Pesë faktorët e destabilizimit të vendeve të pasura

Jo vetëm vendet e varfëra, por edhe vendet e pasura rrezikojnë që të shpërbëhen, siç u ka ndodhur shumë perandorive në të kaluarën. Janë 5 faktorët e destabilizimit – rënia demografike, tregtia globale, rritja e borxhit publik, rënia e etikës së punës dhe e patriotizmit – dhe fatkeqësisht Amerika i regjistron të gjithë.
“It’s morning in America”: kështu lexonte slogani dehës që shoqëroi fushatën për rizgjedhjen e Presidentit Ronald Reagan më 1984. Posterat publicitarë paraqisnin të ftuarit e një martese të gatshëm për të hedhur oriz mbi një çift të sapomartuarish të qeshur, një fatorino i ri që shfletonte një gazetë të sapodalë nga shtypi në një verandë dhe një fshatar që punonte fushën e tij nën një diell plot shkëlqim. Katër vite më parë, Reagan ishte ulur në Shtëpinë e Bardhë me inflacionin që vërtitej në dy shifra, çmimet e naftës të ngritura në qiell dhe një përqindje papunësie të frikshme afër 11 për qindëshit. Më 1984 Reagan shpartalloi rivalin e tij Walter Mondale (duke fituar 49 nga 50 shtete), pasi slogani “It’s morning in America” tingëllonte i vërtetë. Amerikanët e papunë gjenin punë, çmimet e naftës uleshin dhe vendi dukej më optimist.
Fundi i perandorive të mëdha: një fat i shënuar? Edhe Presidenti Barack Obama ka trashëguar një ekonomi në gjendje të keqe. Dhe sot, kur flet në mikrofon, mund të mburret për një përqindje papunësie të zbritur në 4.9% dhe një treg burse me shifra rekord. Problem është se pak amerikanë u besojnë lajmeve të mira. 73% e popullsisë amerikane – një përqindje prej vendi të parë – mendon se vendi është “në rrugën e gabuar”. Dhe pothuajse shumica e millennials deklaron se “ëndrra amerikane ka mbaruar”. Më shumë se një “morning in America”, duket se është një “mourning in America”, një moment zie.
Presidenti u është paraqitur votuesve si një “paqëtues” dhe ka shpalosur të kaluarën e tij si “organizator komuniteti”, por ndjesia është se Shtetet e Bashkuara sot janë më të përçarë. Praktikisht, tregues elementarë si përqindja e papunësisë dhe ecuria e bursës nuk mbajnë parasysh gjendjen reale shëndetësore të vendit, i nënkuptuar si trup politik. Në librin e tim të fundit, “The price of prospe¬rity”, theksoj se kombet janë të ekspozuara ndaj rrezikut të shpërbërjes sa pas një faze begatie, aq edhe pas një faze depresioni dhe nxjerr në pah 5 faktorë destabilizimi të vendeve të pasura.
Shumë është shkruar lidhur me vendet e varfëra që shpërbëhen. Merrni një glob, rrotullojeni dhe ndalojeni në Sudanin e Jugut, në Irak dhe në Siri. Megjithatë, edhe vendet e pasura mund të shpërbëhen. Kush prej jush nuk ka njohur ndonjëherë një habsburgas apo një otoman? E megjithatë, në shekullin XIX, Perandoria Otomane dhe ajo habsburgase kontrollonin pjesë të mëdha të botës moderne, nga kështjellat e Pragës në ato të Drakulës në Transilvani, nga porti egjiptian në të cilin Aleksandri i Madh themeloi bibliotekën e tij tek kopshtet e varura e Babilonisë. Këto perandori, si Sparta, Roma apo Venecia e lashtë, nuk ranë për shkak të varfërisë apo të një depresioni të rëndë, por pas periudhash begatie. Shtetet e Bashkuara do të ndjekin fatin e perandorive të zhdukura? Frika është pikërisht kjo. Pyetja për t’ju bërë Presidentit Obama nuk është “A keni ndihmuar ekonominë?”, por “A keni bërë ndonjë gjë për të luftuar faktorët e destabilizimit e vendeve të pasura?”. Kam frikë se populli amerikan i ka të gjitha arsyet për t’u ndjerë i preokupuar, pasi përgjigjja është “jo”.

Pesë faktorët e destabilizimit të vendeve të pasura. Cilët janë pesë faktorët e destabilizimit që godasin vendet e varfëra dhe që Presidenti Obama nuk ka kërkuar t’i luftojë?
Rënia e përqindjeve të lindshmërisë. Kur një vend bëhet më i pasur, popullsia e saj bën më pak fëmijë. Sot në Shtetet e Bashkuara ka më shumë fusha golfi sesa restorante McDonald’s dhe jo pse amerikanët preferojnë fushat e blerta të mirëmbajtura ndaj hamburgerit: fakti është që 40 milionë baby boomers kërkojnë një vend ku mund të ecin dhe të ushtrohen fizikisht. Amerikani i mesëm nxjerr në këtë botë 1.89 fëmijë: një numër më i ulët se përqindja e zëvendësimit e nevojshme për të mbajtur të qëndrueshme popullsinë, e barabartë me 2.1 (e dhëna mban parasysh sëmundje, vdekshmëri fëminore, luftëra, etj.). Vende të tjera kanë regjistruar tashmë variacione akoma më të forta. Në Japoni shiten më shumë panolino për të moshuar sesa panolino për të sapolindurit. Gjermanët flasin për schrumpfende Stadt, një “shtrëngim” të Gjermanisë. Në Itali, në vitin 2014 të vdekurit kanë qenë 17 për qind më shumë sesa të lindurit dhe numri i të sapolindurve ka zbritur në nivelin më të ulët nga koha e Garibaldit.
Por nuk bëhet fjalë për një fenomen vetëm bashkëkohor, që i përket viteve gjashtëdhjetë. Nga të dhënat historike rezulton se tendenca rënëse e lindjeve manifestohet në pothuajse të gjitha shoqëritë e karakterizuara nga një klasë e mesme në ekspansion. Për shembull, i njëjti fenomen u verifikua në Spartën dhe në Athinën e lashtë. Në shekullin I A.D., gjeografi Strabon tregonte se duke vizituar Akropolin kishte vërejtur më shumë statuja sesa njerëz. Raporti statuja/njerëz është një tregues interesant për t’u mbajtur në mendje. Në erën e narcizizmit online, mund të shikojmë raportin avatar/njerëz: avatarët po fitojnë?
Nga kërkimi im nxirret maksima kryesore: Në epokën moderne (pasindustrializim), nëse një vend regjistron një përqindje mesatare të rritjes vjetore të PBB-së më të lartë se 2,5% për dy çerekshekuj radhazi (dy gjenerata), koeficenti i lindshmërisë zbret në një nivel paksa më të lartë se koeficenti i zëvendësimit, domethënë 2.5 fëmijë për grua. Në qoftë se PBB-ja vazhdon të rritet për të tretën gjeneratë radhazi, atëherë koeficenti i lindshmërisë do të zbresë nën 2.1 dhe popullsia do të ketë nevojë për emigracionin që të mbesë e qëndrueshme.
Pse është kaq i rëndësishëm fakti që klasa e mesme nxjerr në jetë më pak fëmijë? Për të ruajtur një nivel jetese të lartë, qytetarët duhet të përdorin shërbimet e punëtorëve të rinj – qofshin ata infermierë apo edhe hidraulikë të thjeshtë. Nga këtu nevoja për emigrantë. Gjithsesi, këta të fundit mund ta destabilizojnë kulturën dominuese. Për vendet në fjalë projektohen kështu dy skenarë: një rënie të pasurisë relative apo një prishje të indit kulturor. Domethënë: begatia e barabartë me më pak fëmijë, e barabartë me më shumë emigrantë, e barabartë me fërkime të reja. Natyrisht, nuk mund të pritej që Obama t’i nxiste amerikanët të bënin më shumë fëmijë. Megjithatë, gjatë administratës së tij, të rinjtë kanë pasur më shumë vështirësi për t’u larguar nga shtëpia e prindërve për t’u martuar apo për të nisur një përvojë pune.
Tregtia globale. Vendet nuk mund të rriten dhe ta ruajnë pasurinë e tyre pa shkëmbime tregtare me botën e jashtme. Vendet që mbyllen në një flluskë të izoluar kalben, ashtu si një bimë në një terren të ujitur keq. Apo si një burg erëqelbur: një imazh që përshkruan shumë mirë Korenë e Veriut. Jugoreanët, që tek tregtia besojnë, janë 17 herë më të pasur, jetojnë 10 vjet më shumë dhe rezultojnë më të gjatë me disa centimetra se fqinjët e tyre. Koreja e Jugut prodhon ekrane ultra të sheshtë Samsung dhe këngëtarë shumë të mirë K-pop. Koreja e Veriut prodhon kërcënime sulmesh bërthamore.
Por tregtia ka edhe një anë negative. Tregu i lirë nuk është një treg pa dhembje dhe duhet të pranojmë se kur një vend i hap tregjet e tij, është dikush që e pëson. Tashmë është e vështirë të gjesh një palë këpucë të prodhuara në Shtetet e Bashkuara. Më 2015 Presidenti Obama ka vizituar selinë qendrore të Nike, në shtetin Oregon, për të shpjeguar se një marrëveshje e re tregtare ndërkombëtare do të ishte një avantazh për amerikanët.
Sikur Obama t’i kishte hedhur sytë tek ora e tij për të rregulluar kohën e diskutimit, ka mundësi nuk do të kish lexuar shprehjen “Made in USA”. Shtetet e Bashkuara nuk e kanë më një industri të lulëzuar orësh, duke ia ceduar vendin fillimisht zviceranëve, më pas japonezëve, më pas akoma kinezëve dhe së fundi sërish zviceranëve. Sa më larg të ecësh, tregtia me jashtë i përmbys zakonet dhe karakteret e një vendi.
Një lider fitimtar duhet të luftojë në favor të hapjes së tregjeve dhe të mundësive më të mëdha të eksportit, por në mënyrë të tillë që të mos dëmtojë mbështetjen e opinionit publik. Politikat tregtare të Obamës kanë qenë konfuze: as nuk ka krijuar një bazë të gjerë konsensusi për intensifikimin e shkëmbimeve tregtare, as nuk ka qenë mbështetës i madh për kë ka humbur vendin e punës. Le të japim ndonjë shembull. Kur erdhi në pushtet, më 2009, në skrivaninë e tij ndodheshin 3 marrëveshje të tregtisë së lirë tashmë të negociuara – me Kolumbinë, Panamanë dhe Korenë e Jugut – në pritje të firmës së tij. Por pritja është zgjatur: në fund Obama i ka nënshkruar këto marrëveshje pothuajse 3 vite pas hyrjes së tij në Shtëpinë e Bardhë. Por e ka bërë në heshtje, privatisht, larg nga telekamerat, duke shmangur çdo njoftim publik. Në bazë të parashikimeve të ekonomistëve të tij, marrëveshjet në fjalë do të kishin krijuar apo shpëtuar 70000 vende pune, por Obama u soll sikur të kishte turp prej tyre. Disa muaj më pas ka nisur të flasë për Partneritetin Trans Paqësor (TPP), marrëveshjen tregtare midis Shteteve të Bashkuara, Kanadasë dhe 10 vendeve të zonës së Paqësorit (përjashto Kinën). Obama i mbrojti arsyet e marrëveshjes, por pa bërë shumë pak idhtarë, deri në brendësi të kabinetit të tij. Në cilësinë e sekretares së Shtetit, Hillary Clinton e kish quajtur TPP-në “gold standard” e marrëveshjeve tregtare; si kandidate presidenciale, e dënon.
Rritja e borxhit. Midis turistëve që kalojnë me nxitim përpara National Debt Clock, afër Times Square në New York – me shifra në monitor në azhurnim të vazhdueshëm dhe tashmë mbi kuotën e 19000 miliardë dollarëve – shumë pyesin: si ka mundësi një vend i pasur si Shtetet e Bashkuara të kenë kaq shumë borxhe mbi shpatulla? Përgjigjja qëndron në atë që unë e quaj “paradoksi i vjedhjes”. Zakonisht, kur një familje pasurohet, ajo ka probabilitete më të vogla që të bjerë në një gjendje debitimi të rëndë apo falimentimi. Një familje e ndodhur në 5% e sipërm të shkallës së të ardhurave akumulon në përgjithësi gjysmën e borxheve të marra nga familja – tip e 95% tjetër (duke marrë në konsideratë raportin borxhe/të ardhura). Atëherë, ku qëndron “paradoksi i vjedhjes”? Në faktin që për financat e vendeve të veçanta shpesh është e vërtetë e kundërta: vendet më të pasura, në proporcion, mund të akumulojnë më shumë borxhe se ato më të varfëra. Teksa ashpërsohej Recesioni i Madh i 2010, vende në rrugën e zhvillimit si Meksika dhe Rusia paraqisnin nivele debitimi më të ulëta sesa Shtetet e Bashkuara, Japonia dhe ekonomitë e eurozonës. Nëse Shtetet e Bashkuara kishin akumuluar një borxh të barabartë me 75% të PBB-së, Rusia ishte e ekspozuar vetëm me 10%. Dhe të mos harrojmë si financat publike mund të ushqejnë armiqësitë ndërkombëtare. Pse në shkurt të 2014 Vladimir Putini ka mundur të tregojë njëherazi muskujt në Krime, duke shpërfillur dënimet e Kombeve të Bashkuara dhe të nxisë separatistët e dhunshëm rusë në Ukrainë dhe rendimentet e titujve shtetërorë ruse janë rritur me pothuajse 0.55% në muajt në vazhdim, nga 4.65% në 5.2%? Sepse Rusia – vend shumë më pak i kamur se Shtetet e Bashkuara – nuk kishte një borxh të jashtëm të madh sa ai i Uashingtonit dhe i aleatëve të “pasur” të tij.
Tani, nuk them se është më mirë të jetohet në një vend të varfër sesa në një vend të pasur apo se qeveritë e varfëra janë më dinake apo më të ndershme. Nuk janë dhe shumë prej tyre përfundojnë duke ngecur në kriza debitore. Megjithatë, duhet t’i bëjmë llogaritë me paradoksin e vjedhjes dhe të pyesim: Pse vendet më të pasura tentojnë të akumulojnë më shumë borxhe? Pse ndjekin këtë logjikë? Tri janë arsyet më të dukshme.
E para, sepse vendet e pasura mund të hyjnë më shumë në borxhe. Bankat dhe blerësit e obligacioneve janë më të gatshëm që t’ua huajnë atyre paratë e tyre, duke qenë se bëhet fjalë për debitorë që përgjithësisht i përmbushin detyrimet e marra. Një vend i pasur disponon edhe asete reale për t’i lënë si garanci: trena, avionë, të ardhura nga kalimet e rrugëve, hekurudha, etj. Vende më të dobëta, si për shembull Mongolia, nuk emetojnë shumë borxh në valutë kombëtare (tugrikun), pasi pak huadhënës do ta pranonin si kolateral; në fakt, Mongolia premton që t’i ripaguajë borxhet e saj në dollarë amerikanë.
E dyta, siç është zbuluar tashmë, vendet e pasura tentojnë që të akumulojnë më shumë borxhe nëpërmjet rënies së koeficentëve të tyre të lindshmërisë. Kanë më pak fëmijë dhe më shumë të moshuar që jetojnë më gjatë. Dhe me një raport pensionistë/punëtorë në rritje, duhet të pranojnë një numër të madh mallrash, megjithëse duke mos i prodhuar materialisht. Në një rast ekstrem si ai i Japonisë, raporti deficit-PBB ka kërcyer nga rreth 50% i 1980 në 245% e sotëm. Nëse koeficenti i lindshmërisë zbret nën atë të zëvendësimit, ripagimi i borxhit të akumuluar bëhet pothuajse i pamundur.
E treta, kur një vend bëhet më i pasur, “pakti” midis gjeneratave tenton që prishet. Kush është që paguan shpenzimet e paradoksit të vjedhjes? Të rinjtë. Le të shikojmë rastin e dy amerikanëve: një baby boomer që mbush 65 vjeç më 2016 dhe një i sapolindur i sjellë në shtëpi direkt nga materniteti. I pari do të marrë 327000 dollarë më shumë, në formën e performancës së Social Security dhe mbulimit Medicare përjetë, respektivisht sa paguhet në taksa federale. I dyti, do të duhet të ketë kurajë: do të paguajë në taksa federale 421000 dollarë më shumë karshi maksimumit që do të mund të marrë në formën e performancës sociale. Midis 2009 – kur Presidenti Obama u ul në Shtëpinë e Bardhë – dhe 2015, qeveria federale ka kontraktuar borxhe prej 7500 miliardë dollarë. Paraardhësit e tij kishin akumuluar komplesivisht një minus prej 10600 miliardë. Askush nuk e ka idenë sesi do t’ia bëjmë që t’i kthejmë.
Rënia e etikës së punës. Kur një vend i pasur nis të shpërbëhet, njerëzit nuk vuajnë urinë. Thjesht pushon së ngrituri herët në mëngjes për të përgatitur mëngjesin. Të gjithë banorët e tij kanë një shtrat komod ku të flejnë, por mungojnë ata që kanë një motiv të vlefshëm për t’u ngritur. Nëse besimi pakësohet dhe borxhi rritet, etika e punës e pëson. Departamenti amerikan i Punës zbulon çdo muaj koeficentin e pjesëmarrjes në tregun e punës, domethënë përqindjen e të rriturve që duan të punojnë. Në 17 vitet e fundit, ky koeficent ka rënë me rreth 63%; për momentin, është më i ulët se niveli i fundviteve shtatëdhjetë. Në shtetin West Virginia sot punon më pak se 1 i rritur nga 2: pak a shumë, e njëjta përqindje e 40 viteve më parë.
Probabiliteti që një i ri amerikan midis 18 dhe 24 vjeçëve të transferohet në një shtet tjetër ka rënë me 40% krahasuar me vitet tetëdhjetë. Ky mentalitet sedentar prek jo vetëm amerikanët e diplomuar, por edhe ata që nuk e kanë një diplomë arsimi të lartë. Është një tjetër paradoks i kohës tonë: vendasit gjenden të rrethuar nga të huaj, por janë më pak të prirur të eksplorojnë vetë vendin e tyre dhe pjesën tjetër të botës. Me fjalë të tjera, po bëhen ngordhalaqë. Përqindja e të rinjve që jetojnë në shtëpi me prindërit është pothuajse dyfishuar midis 1980 dhe 2008, përpara Recesionit të Madh. Është kjo lëvizja e vërtetë Occupy për të cilën do të duhet të preokupohemi seriozisht.
Gjenerata Y po transformohet në një Gjeneratë A si apatikë? Nga 1980 deri më sot përqindja e adoleshentëve që bëjnë punë verore apo part-time pas shkollës ka rënë ndjeshëm. Më 1994, 2/3 e adoleshentëve punonin gjatë verës. Qysh më 2007, e bënte më pak se gjysma. Ky ndryshim drastik nuk është i kufizuar në një grup adoleshentësh në veçanti (të bardhë, të pasur, zezakë, të rritur, dropout apo studentë universitarë). Të gjithë janë tërhequr.
Rënia e etikës së punës është ngjitëse. Kush nuk punon, nuk paguan taksat mbi të ardhurat dhe kush i pranuan fillon e akumulon mëri. Fragmentimi social i bën individët që të sillen në mënyrë të pandershme dhe të synojnë pasuri të lehta apo rrugëdalje komode. Një investigim i bujshëm gazetaresk ka zbuluar sesi praktikisht të gjithë punonjësit me kohë të papërcaktuar të Long Island Railroad kishin kërkuar dhe siguruar pensionin e invaliditetit në momentin e pensionimit. Prokurori zonal i Manhattan ka shpjeguar se, “në shumë raste punonjësit, pasi kishin deklaruar se qenë lodhur aq shumë sa nuk mund të rrinin në këmbë apo për të ngjitur shkallët, me të dalë në pension i janë kushtuar aktivisht golfit, tenisit, çiklizmit dhe aerobisë”.
Rënia e patriotizmit. Për t’u mbijetuar fshikullimave të një ekonomie në ndryshim të shpejtë, një vend duhet t’u transmetojë fëmijëve të tij dhe emigrantëve ndjenjën e identitetit kombëtar të tij dhe ritet e traditat që mund ta mbajnë të bashkuar. Shoqëritë që nuk e bëjnë janë të destinuara të vdesin. Intelektualët e kanë zakon ta shpërfillin patriotizmin dhe t’i ftojnë bashkëqytetarët që të mos besojnë se vendi i tyre është superior ndaj të tjerëve. Ja rreziku që shoh të profilohet kur aspirata natyrale e një kombi për t’u ndjerë më i mirë mbytet: individët i përmbledhin aftësitë e superioritetit dhe bëhen më narcizistë. Në Shtetet e Bashkuara patriotizmi ulet, ndërsa narcizizmi ngrihet. Dikur në shkollat publike dita fillonte jo vetëm me “betimin e besnikërisë”, por edhe duke kënduar himne si Ame¬rica the Beautiful. Në shumë institute, kjo dhe këngë të tjera janë zëvendësuar nga slogane që synojnë të forcojnë vetëvlerësimin të varura në mure, të llojit “secili është një yll!”.
Heronj tradicionalë si Kristofor Kolombi, etërit pelegrinë dhe Xhorxh Uashingtoni janë degraduar në grabitqarë, në vend që të vlerësohen si simbole të shpirtit të iniciativës, lirisë fetare dhe kurajos. Sot Magna Carta – pothuajse një teks i lirisë – është e panjohur nga pothuajse gjysma e popullsisë britanike. Sipas asaj që referohet nga një profesor i Cardiff University, vetëm rreth 20% e studentëve universitarë të Mbretërisë së Bashkuar është në gjendje të citojë një kryeministër të shekullit XIX. Për pjesën më të madhe të tyre, emra si Disraeli dhe Gladstone nuk thonë asgjë. Dhe në Shtetet e Bashkuara më pak se 1 student universitar në 4 të tillë është në gjendje të vendosë një lidhje midis James Madison dhe Kushtetutës amerikane. Por të mos dëshpërohemi: 99% e tyre e di shumë mirë se Beavis and Butthead është një karton i animuar.
Një kujtesë e pranuar dhe celebrimi i festimeve të përbashkëta janë midis instrumenteve më efikasë për të luftuar entropinë e kombeve. Një vend që nuk ka vetëdijen e historisë së tij bëhet një masë njerëzish, në vend se një komb. Dhe mbajtja bashkë e një kombi multikulturor është akoma edhe më e vështirë.
Reganiania “morning in America” funksionoi mirë sepse evokonte një ndjenjë të historisë. Reagan celebroi një seri datash historike që bashkonin amerikanët përtej diferencave. Në qershor të 1984, në një diskutim për përvjetorin e 40-të të zbarkimit në Normandi, i lejoi vetes edhe t’i shpëtonin lotët. Kishte mbledhur në shkëmbinjtë e Pointe du Hoc një turmë të moshuarish, shumë prej të cilëve patën ardhur aty të mbështetur mbi një shkop apo në një karrige me rrota. Qenë rejnxhërsat e mbijetuar të ushtrisë – “djemtë e Pointe du Hoc” – që të rinj apo shumë të rinj qenë kacavjerrë nëpër ato shkëmbinj të ashpër e të mprehtë nën shiun vdekjeprurës të plumbave të mitralozëve gjermanë. Këta djema nuk do ta kishin rrezikuar jetën sikur të mos kishin menduar se historia ishte budallallëk dhe se faqet e heroizmit të kombit të tyre qenë thjesht propagandë. Historitë që kishin mësuar në shkollë patën injektuar ndër ta kurajon për t’u kacavjerrë dhe forcën për ta avancuar nëpërmjet gjakut të shokëve të tyre. Kombet moderne nuk do të arrijnë në fundin e këtij shekulli në rast se nuk do të kenë kurajën që të përqafojnë të kaluarën e tyre dhe ta ndajnë atë me fëmijët e tyre.
(Todd G. Buchholz, ish-drejtor i Politikës Ekonomike në Shtëpinë e Bardhë dhe administrator i Deleguar i Hedge fund Tiger, jep mësim në Harvard. Libri i tij i fundit, “The Price of Prosperity: Why Rich Nations Fail and How to Renew Them”, është futur në listën “must-read” nga “Wall Street Journal”)

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakReali gati rinovimin e kontratës me Iskon
Artikulli tjetërKështu Europa ia fali borxhet Gjermanisë