Prokuroria nis hetimet për fikjen e radarëve për drogën

Që të realizohet procesi i “fikjes” së një radari të vetëm bëhet vetëm nëse urdhërohet prej Komandantit të Forcës ose nga personeli i pikës së radarit. Nuk ka asnjë mundësi tjetër që të fiket radari dhe aq më pak kur ka një operacion në det kundër trafikantëve ku të gjithë aktorët, përfaqësuesit e institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare janë në aksion. Ky guxim tejkalon çdo parashikim teknik, operacional, institucional dhe ligjor. Është një veprim që mund të ndodhë vetëm nëse aktorët kanë totalisht “shtetin-piramidën shtetërore” me vete
Prokuroria e Krimeve të Rënda po heton si pjesë të trafikut ndërkombëtar të kanabisit, nga Shqipëria në Itali e Greqi edhe funksionimin e radarëve të hapësirës detare.
Burime të prokurorisë e kanë konfirmuar këtë fakt për lapsi.al. Po hetohet nxjerrja e herëpashershme jashtë funksionit e disa radarëve nga nga viti 2015, kohë kur kultivimi dhe trafiku i kanabisit njohu pikun e tij.
Qindra plantacione u mbollën me drogë, disa pista ajrore u hapën nëpër zona të ndryshme nga narkotrafikantët për të lejuar ulje -ngritjen e avionëve të vegjël, me qindra skafe, gomone e anije peshkimi nisën të transportonin qindra tonelata marijuanë drejt brigjeve italiane.
A u përdorën në të vërtetë radarët në funksion të grupeve të krimit të organizuar të përfshirë në trafikun e drogës?
Anëtarët e bandës së “Habiljave” e pohojnë këtë në biseda të lirshme që kanë me njëri – tjetrin, pa qenë në dijeni se po përgjohen nga antimafia e Katanias, në Itali.
“Ai mori sepse është në sallë. Si i thuhet… Salla është në portin tjetër të qytetit.. Ai më shikon çdo gjë, edhe peshqit arrin të shikojë nga aty. Sepse ai është një mik i një mikut tonë…”
Është Moisi Habilaj që flet për një zyrtar që punon në qendrën e radarëve. Ai i njofton për zonat e lira ku radarët nuk kapin. U tregon se nga duhet ta lëvizin peshkarexhën “Fatima”, që vetëm në një rrugë transportoi 1.5 ton hashash.
Prej vitit 2015 opozita e kishte denoncuar skandalin se radarët e një vendi anëtar të NATO -s nuk funksiononin, se në këtë mënyrë avionët sportivë që transportonin drogë nga Vlora apo Ishmi drejt Italisë, nuk kapeshin, se gomonet me tonelata me hashash nuk diktoheshin.
Në fillim të tetorit në media u publikua një letër e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako, drejtuar ministrit të Brendshëm dhe Ministrisë së Mbrojtjes.
Çako ankohej se mosfunksionimi i radarëve po e bënte të pamundur kapjen e gomoneve me drogë.
Por a u lanë radarët jashtë funksionit qëllimisht, që të mos kapeshin trafikantët si Habilajt?
Ish -drejtori i Shërbimit Informativ të Ushtrisë, një ndër shërbimet inteligjente avangardë në çështjet e sigurisë kombëtare, Ylli Zyla, thotë se krerët e Ministrisë së Brendshme dhe të Forcave të Armatosura janë të përfshirë në aferën e trafikut.
“Unë e kam shprehur edhe në media që në Ministrinë e Mbrojtjes, as më shumë dhe as më pak, nëpërmjet veprimeve dhe mosveprimeve të qëllimshme ka funksionuar një grup i strukturuar kriminal drejtuar nga vetë ish-ministrja Kodheli, ish-sekretari i Përgjithshëm Kraja, ish-shefi i shtabit Jeronim Bazo dhe disa gjeneralë dhe drejtorë të cilët janë totalisht të brendësi të këtij “trafiku droge dhe armatimi të organizuar shtetëror”. Në këtë megaaferë korruptive nuk janë përvetësuar vetëm paratë e shqiptarëve por është dëmtuar rendë siguria publike dhe ajo kombëtare, siguria NATO-s, dëmtimi i rëndë i imazhit të Shqipërisë i cili do jetë një pengesë serioze në integrimin në BE.
LSI po përgatitet për një komision parlamentar për këtë çështje. Luan Rama ka denoncuar disa herë se radarët nuk funksionojnë. Sipas tij, në dëm të sigurisë kombëtare është edhe fakti se një kompani private mbikqyr me kamera qendrat e radarëve.
Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Brendshme kanë nisur të lëvizin. Në krye të tyre nuk janë më Tahiri e Kodheli.
Olta Xhaçka paralajmëroi një inspektim të gjerë në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme.
“Së bashku me Ministrin e Brendshëm, kolegun Fatmir Xhafa kemi ngritur një grup të përbashkët inspektimi për të inspektuar në detaje situatën aktuale me vëzhgimin e hapësirës detare. Do të nxjerrim konkluzionet e nevojshme dhe përgjegjësitë e rastit”.
Ajo çfarë dihet deri tani është fakti se qindra rrugë me mjete lundruese të paligjshme e të ligjshme kanë lëvizur lirshëm në det, duke dërguar në Itali tonelata kanabis. S sasitë më të mëdha të kapura janë gjurmuar nga Guardia Di Finanza dhe policia shqiptare nuk ka pasur dijeni.
Radarët nuk kanë sinjalizuar pjesën më të madhe të trafikut në det. Dhe ky është një tjetër telash për ish -ministrin e Brendshëm. Hetimet për radarët janë pjesë e dosjes së tij.

Artikulli paraprakKur ligji troket në derë në mes të natës, Zagani përballë Tahirit
Artikulli tjetërAlbumi i Atjon Zhitit vlerësohet në Europë…