Një apel Shkodrës

Bledi KASMI

Ashtu në urtinë e tij, Dom Ernest Troshani priti 88 vite për tu shfaqur. Një monument i besimit njerëzor tek Zoti dhe kalvarit të genocidit, përsekutimit dhe vuajtjeve të një populli, ai është pjesa më e dhimbshme e historisë së këtij vendi.
Flet me urti dhe jo me hakmarrje në ato pak intervista të dhëna.
Ai tregon dhe flet përtej atyre fjalive të shkurtra duke qenë shembulli i triumfit të dashurisë njerëzore mbi urrejtjen e kultivuar për gjysmë shekulli të një regjimi çnjerëzor, që ka prodhur sot një realitet të egër që është pjellë e Njeriut të Ri të prodhuar në laboratorët e eksperimenteve njerëzore të të famëkeqit Bllok.
Një njeri i fortë që i mund të gjithë persekutorët e tij me urtësi. Po ku e ka gjetur të gjithë atë forcë ky shërbëtor i përulur, i cili endet ende sot dyerve të familjarëve pa patur ende një strehë të veten? Askund tjetër veçse tek Ai që është mbështetur në të gjithë jetën e tij dhe që kurrë nuk e ka lënë të bjerë në honet e dëshpërimit dhe rrëzimit edhe në momentet më të vështira.
Megjithëse e torturuan dhe e burgosën, fryma që e mbante gjallë ishte ajo e besimit në Zot. Askush si Dom Ernest Troshani, si Hafiz Ali Korca, Dede Kamber Prishta, Dede Ahmet Myftaraj e shumë e shumë klerikë të tjerë të persekutuar, vrarë, mbytur në burgje apo të internuar nuk mund të tregojë më mirë se cila është forca e besimit që i bëri ata të durojnë vuajtjet e torturave, burgut e internimeve, por kurrë të mos e lëshojë litarin e besimit tek i cili ishin kapur aq fort.
Në një kohë që ky vend ka një sundimtar qesharak që shfaqet me poza faraonike duke kërkuar të legalizojë drogën dhe prostitucionin dhe duke e zhytyr të gjithë shoqërinë në veset më të ndyra të historisë njerëzore, ka edhe një figurë të urtë që na u shfaq si me porosi nga lart, si Ernest Troshani, për ti bërë një thirrje dhe lutje krejt tjetër njerëzve të këtij vendi; “Kthehuni nga Zoti”, tha ai tre ditë më parë duke na udhëzuar nga vlerat.
Një vend që përjeton një krizë të thellë morale ka detyrimin që të respektojë urtësinë e Dom Ernest Troshanit. Nuk ka nevojë për këto nderime Dom Ernesti, por më shumë të nevojshme e ka kjo shoqëri e tronditur. Dhe askujt si Shkodrës nuk i takon t’ia nisë e para. Atje është historia e persekutimit dhe atje Ernest Troshani meriton shumë më tepër se një banesë. Dje nuk e dinim se e kishim, Dom Ernestin, sot që na u shfaq, duhet ta mbajmë për të mos na lënë një borxh të madh nesër, se nuk kishim mundësi as ti jepnim një banesë Kardinalit shqiptar.

Artikulli paraprakZef Preçi: Rrezikojmë të përfundojmë si Kolumbia, u zhyt 40 vjet në luftë civile
Artikulli tjetërFaqja e pare