Ose bie Populli, ose bie qeveria

-A ka një fund kjo protestë?
Sigurisht që po. Ose mundja e popullit ose largimi i qeverisë.

-Si mund të realizohet kjo pa vullnetin e të gjitha partive parlamentare?
Kërkon një reflektim të thellë të elitës politike, e cila është përballur të shtunën e kaluar jo thjeshtë me një lëvizje opozitare, por me një lëvizje që ka bashkuar të djathtë e të majtë, për një kauzë që është përtej Partisë Demokratike apo thjeshtë Lulzim Bashës. Kjo është kauza e zgjedhjeve të lira e të ndershme, pa të cilat Shqipëria futet në një humnerë të thellë, ekonomike dhe politike, psikologjike dhe e vetmja rrugë për ta ndalur këtë është të garantohen zgjedhje të lira e të ndershme. Në këto tre vjet e gjysëm, kjo qeveri dhe ky kryeministër ka prodhuar para shqiptarëve dhe mbarë botës tre procese, zgjedhjet e 2015, në Dibër dhe ato të Ersekës, ku ka treguar se nuk janë në gjendje të organizojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme po janë autorët e dhunimit të vullnetitt të qytetarëve shqiptarë, përmes angazhimit të shitblerjes së votës, përmes angazhimit dhe shkrirjes së kufirit midis shtetit dhe partisë, përmes kapjes faktikisht të çdo medieje tradicionale, TV apo gazete, përmes dhunimit të standardeve minimale zgjedhore. Jo vetëm kaq, por Edi Rama ka lidhur një pakt me krimin, i cili fatkeqësisht vazhdon të jetë në fuqi, megjithëse ligji për dekriminalizimin duhet ta ndërpriste tashmë këtë pakt. Pakti vazhdon, kriminelët i ka akoma përreth tij, i ka dhënë fuqi për të organizuar të ashtuquajturën fushatë elektorale. Keni rastin e Elvis Roshit kur de jure e ka shkarkuar de fakto është akoma në pushtet. Edhe të tjerë si Arben Ndoka, i cili vazhdon të jetë njishi në Lezhë, ku dje ka dhunuar një tjetër socialist. Pra, është një kauzë, e cila nuk është vetëm e PD. Kriminelët në pushtet dhe dhunimi nga kriminelët i sistemit politik është një kauzë e të majtëve dhe të djathtëve. Dhe së treti, kryeministri dhe kjo mazhorancë dështuan t’i japin vendit një reformë zgjedhore. E shtynë për një vit e gjysëm, dështuan kërkesat për tja azhornuar, siç ishte votimi elektronik. Janë tre arsye kryesore që kjo qeveri nuk e ka më besimin e shqiptarëve për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ndaj vendimi i madh dhe popullor i 18 shkurtit është zgjedhje të lira dhe të ndershme ose zgjedhje nuk do të ketë. Dhe e vetmja mënyrë për t’i garantuar ato është nëpërmjet një qeverie teknike.

-Si mendoni që do të arrihet tek qeveria teknike? Ilir Meta ka thënë protestat e opozitës duhen respektuar, por jo ultimatumet. Si e konsideroni këtë përgjigje të Metës?
Nuk e kam  dëgjuar përgjigjen e Metës, por dy rrugë ka për qeverinë teknike. Njëra rrugë, rruga evropiane është një reflektim i elitës politike në veçanti i mazhorancës aktuale ligjore që prej të shtunës është një pakicë absolute. E konfirmuar nga shqiptarët që u bashkuan për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Pra, një reflektim për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Rruga tjetër është rruga e përballjes, deri sa njëra nga palët të tërhiqet.

-Çfarë nënkuptoni me përballje zoti Basha?
Rruga e protestës, e cila sa po vjen e po rritet nga dita në ditë. Siç po rritet nga dita në ditë konsensusi qytetar që kushti i vetëm për zgjedhje të lira, garancia e vetme për zgjedhje të lira dhe të ndershme është qeveria teknike, e cila do të shkëpusë lidhjet e krimit me politikën, do të garantojë votën e qytetarëve, do të garantojë që vota e tyre të numërohet dhe vullneti i tyre të zbatohet.

-Zoti Basha, në rast se vullneti nuk rezulton, deri kur do të vazhdojë kjo protestë. Dhe në rast se mazhoranca vendos t’i mbajë zgjedhjet ju do të merrni pjesë në to?
Zgjedhje pa opozitën, mbahen vetëm në vendet diktatoriale. Në Shqipëri do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme ose nuk do të ketë zgjedhje.

-Ju patët deklaruar se nuk ekzistion skenari se PD do të bojkotojë zgjedhjet. Çfarë ju bëri të ndryshoni qëndrim?
Unë nuk thashë që kam ndryshuar qëndrim!

-Po ju keni deklaruar se nuk do i bojkotoni?
Zgjedhje fasadë, zgjedhje me kriminelë që dhunojnë qytetarët, zgjedhje me shitblerje votash, zgjedhje me media gojëmbyllur, nuk do të ketë!

-Zoti Basha, kryeministri tha sot se PD, ta vazhdojë protestën por të vijë të votojë hallkën e radhës së komisionit për reformën. Cili do të jetë qëndrimi i opozitës me Parlamentin?
Qëndrimi ndaj Parlamentit është rrjedhojë e prioritetit numër 1 të shqiptarëve sot. Prioritetit që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Sot ky është Parlamenti i shqiptarëve, jo ai parlament i deligjitimuar në raport me shoqërinë shqiptare. Prioriteti numër një janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme!

-Zoti Basha, a jeni gati të pranoni negociata dhe me kë?
Ne jemi këtu bashkë me qytetarët. Kjo protestë ka hyrë në ditën e saj të tretë dhe zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet. Verdikti popullor për zgjedhje të lira e të ndershme do të marrë përgjigjen nga një qeveri teknike që garanton zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Padyshim presim sa më shpejt reflektimin e kryeministrit dhe mazhorancës, është në dorën e tyre t’i thërrasin zërit të arsyes apo do të detyrojnë popullin të përdorë çdo formë demokratike për të marrë në dorë të drejtën e tij, për të zgjedhur me votë të lirë dhe të ndershme qeverinë që do.

-Pak minuta më parë zëdhënësja e Parlamentit Europian tha se këto janë çështje që zgjidhen brenda Parlamentit. Keni një koment për këtë?
Nuk e kam dëgjuar deklaratën që i referoheni. BE nuk ka vetëm një BE. Ka Bashkim Evropian që mbështet zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ka BE që ngrenë zërin kundër drogës dhe krimit, ka BE që ka mbështetur kauzën tonë për dekriminalizimin. Ka BE që ka mbështetur një reformë në drejtësi, e cila nuk mbron, por dënon krimin e korrupsionin të pakapur nga politika. Siç ka për fat të keq edhe një injorim të problemit të drogës, një injorim të nivelit të korrupsionit. Rezoluta e PPE, deklaratat e Bundestagut, dhe të drejtuesve më të lartë të institucioneve të BE-së janë pikat e referencës për PD. Ata kanë folur qartë, Shqipërisë nuk i janë hapur negociatat dhe drita jeshile, sepse nuk garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme, nuk zbaton luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Nuk zbaton ligjin e dekriminalizimit. Sepse nuk jep garanci për një drejtësi të pakapur siç e përcaktuam të gjithë së bashku me ndryshimet kushtetuese historike, ku PD është krenare që ka luajtur rolin e vet. Por menjëherë pas nënshkrimit dhe premtimit që dhamë para BE dhe SHBA, Edi Rama dhe Ilir Meta shkelën premtimin dhe kaluan 7 ligje që duhet të kalonin me konsesusin e opozitës. Eshtë ky përjashtim i opozitës për të cilin ato mbajnë përgjegjësi, dhe për kolapsin në të cilën futën procesin e Reformës në Drejtësi. Por ne sot jemi këtu për një prioritet jetik, që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe nuk ka njeri normal, qytetar normal të BE e aq më pak institucion apo përfaqësues të BE-së që të dalë kundër, apo mos mbështesë këtë kauzë, që siç e thashë është përtej Lulzim Bashës, është përtej PD-së, është kauzë e të gjithë shqiptarëve. Zgjedhje të lira dhe të ndershme. Pa zgjedhje të lira dhe të ndershme, vendi nuk ecën asnjë milimetër drejt BE-së. Me zgjedhje të lira dhe të ndershme, me garë të ndershme, ku qytearët të  përcaktojnë jo kriminelët, jo paratë e korrupsionit të koncesionit të tenderave. Pra, vetëm me zgjedhje të lira dhe të ndershme Evropa mund t’i hapë dritën jeshile shqiptare për të shkuar drejt standardeve evropiane.

-Cila do të ishte përgjigja juaj si lider i PD-së, ndaj skeptikëve që thonë se me këtë protestë ju po bllokoni reformën dhe u druheni një rezultati negativ në zgjedhje?
Këto janë deklarata qesharake. PD është përgatitur të hyjë në zgjedhje të lira dhe të ndershme, t’í ofrojë shqiptarëve rrugën e daljes në planin ekonomik dhe social. Janë të çertifikuara nga ekspertët më të mirë italianë, amerikanë dhe gjermanë. Platforma jonë është për të nxjerrë mijëra familje nga mjerimi ekonomik, ku i ka zhytur ky shtet i padrejtë. Ne kemi rrugët e daljes nga kriza, dhe shqiptarët do të na besojnë qeverisjen dhe duhet të na besojnë qeverisjen për të shkuar të sigurt drejt një Shqipërie tjetër. Por që të ndodhë kjo duhet të ketë, zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kjo është beteja sot, nuk është beteja e Lulzim Bashës, nuk është beteja e PD është betejë e gjithë shqiptarëve.

-A garantoni se protesta do të jetë paqësore deri në fund”?
PD dhe unë personalisht jemi 100% të përkushtuar për protesta paqësore dhe demokratike. Ne i kemi bërë thirrje qytetarëve të bashkohen në këtë protestë. Dhuna nuk është tipari ynë. Dhuna, arroganca është tipari i qeverisjes që ka tre vjet e gjysëm që dhunon shqiptarët, në shtëpitë e tyre, në rrugë, në vendet e punës, në spitale në shkolla. PD është një parti që lindi kundër dhunës dhe gjithmonë do të jetë kundër dhunës. Pra, thirrja ime do të jetë përherë për një protestë të qetë e demokratike, por të vendosur deri në arritjen e qëllimit, kauzës legjitime dhe të patjetërsueshme të çdo qytetari. Zgjedhje të lira dhe të ndershme, me një qeveri teknike që i garanton.

Zoti Basha faleminderit…
Faleminderit Sokol, dhe shpresoj se pavarësisht presionit të jashtëzakonshëm qeveritar të keni sa më shumë real news, dhe sa më pak fake fake news!

Intervistoi Sokol BALLA

Artikulli paraprakDëshmia në Gjykatë: Si më qëlloi me pistoletë Prenga
Artikulli tjetërRama ik, nuk ka kthim pas, zgjedhjet me qeveri teknike