Rezoluta anti-korrupsion është në konflikt interesi

Kreu i SPAK Altin Dumani raportoi përpara Komisionit të Ligjeve në Parlamentin e Shqipërisë. Duhet thënë se asnjëherë më parë nuk ka patur një raportim kaq profesional, të bazuar në fakte, në shifra dhe në vizion për punën e një prokurorie. Ishte pothuajse një raportim perfekt dhe një model për t’u ndjekur edhe në vazhdim.

Problemi qëndron se ajo ishte një skenë sureale. Altin Dumani po merrej në pyetje nga njerëz të cilët janë nën hetim nga prokuroria që ai drejton. Minimalisht ata deputetë që janë nën hetim nga SPAK, nëse do të ishin vërtetë të tillë, nuk do të ishin paraqitur në atë seancë. Sepse, konflikti i interesit, ishte gjigant. Është absurde të shikosh një deputet t’i kërkojë llogari prokurorisë për punën e saj kur vet ai është subjekt hetimi nga kjo prokurori. Por këto janë anomali shqiptare. Është e tepërt t’i kërkosh një politikani shqiptar të tregojë karakter politik dhe institucional. Rëndësi ka që drejtuesi i SPAK nuk shfaqi as më të voglin kompleks apo shenjë presioni, edhe pse ishte nën pyetje nga ata që kanë konflikt interesi me të.

Të njëtën gjë bëri edhe mazhoracna sot kur miratoi një rezolutë anti-korrupsion, e cila pritet të votohet në seancën e radhës në parlament. Politika shqiptare është në koflikt interesi kur flitet për korrupsionin. Ata që duhet të jenë subjekt i hetimit në luftën kundër korrupsionit, sot duan të marrin flamurin e luftës kundër tij. Ata që në perceptimin e opinionit publik konsiderohen si të korruptuar, sot duan t’i mbushin mendjen shqiptarëve se janë ata që po e luftojnë korrupsionin.

Ata që e kanë kthyer korrupsionin në sistem për 34 vite, sot duan t’i thonë shqiptarëve që nuk i zë gjumi për korrupsionin në adminsitratë e në çdo qelizë tjetër të sistemit.

Ata të cilët çdo ditë bëjnë parkalime përpara SPAK, duan të na mbushin mendjen se po marrin rolin e tij. Në fakt, për të hetuar pikërisht për ata u ngrit dhe Gjykata e Posacme Kundër Korrupsionit. Madje, politika shqiptare është duke kërkuar edhe aleanca të gjëra, gjithpërfshirëse për të luftuar korrupsionin. A thua se ata kanë zbritur sot në Shqipëri dhe nuk janë pikërisht ata që e kanë prodhuar këtë korrupsion.

E gjitha kjo është një shpëlarje truri për opinionin publik shqiptar. E vetmja gjë që mazhoranca kërkon të bëjë, është që luftën ndaj korrupsionit që po e bën SPAK ta kthejë në avantazhin e saj. Duke qenë se hetimet e SPAK nuk i ndalojnë dot, duan që të hipin në karrocën e suksesit të tij. Qeveria dhe kjo mazhorancë, e cila duhet të jepte llogari për korrupsionin e saj, gjë e cila tashmë nuk është më opinion por fakt, merr flamurin e luftës kundër korrupsionit nëpërmjet reformave që kërkon të bëjë.

Shqipëria është ndoshta vendi që ka thyer rekord në reformat kundër korrupsionit. E megjithatë, në të gjitha raportet ndërkombëtare të specialiazuara konsiderohet si një vend i korruptuar.

Pikërisht tani, kur Shqipëria ka një gjykatë të posaçme në luftën kundër korrupsionit, e cila po bën një punë për t’u lavdëruar, futet politika në mes dhe kërkon ta marrë këtë sukses. Historia ka treguar se sa herë politika bën marrëveshje, ajo që vuan është demokracia dhe drejtësia shqiptare. Kështu që, nëse vërtet duan ta luftojnë korrupsion le të mbështesin SPAK dhe të qendrojnë larg kësaj prokurorie. Drejtuesi i saj, ai që vërtetë duhet ta luftojë korrupsionin, nuk kërkoi asgjë nga politika në luftën kundër tij./Liberale.al/

Artikulli paraprakLuten për 800 metra rrugë, fshatrat që “shkrijnë kufijtë” nëpër shtigje
Artikulli tjetërFitim Zekthi: Krimi i organizuar është fuqizuar shumë, ndoshta as Ramës nuk i binden më