Prokuroria, hetim Gjushit për betonizimin buzë detit

Prokuroria ka nisur hetimet për betonizimin buzë detit në plazhin tek Ura e Dajlanit në Durrës. Bëhet e ditur se, në këtë zonë po ndërtohet buzë detit, duke hedhur sasi të mëdha betoni. Siç shihet edhe nga fotografia që po publikojmë, punëtorët punojnë duke hedhur beton të pashqetësuar.
Pikërisht në momentet kur kriza politike në vend është në kulmin e saj, betoni nuk ndalet, madje as brenda në det. Në plazhin e Durrësit po ndodh ajo që nuk mund të imagjinohet. Ambientalisti dhe inxhinieri Sazan Guri ka marrë guximin të denoncojë këtë shkelje të rëndë të bërë nga kryebashkiaku Vangjush Dako.
Guri argumenton se një ndërtim pa leje mjedisore dhe pa projekt po hedh beton në buzë të detit në plazhin e Durrësit, gjë e cila sipas tij, është në kundërshtim të plotë me të gjitha ligjet. Nëpërmjet një statusi në profilin e tij në Facebook, Guri shkruan: “Ore qytetarë, ore prokurorë, ore biznesmenë, ore pushtetarë, ku po ju çon mushka? Keni parë e dëgjuar të betonizosh ujin e detit, rërën e plazhit, pa leje ndërtimi, pa leje mjedisi, pa pyetur qytetarët, jo për qëllim publik, jashtë planit të territorit? Shihni dhe flisni vetë. Na thoni çfarë të mbrosh më parë në këtë vend, ku çdo ditë pillet një mostër më e tmerrshme se një ditë më parë!”.
Për këtë rast, Prokuroria e Durrësit ka filluar një hetim kryesisht për akuzën e ndërtimit të paligjshëm, pasi nga asnjë institucion nuk është bërë ndonjë referim pranë organit të hetimit. Sipas hetimeve të deritanishme, ky ndërtim po kryhet nga një biznes privat në këtë vijë bregdetare.
Burime nga Prokuroria e Durrësit thonë se, ndërtimi po kryhet nga një hotel i njohur në këtë zonë. Të njëjtat burime thonë se, Prokuroria ka kërkuar ndalimin e dy personave inxhinierë të firmës që po kryejnë punimet, për t’i marrë në pyetje.
Por shoqërimi i tyre nuk është bërë ende. Prokuroria thotë se do të nisë hetime edhe ndaj Bashkisë së Durrësit pse po ndërtohet buzë detit. Gjithashtu, informacion do të kërkohet nga Agjencia Kombëtare e Turizmit për të parë se kush institucion është përgjegjës për ndërtimin në këtë zonë.
Jo vetëm specialistët, po edhe banorët janë shprehur të sheqtësuar se plazhi i Durrësit pranë Urës së Dajlanit jo vetëm që po betonizohet nga Dako, por është mbushur me inerte. Punimet kanë nisur prej disa kohësh, ndërsa institucionet përkatëse nuk ndërhyjnë për të ndaluar këtë masakër që po kryehet në plazh në prag të sezonit turistik.
Rasti i ndërtimit të “Velierës” në Durrës, ku gjatë gërmimeve u ndeshën nën rrënoja të qytetërimit të vjetër, nxori edhe një herë në pah problemet me të cilat ndeshet trashëgimia kulturore në vend. Dako me urdhër të Ramës po betonizon edhe trashëgiminë kulturore vetëm për të mbushur xhepat e tyre.
Pasja e një vizioni dritëshkurtër si Gjushi që mendon vetëm për përfitime të shpejta, nuk ka asnjë të krahasuar dhe nuk ka asnjë interes për turistët në raport me vlerat arkeologjike dhe historike të këtij qyteti. Paradoksalisht, sot Durrësi është qyteti më pak i kërkuar dhe i frekuentuar nga turistët e kulturës.
Specialistët shprehen se, 6 milionë euro që po harxhohen për një projekt në Durrës, do të ishte më mirë që të shpenzoheshin për të prishur çdo ndërtim apo pallat në zonën A (të paktën) dhe të kompensoheshin ato familje që kanë marrë apartamente sesa të mbulohej me beton edhe një herë tjetër ajo zonë.

R.POLISI

Artikulli paraprakI vë 100 mijë lekë mbifaturim Faturisti: Kam urdhër nga lart
Artikulli tjetërKompetencat e Presidentit