Dëshmia në Gjykatë: Si më qëlloi me pistoletë Prenga

Familja Cali “kryqëzon” në Gjykatë deputetin socialist Armando Prenga. Në procesin gjyqësor të zhvilluar në Gjykatën e Lartë në ngarkim të deputetit Armando Prenga i akuzuar për plagosje me armë, 3 anëtarët e familjes Cali deklaruan gjatë seancës gjyqësore se, Prenga i ka kërcënuar dhe qëlluar me qytën e armës. “I qëndroj akuzës për deputetin Prenga. Ai na kërcënoi me armë dhe më qëlloi me qytën e pistoletës në kokë”, ka deklaruar Gjok Cali gjatë seancës gjyqësore.
Dëshmitari Julian Cali, pohoi se menjëherë pasi ishte kërcënuar nga deputeti Prenga vjeshtën e viti 2015, ka njoftuar me telefon të atin Gjok Calin. “U nisa i shqetësuar për tek im bir”, shtoi Gjok Cali “dhe u shkëmbeva në rrugë me deputetin. Ai më qëlloi fillimisht me armë nga distanca, më pas u afrua dhe më goditi në kokë me qytën e pistoletës”, tha dëshmitari. Ai tha më tej se, Prenga e kishte kërcënuar me fjalët: “Do të vras, do të zhduk”, përpara se konflikti të rëndohej në një përplasje të armatosur për Lagunën e Patokut.
Të njëjtën skenë konfirmoi edhe dëshmitari i tretë i familjes së dëmtuar, Dorian Cali, i cili së bashku me dy të tjerët bënin pjesë tek dëshmitarët kyç të akuzës ndaj deputetit Armand Prenga. Vetë Prenga nuk ka qenë i pranishëm në seancën gjyqësore, ndërsa avokati i tij pretendoi se, Prenga ka qëlluar në ajër për vetëmbrojtje. Armando Prenga përfundoi në Gjykatën e Lartë si i pandehur për tre vepra penale pas konflikteve për motive pronësie me Calët për Lagunën e Patokut, e cila aso kohe ishte nën proces gjyqësor.
Gjatë kryerjes së hetimeve nga Prokuroria ka rezultuar se, deputeti Armando Prenga ka vajtur mbrëmjen e 4 shtatorit 2015 në një lokal nën pronësinë e familjes Cali në zonën e Patokut pranë Laçit dhe ka debatuar me dy të rinj të familjes, Dorian dhe Julian Cali. Të dy kanë njoftuar pronarin e lokalit dhe babain e Dorianit, Gjok Cali. Ky i fundit është nisur për të vajtur në lokalin e tij dhe është përballur në rrugë me deputetin Prenga dhe tre shoqërues të tij. Sipas kallëzimit të Gjok Calit, Prenga e ka goditur atë me qytën e pistoletës në kokë dhe ka hapur zjarr në ajër. Akti i Ekspertimit mjeko-ligjor ka dalë në konkluzionin se dëmtimet që ka mësuar Cali përbëjnë plagosje të lehtë.
Sipas Prokurorisë, Prenga ka kërcënuar familjen Cali, duke i thënë: “Do t’ju qisim faret si fis”, ndërsa ka hapur zjarr ndaj tyre. Tom Cali dhe Nikoll Cali mbetën të plagosur në këmbë nga të shtënat e Prengës. Mjekësia Ligjore i ka konstatuar plagët e tyre si “plagosje e lehtë”. Për rrjedhojë, Prokuroria ka ngritur akuzë për tre plagosje të lehta me dashje ndaj Prengës, plagosjen me qytën e pistoletës ndaj Gjok Calit dhe plagosjet në këmbë të Tom e Nikoll Cali.
Prokuroria ka bërë të ditur se, Prenga ka një pistoletë me leje, por kjo pistoletë nuk rezulton të jetë përdorur në ngjarje, pasi nuk ka shenja baruti. “Kjo armë zjarri, nga përfundimet e Aktit të Ekspertimit datë 05.09.2015, rezulton të jetë e ndryshme nga ajo për të cilën personi nën hetim Armando Prenga është pajisur me leje nga organet e kompetente”, thotë Prokuroria. Prokuroria thotë gjithashtu se, para Komisariatit të Policisë së Laçit është shtënë edhe me automatik, por nuk bëhet e ditur, nëse arma pa leje pistoletë apo automatiku, janë përdorur apo jo. Fakti që gjatë ngjarjes është përdorur një automatik, sipas vendimit të Gjykatës së Lartë vjen nga dëshmitë e policëve në vendngjarje.

Artikulli paraprakMaskat terror në Vlorë, grabiten tre karburante
Artikulli tjetërOse bie Populli, ose bie qeveria