Patenta e deputetit dhe përdhunuesi i Kavajës

Prokuroria e Përgjithshme kërkon shkarkimin e tri funksionarëve publikë, të cilët kanë shkelur ligjin e dekriminalizimit. Ata janë dy deputetë dhe një kryebashkiak. Vendimi i Prokurorisë nënkupton ndëshkim të njëjtë si për një deputet që është akuzuar në Itali për patentë false ashtu edhe për një kryebashkiak të dënuar nga përdhunimi dhe deri tek trafiku i drogës. A mund të jetë patenta e deputetit një krim po aq i rëndë sa edhe përdhunimi dhe trafiku i drogës? A parashikon ligji diferencime në të tilla raste, pasi juristët flasin edhe për gjoba në rastet kur kemi të bëjmë me gabime.

Njoftimi i Prokurorisë

Bëhet fjalë për deputetin çam të PD-së, Dashamir Tahiri, deputetin e LSI-së, Shkëlqim Selami dhe kryebashkiakun e Kavajës, Elvis Rroshi. Sipas organit të akuzës rezulton se ata janë dënuar më parë për vepra të ndryshme penale.
Kryebashkiaku Elvis Rroshi është përmendur shumë herë për këtë çështje, ndërsa deputetit Shkëqim Selami i është raportuar emri në media kohët e fundit.
Prokuroria e Përgjithshme pas verifikimeve të thelluara, ka konkluduar, se dy deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dhe një kryetar Bashkie janë në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit, në bazë të Ligjit për “Verifikimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” ose të njohur ndryshe si Ligji “Për Dekriminalizimin”.
Sektori i posaçëm i “Verifikimit të integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” në Prokurorinë e Përgjithshme, në bazë të kërkesave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka kryer verifikim të thelluar, në bazë të të cilit ka konkluduar se janë në kushtet e ndalimit të ushtrimit të detyrës, funksionarët:
1. Dashamir Tahiri, me funksion “deputet”
2. Shkëlqim Selami, me funksion “deputet”
3. Elvis Rroshi, me funksion kryetar i Bashkisë Kavajë
Në mënyrë të përmbledhur, sektori i “Dekriminalizimit” në Prokurorinë e Përgjithshme ka siguruar të dhënat, si vijon:
Shtetasi Dashamir Tahiri, me funksion “deputet” rezulton se nuk ka deklaruar në formularin e “Dekriminalizimit” të dhëna:
– Në vitin 1995 është raportuar nga Policia në Foggia për krime lidhur me falsifikimin e parave;
– Në vitin 2009 është dënuar nga Gjykata në Ravena (për të vuajtur 9 muaj burgim) për përdorim të një leje drejtimi shqiptare të falsifikuar.
– Subjekti është kontrolluar disa herë nga policia;
Subjekti Tahiri ka dhënë shpjegimet e tij në sektorin e “Dekriminalizimit”, duke deklaruar se nuk ka qenë në dijeni të dënimit me burgim në Ravena. Ndërsa, lidhur me procedimin për “falsifikim parash”, ka deklaruar se bëhet fjalë për një episod në autostradë, kur ai është mashtruar nga një kamerier lokali, i cili i ka dhënë para false.
Shtetasi Shkëlqim Selami, me funksion “deputet”, rezulton se nuk ka deklaruar në formularin e “Dekriminalizimit” të dhëna për një masë sigurimi “arrest me burg”, nxjerrë ndaj tij nga ana e Gjykatës së Brindizit, si i dyshuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale që merrej me “Trafikim të qenieve njerëzore”. Masa ndaj tij është dhënë në vitin 1994 dhe është ekzekutuar në vitin 2006. Në kuadër të kësaj mase, ai ka qëndruar një javë në paraburgim në Brindizi dhe më pas është lënë i lirë, në vijim të hetimit.
Shtetasi Elvis Rroshi, me funksion kryetar i Bashkisë Kavajë, rezulton se nuk ka deklaruar në formularin “Për Dekriminalizimin”, si vijon:
– Një dënim për veprën penale të “Përdhunimit” në grup, në vitin 1995 në Itali;
– Nuk ka deklaruar përdorimin e disa emrave në Zvicër;
– Në prill 1993 ka hyrë në mënyrë të paligjshme në shtetin zviceran dhe ka kërkuar azil, 14 maj 1993, është ndaluar nga Policia e Zyrihut për një rast droge dhe është dëbuar 4 muaj më vonë.
– Në korrik 1997 ka hyrë përsëri në mënyrë të paligjshme dhe ka kërkuar azil. Në gusht 1997 është dëbuar sërish.
– Në vitin 2015 DEA/US ka informuar autoritetet zvicerane se po hetonin një shtetas të quajtur Enver Rroshi për trafik droge dhe pastrim parash.
Në zbatim të Ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, Prokuroria e Përgjithshme ka njoftuar zyrtarisht mbi rezultatet e verifikimit Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke konstatuar se subjektet deklarues të mësipërm përfshihen në fushën e ndalimit të parashikuar në nenin 2, pika 1, germa a) dhe pika 2, germa a) dhe b) të ligjit.
Për të tri këto raste, krahas konstatimit të kushteve të ndalimit për ushtrimin e funksionit, Prokuroria ka nisur edhe hetimet për veprën penale të “Falsifikimit të formularëve, neni 190 i Kodit Penal.
Ndërkohë, po vijon procedura e verifikimit në kuadër të Ligjit “Për dekriminalizimin” edhe për një numër të konsiderueshëm zyrtarësh.

Tahiri: Akuzat qesharake

Sipas Prokurorisë, Dashamir Tahiri rezulton se është raportuar nga policia italiane për krime lidhur me falsifikimin e parave në vitin 1995 dhe për përdorim të një leje drejtimi shqiptare të falsifikuar në vitin 2009 po në Itali.
Tahiri sqaron se këto dy çështje nuk i ka mbajtur të fshehura dhe se këtu nuk ka asnjë vepër penale që e detyrojnë atë në bazë të Ligjit të Dekriminalizimit të dorëzojë mandatin e deputetit.
“Jam ndaluar për budallallëqe, ndërkohë që këta duhet të merren me trafikantë të drogës dhe kriminelë. Nuk jam arrestuar asnjëherë, jam ndaluar në Itali për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Dorëzova patentën shqiptare dhe autoritetet italiane pretendojnë se ajo është false. Këto akuza janë qesharake, mua nuk më kap as ligji i dekriminalizimit me këto. Nuk ka të drejtë Prokuroria të kërkojë ndërprerjen e mandatit për këtë akuza”, shprehet Tahiri.

Artikulli paraprakTrumpin e zgjodhi President Rusia?
Artikulli tjetërDEA hetoi Roshin për trafik droge në 2015-ën