetë që bën luftë të vërtetë dhe mbron qytetarët e thjeshtë, duke goditur pa mëshirë krimin drogën dhe narkotrafikun.
Pjesë e këtij plani kombëtar është dhe krijimi i xhandarmërisë kombëtare shqiptare si një bashkëpunim midis Forcave të Armatosura të republikës së re dhe policisë, organizatës së policisë për të mundësuar që mijëra bijë dhe bija shqiptare me përgatitjen e duhur, me investimet nga taksapaguesit shqiptarë evropianë dhe amerikanë, të marrin pjesë dhe të kenë përgjegjësinë e tyre krah për krah Policisë së Shtetit për të siguruar rendin dhe luftën kundër drogës në çdo pëllëmbë të territorit të republikës së re. Ne do të rikthejmë kontrollin e vërtetë të territorit. Ne do të rikthejmë kontrollin e vërtetë të kufijve. Shqipëria do të jetë përsëri një vend i sigurtë me qytetarë të sigurtë, me sipërmarrje të sigurta, ku fëmijët e shqiptarëve të jenë të sigurtë. Unë ju jap fjalën, ju garantoj se ndryshimi në rend dhe siguri dhe ndryshimi në luftën kundër drogës do të jetë i shpejtë, i sigurtë dhe i pakthyeshëm.
Këtë e duan qytetarët shqiptarë. Këtë kërkoni ju, kësaj i trembet një grusht narkotrafikantësh, të cilët i kanë shpallur luftë mirëqenies tuaj, sigurisë tuaj, vendeve tuaja të punës, i kanë shpallur luftë drejtësisë së vërtetë. I kanë shpallur luftë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Në këtë betejë, nga njëra anë janë legjionet e panumërta të qytetarëve të vendosur për republikën e re dhe nga ana tjetër, përveç politikanëve të korruptuar dhe një grusht interesaxhinjsh, janë edhe klanet e krimit. Klanet e krimit e dinë sa jetike është kjo betejë për ta. Ata e dinë fare mirë se çfarë i pret me republikën e  re. Ata do të bëjnë gjithçka që së bashku me pushtetin e korruptuar të Edi Ramës të na ndalin në rrugën tonë. Por ata janë pakica absolute, ata janë pakica absolute numerike. Ata janë llumi i shoqërisë, ne jemi shumica e re, ne jemi shumica e njerëzve të bashkuar. Ne jemi shumica e vlerave të vërteta evropiane. Ndaj do t’i mundim dhe bashkë do të fitojmë. Republika e re do të fitojë.
Republika e krimit do të mundet. Fitore.

Studentët tek protesta denoncojnë shitjen e drogës në shkolla

Pasdite në sheshin e lirisë ishin psikologë, mësues, studentë, nxënës dhe qytetarë të thjeshtë, të cilët biseduan lidhur me problemet sociale që sjell kanabizimi i Shqipërisë. Kryedemokrati Lulzim Basha dëgjoi përjetimet e studentëve apo nxënësve të shkollave, të cilët deklaruan se përballen me konsumatorë të marijuanës brenda klasave, korridoreve apo tualeteve të ambienteve ku studiojnë. Dorela Guri, psikologe dhe pedagoge, tregoi për mungesën e shpresës, të cilën e has çdo ditë tek studentët e saj. “Është një piramidë e përmbysur e vlerave. Të rrethuar nga një ambient i tillë studentët o duan të ikin nga ky vend, ose të bëhen pjesë e konsumit të substancave për ta kthyer në mënyrë jetese. Kjo ndikon në mënyrë direkte në planin ekonomik, psikologjik dhe social të një familjeje shqiptare”. Desara Kovaçi, studente, denoncoi shitjen e lëndëve narkotike të llojit kanabis brenda ambienteve të shkollave. Urim Halili, i cili përballet çdo ditë me nxënësit e tij në Kamëz tregoi se ky fenomen ka mbërritur edhe në arsimin 9-vjeçar në Shqipëri. “Sidomos në shkollat ku mësimi bëhet me dy turne, shitësit e drogës gjejnë momentin mes ndërrimit të turneve të hyjnë në ambientet e shkollave. Madje një pjesë e nxënësve kanë qenë jo vetëm përdorues, por edhe punëtorë të fushave dhe maleve me hashash. Dhe më e frikshmja është tendenca për ta fshehur këtë fenomen kur faktikisht është më e thjeshtë të merren masa parandaluese se ta godasësh problemin pasi është përhapur”. Bazën e kësaj kulture të përdorimit të narkotikëve, Brunilda, psikologe për të miturit në Gjykatën e Krimeve të Rënda, thotë se fëmijët e marrin në shkollë. Kryedemokrati Lulzim Basha, dha përgjigjen përse qeveria sot hesht lidhur me këtë problem kaq madhor. “Në qoftë se ka sot një faktor mbi çdo faktor tjetër që kërcënon rendin demokratik në vend, ky faktor është droga. Droga është sot aksionerja kryesore e republikës së vjetër. Droga është bashkëpronarja kryesore e republikës së vjetër. Në kuptimin ekonomik sipas të gjitha të dhënave më shumë vlerë krijohet nga droga në Shqipëri se nga çdo prodhim apo aktivitet tjetër ekonomik të shqiptarëve. Po të marrim shifrat e raportuara në mediat botërore, 5 miliardë euro i bie 50% e Prodhimit të Brendshëm Bruto shqiptar, të Prodhimit të Brendshëm Bruto në një vit. Të ardhura vetëm nga droga. Sigurisht, jo për shqiptarët, jo për fermerët, por për një grusht kriminelësh”. Për Lulzim Bashën, çdo problem, duhet identifikuar fillimisht në mënyrë që të zgjidhet, dhe këtu qëndron pikërisht edhe papërgjegjësia e qeverisë, e cila e mohon problemin e drogës në Shqipëri. Hapi i parë për të zbrapsur hallin e madh, për kryetarin demokrat, janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe këto të fundit mund të sigurohen vetëm përmes një qeverie teknike. Basha akuzoi kryeministrin se fatin e vet politik dhe jo vetëm e ka lidhur jo me qytetarët shqiptarë, por me një grusht kriminelësh. Ai thotë se qeveria e drogës duhet rrëzuar dhe se instrumenti i vetëm për këtë janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. “Kjo tendë e lirisë, sot i bën një shërbim të madh të gjithë qytetarëve shqiptarë, duke ngritur këtu të vërtetën në shtizën e flamurit, Shqipëria ka një problem të madh me drogën dhe konsumimin e drogës nga brezi i ri. Kultivimi në masë i drogës është i lidhur me një kryeministër që fatin politik dhe biologjik, nuk e ka lidhur me shqiptarët, por me një grup kriminelësh që kontrollojnë trafikun e drogës”. Zgjidhja është e thjeshtë, republika e drogës duhet të rrëzohet. Qeveria e drogës duhet t’i lërë vendin një Parlamenti dhe një qeverie që fatin e tyre e kanë të lidhur pazgjidhshmërisht me qytetarët e republikës së re. Kauza e kauzave mbeten zgjedhjet e lira dhe të ndershme, instrumenti i vetëm që krijon qeveri llogaridhënëse ndaj qytetarëve. Basha tha se kriminelët do të nxirren nga selia e Kryeministrisë për tek burgu 313. “Një republikë e re po lind dhe zgjidhja është në trupin dhe shpirtin e republikës së re. Nuk është zgjidhja që do të vijë vetëm nga kryeministri i republikës së re dhe zgjidhja është ndarja përfundimtare me problemin shkatërrimtar të drogës. Me vullnet politik dhe mbi të gjitha duke i nxjerrë narkotrafikantët nga sallonet e Kryeministrisë tek 313-ta dhe në çdo burg tjetër”. Kultivimi dhe trafikimi i drogës do të mundet vetëm kur të kemi një qeveri, e cila nuk mbron dhe nuk ekziston për shkak të mbështetjes së krimit. Na duhet një orë e më parë të fitojmë betejën për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe të nisin udhëtimin e një republike të re, e cila nuk do të pranojë kurrë që Shqipëria të bjerë në gjunjët e trafikantëve të drogës. Drogimi i shqiptarëve është bëma e fundit që ky kryeministër do të mbahet mend. Përcjellja e tij me vota është mbyllja për këtë problem dhe një derë e re hapet. Kryedemokrati tha se përveç shifrave prej 5 miliardë euro nga droga, konsumimi i saj po përhapet masivisht tek të rinjtë dhe ky është shqetësimi më i madh sipas tij që nga vendosja e komunizmit.

Artikulli paraprakRama qëllohet me vezë në Shkodër: Ik o plehër kimike
Artikulli tjetërProkuroria: Shefi i policisë lejoi kultivimin e kanabisit