I vë 100 mijë lekë mbifaturim Faturisti: Kam urdhër nga lart

Precedenti

Përditë qytetarët e Tiranës denoncojnë vjedhjet me faturat e energjisë elektrike nga OSHEE. Para një jave, një qytetare nga kryeqyteti publikoi edhe një fotografi në rrjetet sociale ku dukej qartë vjedhja që i është bërë nga OSHEE me mbifaturimet e energjisë elektrike. Ajo shprehej se, në shtëpi nuk banon askush prej disa muajsh, ndërsa faturat vijnë të kripura

OSHEE vazhdon të rrjepë qytetarët me mbifaturimet e energjisë elektrike. Një invalid nga Tirana denoncoi dje skandalin e radhës të OSHEE, ku vetëm në tre muaj i janë vendosur mbifaturime mbi 100 mijë lekë. Dashamir Ndoja, invalid i grupit të dytë, thotë se faturat e energjisë elektrike i vijnë nga 80 mijë deri 90 mijë lekë në muaj, ndonëse ai harxhon më pak se 30 mijë lekë në muaj. Ndoja banon në Njësinë Nr.9 te rruga “Mine Peza” pranë ish-Kafe “Flora” në një shtëpi private. Prej disa vitesh, ai bashkë me djalin ka jetuar në emigracion në Gjermani, ndërsa në shtëpi ishte vetëm bashkëshortja e tij me vajzën. Ai thotë se në korrik të vitit 2015, OSHEE i ka vënë 500 mijë lekë aforfe energji elektrike.
“Unë kam qenë jashtë shtetit, ndërsa në shtëpi ka qenë vetëm gruaja me gocën. Ato harxhonin energji elektrike vetëm nga 25 mijë lekë në muaj, por faturat vinin me 50 mijë lekë. Në korrik të vitit 2015, OSHEE i ka vënë 500 mijë lekë aforfe energji elektrike. Faturisti i OSHEE nuk vinte fare të shikonte sahatin, por i vendoste faturat sipas qejfit të tij. Edhe tani vazhdon të mos vijë të shohë sahatin, por i vendos faturat aforfe. Dhe një herë që erdhi kontrollori, i cili quhet Indrit më tha se: “Më thonë ata nga lart që vendosi faturat me çmime të larta”. Kemi shkuar qindra herë nëpër zyra, por askush nuk na e zgjidh problemnin, ndërsa faturat vijnë prapë shumë të larta”, shprehet i revoltuar Dashamir Ndoja.
Ndërsa bashkëshortja e tij thotë se edhe një herë që erdhi kontrollori ishte i pirë dhe na vendosi në faturë 300 kilovat më tepër. Sahati regjistronte 1530 kilovat, ai shkruajti në faturë 1830 kilovat, 300 kilovat më tepër. Shkova bëra ankimimin te zyrat e OSHEE, por ata më thanë do t’i paguash. Shkova prapë dhe u ankova dhe ata erdhën e panë sahatin dhe doli i rregullt. Prapë më thanë, “do t’i paguash se s’bën”. Si t’i paguaj, kur unë nuk kam harxhuar energji elektrike? Tre muaj nuk erdhi fare të shikojë sahatin, i vendos faturat aforfe nga 50 mijë lekë. Ne jemi tre veta në familje dhe nuk harxhojmë shumë energji. Tre muaj sorollatje nëpër zyra dhe asnjë zgjidhje”, thotë bashkëshortja e Dashamir Ndojës.
Përditë qytetarët e Tiranës denoncojnë vjedhjet me faturat e energjisë elektrike nga OSHEE. Para një jave, një qytetare nga kryeqyteti publikoi edhe një fotografi në rrjetet sociale ku dukej qartë vjedhja që i është bërë nga OSHEE me mbifaturimet e energjisë elektrike. Ajo shprehej se, në shtëpi nuk banon askush prej disa muajsh, ndërsa faturat vijnë të kripura. “Iku CEZ-i po zakoni mbeti. Shikoni si mbifaturon OSHEE-ja. Dhe e bën sistematikisht çdo muaj. Të mendosh që tek kjo familje s’banon askush, ka muaj. Por fatura vazhdon dhe vjen me lexime të fantazuara të sahatit. Sahati thotë 8316 sot, ndërsa në faturë shkruan 8733 (që të mendosh, faturisti e ka parë 2 javë më parë…). Kështu, kur i dëgjon në TV që flasin për reforma e tërci-vërci, thua t’i kanë bërë namin. Po realiteti është që janë po ata, vetëm emrin kanë ndryshuar. Dritat ikin e vijnë njëlloj, mbifaturimet vazhdojnë njëlloj, se çfarë kanë rregulluar këto reforma, një zot e di”, shkruante qytetarja.
Një banor në Kombinat u shpreh se ka tre muaj që i vijnë faturat nga 180 mijë lekë në muaj, ndonëse nuk harxhon energji më shumë se 48 mijë lekë të vjetra në muaj. Ai tregon edhe librezën e dritave, ku në muajin janar, fatura i ka ardhur 48 mijë 990 lekë, ndërsa në muajin shkurt 183 mijë e 400 lekë të vjetra. Kryefamiljari thotë se është ankuar në zyrat e OSHEE disa herë, por askush nuk i ka dhënë zgjidhje problemit, ndonëse i kanë thënë se ka të drejtë.
Vjedha e qytetarëve me energjinë elektrike nga OSHEE nuk bëhet vetëm në Tiranë, por në të gjithë vendin. Qindra banorë të Elbasanit ankohen për faturat e energjisë elektrike. Faturat e energjisë elektrike për disa banorë janë shumë të frikshme dhe ky fakt i ka revoltuar ata. Eshtë shumë i lartë numri i atyre që kanë ngritur ankesat pranë zyrave të OSHEE, por askush nuk përgjigjet për dyfishimin e vlerës së faturuar. Mbifaturimi i energjisë elektrike në dëm të qytetarëve vijon të jetë një problem shqetësues edhe në qytetin e Shkodrës.

R.POLISI

Artikulli paraprakBashkia Kamëz: Rama rikthehet aty ku mashtroi për 20 mijë legalizime
Artikulli tjetërProkuroria, hetim Gjushit për betonizimin buzë detit