Rama ik, nuk ka kthim pas, zgjedhjet me qeveri teknike

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha paralajmëroi dje se protesta e nisur më 18 shkurt me kauzën e saj për të garantuar zgjedhje të lira përmes krijimit të një qeverie teknike nuk ka kthim pas. I rrethuar nga turma e protestuesve në shesh, kreu i selisë blu, Basha përsëriti për të pranishmit kauzën e qytetarëve të thirrur nga Partia Demokratike në sheshin e lirisë.
“Jemi këtu sepse njësoj si para 26 vitesh bijtë e etërve duan të zëvendësojnë demokracinë e vërtetë me demokracinë fasadë. Demokracia fasadë është e keqja e të këqijave ndaj jemi mbledhur sot këtu në këtë ditë të madhe të përkujtimit të 20 shkurtit, për të rinovuar edhe një herë mesazhin e madh popullor që dhamë tre ditë më parë: Se shqiptarët nuk do të pranojnë më demokraci fasadë, ekonomi fasadë, Parlament fasadë, shëndetësi fasadë, bujqësi fasadë, arsim fasadë. Se shqiptarët janë ngritur për demokracinë e vërtetë dhe lirinë e vërtetë dhe se kjo mund të arrihet përmes vetëm zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”.
Për Bashën, vendimit qytetar të marrë dy ditë më parë, do t’i bëjnë jehonë së shpejti të tjera mitingje.
“Tani që ky vendim është shpallur, ky vendim është marrë ne i themi sot, siç i thamë dje, siç i thamë para dy ditësh në mitingun më të madh, siç do t’i themi së shpejti në një miting tjetër edhe më të madh, se zgjedhje të lira dhe të ndershme ka dhe do të ketë me një qeveri teknike. Nga kjo nuk ka kthim”, tha Basha.
Në bashkëbisedimin në çadrën e protestës, Basha u ndal edhe tek 26-vjetori i rrëzimit të bustit të diktatorit Hoxha, lideri i opozitës tha se edhe sot shqiptarët janë mbledhur përsëri në shesh, për zgjedhje të lira e të ndershme. “Kujtojmë një nga aktet më të mëdha qytetare. E sotmja ka nisur si ditë përkujtimesh dhe homazhi, nderimi për ata qindra dhe mijëra qytetarë të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë që iu bashkuan thirrjes së studentëve për t’i dhënë ndal errësirës së diktaturës, aktit se nuk do të pranojnë pluralizëm fasadë. Sot pas 26 vitesh ja ku jemi përsëri, në këtë pjesë të bulevardit të çliruar prej tre ditësh, këtu në sheshin e lirisë. Demokracia fasadë është vendi ku nuk priten qytetarët, ku nuk dëgjohen qytetarët. Demokracia fasadë është e keqja e të gjithë këqijave. Pas maskës gëlojnë kriminelët e veshur me pushtet, njerëz të hurit dhe litarit. Sot llumi i shoqërisë shqiptare janë bërë deputetë e kryetarë bashkish. Ndaj jemi mbledhur sot këtu për të rinovuar mesazhin e madh popullor që dhamë tre ditë më parë. Shqiptarët nuk do të pranojnë më demokraci fasadë, shqiptarët janë ngritur për demokracinë dhe lirinë e vërtetë. Kjo mund të arrihet vetëm përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”.

Aktiviteti parlamentar është zhvendosur në shesh

Partia Demokratike, një vit më parë i shteroi mundësitë institucionale dhe tashmë me mbështetje popullore por edhe të faktorit ndërkombëtar do të vijojë të qëndrojë për kauzën e saj deri në garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Basha tha dje se PD do të zhvendosë aktivitetin e saj parlamentar në shesh.
“Ne i shteruam të gjitha  mundësitë. Tani nuk kanë përballë vetëm PD, tani nuk kanë përballë vetëm opozitën. Tanimë kanë përballë një popull të tërë me mbështetje të fortë ndërkombëtare që pret zgjedhje të lira dhe të ndershme, qeveri teknike”.
Për Bashën, vendimi për bojkot të Parlamentit, vjen ndaj qeverisë së inkriminuar, jo popullit, Parlamenti i të cilit është në shesh. “PD dhe grupi i saj parlamentar do të zhvillojnë, deri në arritjen e objektivave tona për një qeveri teknike, aktivitetin parlamentar këtu, aktiviteti parlamentar do të zhvendoset në Parlamentin e vërtetë, në demokracinë e vërtetë direkte këtu në sheshin e lirisë me ju dhe me qytetarët shqiptarë”.

Rama shet Tahirin

Basha ka refuzuar në mënyrë kategorike përpjekjet e Ramës për të sakrifikuar ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri në këmbim të qëndrimit të opozitës për të bërë rezistencë në vendimin e saj për krijimin e një qeverie teknike që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Basha i bëri thirrje Ramës t’i hapë rrugë krijimit të qeverisë teknike, ndërsa bëri të qartë se asnjë përpjekje e tillë nuk do ta ndihmojë atë nga përballja me opozitën dhe revoltën qytetare.
“Sot kanë ofruar përmes mediave të kontrolluara nga kryeministri, kokën e Saimir Tahirit. Por ne nuk jemi mbledhur këtu për koka turku dhe pastaj të ulim kokat tona e të pranojmë prapë zgjedhje të prishura, të kapura, të vjedhura dhe të dhunuara.
Dëgjo zërin e qytetarëve, zgjidhu nga karrigia ku të ka lidhur krimi, hapi rrugë qeverisë teknike dhe me zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe në ta mban dil dhe ndeshemi dhe e shikojmë se kush fiton. Nuk të shpëton dot nga përballja me PD dhe opozitën, nga përballja me qytetarët, nuk të shpëton dot as krimi dhe mediat e kapura dhe të blera. Ora e përballjes po vjen, do të përballemi në meidanin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, populli do të vendosë me votë të lirë”, tha Basha.

Në shesh, derisa kauza për zgjedhje të lira të fitojë si 26 vite më parë

Bashkëbisedimi dje në sheshin e lirisë ishte entuziast dhe i zjarrtë, pasi 20 shkurti është ditë e veçantë për shqiptarët. 26 vite më parë shqiptarët rrëzuan shtatoren e diktatorit. Si sot, 26 vite më parë shqiptarët kërkuan themelin e një demokracie, zjedhje të lira. Edhe dje shqiptarët u mblodhën përsëri në shesh, për zgjedhje të lira e të ndershme. Ky ishte mesazhi që bashkoi në sheshin e lirisë qindra qytetarë, për të kujtuar të shkuarën dhe për të përsëritur guximin dhe fitoren e kauzës së lirisë në demokraci.

Zogaj: Bashkë për të rrëzuar bustin e zgjedhjeve të vjedhura

Drejtori i atëhershëm i gazetës “RD”, Preç Zogaj, kujton se si 26 vite më parë, rinia vrau frikën për të kërkuar lirinë e saj.
“E nisën studentët e Kamzës. E vazhduan ata të Universitetit të Tiranës. E kulmuan qytetarët e Tiranës më 20 shkurt ’91 në 14:07. E përfundoi po atë ditë e gjithë Shqipëria, Korça, Fieri, Shkodra. Shqipëria u ngrys pa Enver Hoxhën”.
Për Preç Zogajn, mesazhi i lëvizjes së 20 shkurtit 1991 është ende i qartë sot.
Demokracia s’mund të shartohet me diktaturën, tha Zogaj. Ndaj sot Partia Demokratike bashkoi njerëzit për të rrëzuar monumentin e zgjedhjeve të vjedhura e të prishura.
Përmes risjelljes së shprehjes së shkrimtarit Viktor Hygo, i cili thotë se, “s’ka fuqi më të madhe sesa një kauzë koha e së cilës ka ardhur”, Preç Zogaj u shpreh se stilimi i kësaj lëvizje është një: fitorja.

Kaduku: Ne nuk duhet të harrojmë

Për Bislim Ahmetajn, shqiptarët 26 vite më parë bënë të mundur që ëndrra të bëhej realitet.
Më parë thirrja ka qenë: e duam Shqipërinë si gjithë Europa, tha Ahmetaj, duke shtuar se sot, qeveria e ka kthyer në: duam që gjithë shqiptarët të ikin nga vendi i tyre në Europë.
Prandaj duhet të ngrihemi si në vitin ‘91 për të rrëzuar këtë demokraturë, tha Ahmetaj.
Dje një nga studentët e qëndresës kundër diktaturës komuniste, sot pedagog, për Ilir Kadukun shoqëria përbëhet nga qëndrestarë idealistë.
Duke risjellë një shprehje të Winston Churchill, Kaduku thirrjen ia drejtoi popullit: Një popull që harron, vdes. Ne nuk duhet të harrojmë sakrificat e intelektualëve dhe të të burgosurve politikë.
Mesazhin Kaduku ia drejtoi kryeministrit Rama: “Viktor Hygo ka thënë se kur diktatura është fakt edhe pozicioni është detyrë. Ne nuk ikim nga këtu”.

Fatmir Merkoçi: Bashkë si më 20 shkurtin e vitit 1991

Fatmir Merkoçi kujtoi përgjigjen e qytetarëve ndaj thirrjes së studentëve të ‘91-shit, të cilët mbushën sheshin si rrallë ndonjë.
“Një masë e madhe njerëzish të ndërgjegjshëm për çfarë po bënim, u përball me forcën më të madhe të shtetit. Ishte dita kur ne nuk përmbysëm vetëm shtatoren e diktatorit, por përmbysëm frikën”.
Si udhëheqës i 20 shkurtit ’91 Merkoçi mbështeti bindshëm kryetarin demokrat, Lulzim Basha për thirrjen e kësaj lëvizjeje dhe vendimet e marra deri më sot. Thirrjen e rezervoi për popullin e Tiranës: “Na u bashkoni si më 20 shkurt 1991, pasi diktatura nuk njeh ngjyra partiake”.

Rudina Hajdari: Të risjellim pranverën si 26 vite më parë

Vajza e Azem Hajdarit, Rudina Hajdari i tha qytetarëve të mbledhur në çadrën e lirisë se vetëm së bashku mund të godasim fasadat e qeverisë dhe të risjellim pranverën që shumë të pranishëm e sollën për ne 26 vjet më parë.
Edhe Arben Imami, duke rikujtuar një mbledhje të tensionuar të mbajtur tek ish-presidiumi i Kuvendit Popullor me kryetar Ramiz Alinë, risolli kërkesën e artikuluar 26 vjet më parë: “Askush nga ne nuk kishte menduar për pushtetin, por për zgjedhjet në vetvete. Pas fasadës së lirisë 26 vite më parë ishte dhuna dhe terrori. Edhe sot duhet të luftojmë për zgjedhje të lira njëherë e mirë”.

Paloka: Protestat do të përshkallëzohen

Mijëra të rinj, qytetarë e deputetë vazhdojnë të qëndrojnë në çadrën e ngritur përpara godinës së Kryeministrisë. Kërkesa e tyre kryesore është vendosja e një qeverie teknike për organizimin e zgjedhjeve. Sipas opozitës e mbështetësve të saj, qeveria Rama nuk mund të sigurojë zgjedhje të lira e të ndershme. Të rinjtë kanë kuvenduar me njëri-tjetrin, por dhe me gazetarë, artistë e figura të tjera të njohura që janë të pranishëm në çadrën e protestës. Deputeti Aldo Bumçi në një intervistë për mediat i bëri thirrje të gjithë partive politike e qytetarëve të lirë t’i bashkohen qëndresës në çadër. Ndërsa kryetari i grupit parlamentar, Edi Paloka tha se protesta do të përshkallëzohet. “Kërkesa është vetëm një, largimi i Edi Ramës, nuk ka asnjë obsion tjetër, pasi kushtet tona për të krijuar kuadrin ligjor që zgjedhjet të konsiderohen të paktën të besueshme u refuzuan. Nëse zotëria do të bëjë indiferentin dhe arrogantin dhe protesta do të ketë përshkallëzim të saj”. Kryeministri Rama e quajti protestën qesharake, në monologun e së dielës. Ai ka shmangur me të gjitha mënyrat ballafaqimin me protestuesit përpara godinës së Kryeministrisë duke iu fshehur atyre.

Arben Shahini

Artikulli paraprakOse bie Populli, ose bie qeveria
Artikulli tjetërShenjat e gishtave për 6 të zgjedhur, sekuestro dosjeve