Telashe te Barça

Asgjë nuk shkon mirë tek Barcelona. Largimi i Neymar, humbja e Superkupës së Spanjës dhe tani dëmtimi i Luis Suarez. Sulmuesit do t’i duhet të qëndrojë larg fushave të blerta për një muaj. Testet mjekësore kanë evidentuar një dëmtim të rëndë në pjesën e gjurit të djathtë. Uruguajani do të mungojë ndaj Betis, Alaves, Espanyol dhe ndaj Getafes. Suarez nuk do të jetë i disponueshëm edhe në disa takime të Champions League. Mungesa e 28-vjeçarit do të ndihet dhe në radhët e kombëtares së Uurugait, me këta të fundit që do të ndeshen për eliminatoret e botërorit Rusi 2018, me ekipe si Argjentina dhe Paraguaji.
Dëmtimi ka alarmuar jo pak drejtuesit e Barcelonës dhe trajnerin e tyre Ernesto Valverde, i cili për momentin në dispozicion për repartin e avancuar ka vetëm dyshen Lionel Messi dhe Paccho Alcacer, i cili në sezonin e tij të parë tek blaugranat ka zhgënjyer me paraqitjen e tij. Tashmë kupola drejtuese e katalanasve duhet të vihet menjëherë në lëvizje, në mënyrë që të sigurojë shërbimet e ndonjë sulmuesi, i cili jo vetëm të plotësojë hapësirën e lënë bosh nga ana e Neymar, por edhe të jetë një garanci më shumë për skuadrën, në dërgimin e topit në fundin e rrjetës.
Skuadra katalanase, që ishte vetëm një hije e historisë së saj të madhe në “Klasiken” ndaj Realit, doli publikisht hapur mbi dy objektivat e kësaj merkatoje, Coutinho dhe Dembele. Pep Segura, drejtori sportiv i Barcelonës në një intervistë për “Esport 3” pas disfatës në stadiumin “Bernabeu” zbuloi dhe disa detaje. “Skuadra jonë ka nevojë për përforcime dhe ne do të bëjmë pikërisht këtë në ditët në vijim. Po diskutojmë kushtet finale për Coutinho dhe Dembele. Sigurisht, ata nuk kanë firmosur ende, por jemi shumë pranë”, tha Pep Segura.
Por shefi ekzekutiv i Borussia Dortmundit, Hans-Joachim Watzke, i është kundërpërgjigjur Barcelonës për Ousmane Dembele. Menaxheri gjeneral i Barcelonës, Pep Segura, tha të mërkurën pas ndeshjes me Real Madridin se Coutinho dhe Dembele janë shumë afër transferimit në “Camp Nou” dhe se marrëveshjet po shkojnë drejt finalizimit.
Por, diçka krejtësisht tjetër tani e thotë Hans-Joachim Watzke i Dortmundit, i cili i është kundërpërgjigjur Barcelonës. “Nuk e di se për çfarë është duke folur Segura, ndoshta është i trullosur nga ajo se çfarë i bëri Reali Barcelonës në Superkupë”, tha fillimisht ai për “Kicker”. “Dembele është dëshirë e Barcelonës, por deri më tani nuk i është afruar asnjë milimetër”, u përgjigj më tej, duke lënë të kuptohet se nuk duan të ulin kërkesat e tyre. Besohet se Dortmundi do 50 milionë euro për talentin francez.

Artikulli paraprakFiorentina afron 3 futbollistë para përballjes me Interin
Artikulli tjetërOrellana drejt largimit nga Valencia