Një garë e re armatimi në horizont

Kongresi i Shteteve të Bashkuara synon të zhbëjë disa marrëveshje me Rusinë për kontrollin e armëve – çfarë reflekton gjendjen e rrezikshme të marrëdhënieve midis Uashingtonit dhe Moskës dhe kërcënimin nga një garë e re armatimi.
Në një seri dispozitash që i janë bashkëngjitur propozim-buxhetit për mbrojtjen për vitin 2018 – në vlerë prej 696 miliardë dollarësh – ligjvënësit e udhëhequr nga republikanët kanë vënë në shënjestër Traktatin e Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme, si dhe traktatet Starti i Ri dhe Qiejt e Hapur.
Që të tria konsiderohen tejet të rëndësishme për kontrollin e armëve globale dhe lëvizja nga to sinjalizon ndryshim të mprehtë të politikës amerikane.
“Do të ishte një goditje e madhe mbi arkitekturën e kontrollit të armëve midis SHBA-së dhe Rusisë, e cila tashmë është e dëmtuar”, thotë Kingston Reif, analist në Shoqatën e Kontrollit të Armëve – grup kërkimor në Uashington.
“Këto masa do të minojnë sigurinë amerikane, duke shkatërruar stabilitetin midis dy fuqive më të mëdha bërthamore dhe duke rritur rrezikun e garës bërthamore”, thotë Reif.
Marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Moskës janë tensionuar gjatë dekadës së kaluar, për shkak të mosmarrëveshjeve për zgjerimin e NATO-s, mbrojtjes raketore të SHBA-së, pastaj demokratizimit dhe “revolucioneve me ngjyra” në ish-Bashkimin Sovjetik dhe së voni, ndërhyrjes së Moskës në Ukrainë dhe Siri.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka marrë detyrën këtë vit duke lavdëruar presidentin rus, Vladimir Putin dhe duke e cilësuar NATO-n si organizatë të vjetëruar. Administrata e tij është ndjekur nga hetimet e Kongresit dhe të FBI-së për ndërhyrjen e mundshme të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe për bashkëpunimin e dyshuar të ekipit të Trumpit me zyrtarët rusë.
Në Moskë, zyrtarët rusë kanë parashikuar tashmë kalimin e dispozitave të reja, duke paralajmëruar për një garë të re armësh.
“Mendoj se do të jetë keq për secilin, sepse nxit përpjekjet për garë armësh dhe askush nuk mund ta fitojë atë”, thotë Vladimir Shamanov, kryesues i Komitetit të Mbrojtjes në Dhomën e Ulët të Parlamentit rus, transmeton agjencia “RIA Novosti”.
Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme mund të jetë nën rrezikun më të madh.
I nënshkruar nga liderët amerikanë dhe sovjetikë në vitin 1987, Traktati, për herë të parë, ka eliminuar një klasë të tërë raketash në Evropë.
Në vitin 2014, Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar zyrtarisht Rusinë për zhvillimin e një rakete, në kundërshtim me Traktatin e Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme, edhe pse ekspertët e inteligjencës kanë thënë se sistemi ka qenë në zhvillim e sipër disa vite para Traktatit.

Artikulli paraprakIsh-Presidenti i Brazilit dënohet për korrupsion
Artikulli tjetërBE sakrifikon demokracinë për stabilitetin në Ballkan