Albumi i Atjon Zhitit vlerësohet në Europë…

Albumi me vizatime e piktura i Atjon Zhiti po vlerësohet në Europë. Ai pak kohë ka që është botuar dhe është shpërndarë në libraritë kryesore të Tiranës e ato të aeroportit, po ka tërhequr vëmendjen dhe është vlerësuar në metropole të Europës, në Itali e Francë, Austri… deri dhe nga ajo japoneze…
Këto ditë u hap në Muzeun e Louvrit në Paris Ekspozita Ndërkombëtare e Arteve Kontemporane.
Fondacioni Ndërkombëtar Artistik “Artcom Expo International”, që promovon dhe mbështet artistë nga vende të ndryshme të botës, kishte ftuar për të katërtin vit rradhazi piktorin tashmë të njohur shqiptar me banim në Itali, Gjergj Kola, me të cilin fondacioni bashkëpunon prej kohësh. Tabloja sugjestionuese e tij, “The Kiss”, mori vlerësime të shumta dhe u nderua me Medaljen e Krijimtarisë.
Në këtë edicion piktori Gjergj Kola paraqiti dhe një piktor të ri, bashkatdhetarin Atjon Zhiti. Krijimtaria e tij e përmbledhur në albumin “OPERA ATJON”, përgatitur mjeshtërisht nga piktori dhe kritiku i artit Gëzim Tafa, shpalos një krijimtari të çiltër artistike, plot fantazi, ngjyra e nuanca të fresketa, të sistemuara me estetikë dhe nivel të lartë profesional, u shpreh mjeshtri Gjergj Kola. Albumi përmbledh një ëndërr, sa fëminore, po aq dhe universale, një realitet dëshirash, skica, vizatime e dritë, të shoqëruara me dy ese, kritika artistike nga dy profesionistë si dhe punime kushtuar Atjonit nga piktorë të njohur, që nga postkubisti Ibrahim Kodra e deri te impresionisti Gjergj Kola, i cili me elegancë ka arritur të kapë buzëqeshjen ëngjëllore të Atjonit.
6 piktura të Gjergj Kolës për Atjonin u vunë dhe në ekspozitën vetiake në Galerine “Espace” në Paris.
Bordi drejtues i këtij fondacioni, presidenti Hans Salbu dhe Baronesha Jiselda Salbu, i dhanë “Medaljen e KUJTIMIT” artistit të ri Atjon Zhiti, në shenjë nderimi dhe adhurimi për nivelin e shkëlqyer artistik, të paraqitura me cilësi në këtë album, bagazh estetik i formuar nga një përvojë e veçantë, që shijohen dhe pranë veprave dhe kryeveprave në Galeritë dhe muzeumet e famshme të Europës.
Gjatë kësaj kohe, piktori mbresëlënës Gjergj Kola ishte i ftuar edhe nga “Hypatija Festival” në Napoli në Itali, ku ai bashkëbisedoi virtualisht me imazh që nga Louvri me presidenten e këtij Festivali kulturor-shkencor, të mbështetur nga UNESCO. Piktorit tonë iu kërkua të flasë për tematikën dhe mesazhin e tablos së tij “The Kiss” e të punës së tij në përgjithësi si dhe të prezantojë Albumin “Opera Atjon”, ku të pranishmëve në ekranin e madh u shfaqeshin fragmente dhe detaje nga vepra rinore e Atjon Zhitit.
Të dy këta emra, Gjergj Kola dhe Atjon Zhiti, janë të lidhur me Italinë, por dhe me Francën dhe Europën, duke sjellë nga Atdheu i tyre vlera dhe vegime të një Shqipërie Europiane.

Nga “Lajmëtari i së Mirës”

Artikulli paraprakProkuroria nis hetimet për fikjen e radarëve për drogën
Artikulli tjetërPPE dënon mbrojtjen politike të Ramës për Tahirin