Padia e Judicial Watch, për milionat e dhëna për Soros

Brooke Singman,
“FoxNews”

Judicial Watch do të padisë Departamentin e Shtetit dhe Agjencinë amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për të marrë të dhënat që tregojnë se, 5 milionë dollarë të taksapaguesve amerikanë i kanë shkuar degës maqedonase të Open Society të Xhorxh Sorosit. Grupi konservator lëshoi padinë Akti i Lirisë së Informacionit kundër Departamentit të Shtetit dhe USAID-it, pasi të dy institucionet nuk arritën të jepnin raportet në lidhje me paratë dhe autorizimet e pagesave, të dhënat e komunikimeve ndërmjet Departamentit të Shtetit ose zyrtarëve të USAID-it dhe Fondacionit Open Society.
Grupi ka kërkuar edhe komunikimet e Jess L. Baily, një i emëruar i Obamës dhe ish-ambasador i Shteteve të Bashkuara në Maqedoni, si dhe rekorde të tilla nga aktivitetet politike të fondacionit të Sorosit në Maqedoni.
Faqja e USAID-it raportoi se ndërmjet 27 shkurtit 2012 dhe 31 gushtit 2016 institucioni ka dhënë 4.8 milionë dollarë të taksapaguesve për organizatën e Sorosit. Faqja e internetit lidhet me faqen e Fondacionit Open Society, që tregon se projekti i financuar ka trajnuar qindra maqedonas të rinj për çështje si liria e mbledhjes, politikat e të rinjve, iniciativat e qytetarëve, argumentimi bindës dhe përdorimi i medias.
“Administrata Obama duket se frynte buxhetin e taksapaguesve për të financuar operacionet e Sorosit”, tha presidenti i Judicial Watch, Tim Fitton. “Departamenti i Shtetit amerikan në administratën e Trumpit dhe USAID-i duhet të veprojnë për të nxjerrë në pah detajet e bashkëpunimit Obama-Soros”.
Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha për “Fox News” se, “departamenti nuk do të komentojë në lidhje me konfliktin ligjor”. Por një zëdhënës i Open Society tha për “Fox News” se: “Fondacioni ka shpenzuar miliarda dollarë të parave të tij për të promovuar demokracinë, të drejtat e njeriut dhe qeverisjen e mirë nëpër botë. Fondacionet tona lokale administrojnë një fond të vogël shtetëror. Kur USAID-i zgjedh Open Society për të administruar fondet e institucionit – që i shkojnë OJQ-ve në terren – bëhet për shkak të reputacionit për transparencë, eficencë dhe profesionalizëm. Puna e fondacionit në Maqedoni ka ndihmuar popullin maqedonas duke forcuar kujdesin shëndetësor, edukimin, aktivizmin dhe gazetarinë në vend – shpesh në partneritet me BE-në, Shtetet e Bashkuara dhe qeverinë maqedonase”.
Aktivitetet e Baily dhe financimit të grupit të Sorosit nga USAID u vendosën në vëmendjen e Kongresit në fillim në vitit. Republikani Christopher Smith, drejtoi një grup ligjbërësish për t’ju përgjigjur pyetjeve të Baily nëse janë përdorur paratë e taksapaguesve amerikanë për të financuar projektet e Sorosit në Maqedoni. Senatori Mike Lee shprehu gjithashtu shqetësime për paratë e USAID-it që përdoreshin për të financuar Open Society të Sorosit, si dhe përfshirjen e ambasadave amerikane në skemë.
“Kam marrë raporte të besueshme gjatë viteve të fundit se misioni amerikan në Maqedoni ka ndërhyrë aktivisht në politikën vendase dhe ka formuar mjedisin mediatik, si dhe atë të shoqërisë civile, shpesh duke favorizuar grupe të caktuara politike kundrejt të tjerëve”, tha Lee.
Në shkurt, Louie Gohmert, Smith dhe të tjerë i bënë thirrje qeverisë të zhvillonte një hetim dhe audit të Departamentit të Shtetit dhe USAID-it në Maqedoni, përfshirë edhe Open Society. Sipas Judicial Watch ka pasur edhe ndërhyrje potenciale në çështjet e politikës së brendshme të Maqedonisë, si dhe shkelje të Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike.

Artikulli paraprakSessions: Arrestimi i Assange është përparësi
Artikulli tjetërTrump: Sulmi në Paris do ndikojë në zgjedhje