Zef Preçi: Rrezikojmë të përfundojmë si Kolumbia, u zhyt 40 vjet në luftë civile

-Mbështetësit e kultivimit të këtij produkti pohojnë se të paktën ai është një burim i mirë i hyrjes së valutës në Shqipëri. Si e komentoni këtë qëndrim?
Ky argument vlen vetëm për naivët në ekonomi dhe spekulantët në politikë. Sipas mendimit tim, askujt, por më tepër atyre që kanë marrë përsipër të qeverisin fatet e vendit, nuk duhet t’ju erren sytë nga përfitime financiare momentale personale apo të mbështetësve e sipërmarrësve të grupimit politik ku bëjnë pjesë, për shkak të pushtetit që gëzojnë, duke cenuar rëndë interesat e shumicës së qytetarëve të vendit dhe duke rrezikuar shndërrimin e Shqipërisë në një Kolumbi të Europës, nëse kjo tashmë nuk ka ndodhur…Asnjë vend i botës demokratike nuk është zhvilluar mbi bazën e ekonomisë kriminale, dhe qeveritë që për arsye të ndryshme apo për shkak të pazotësisë së tyre për të kontrolluar të gjithë territorin e vendit toleruan kultivimin e bimëve të tilla të vdekjes, ju përgatitën brezave të mëpasshëm histori të përgjakshme të luftërave civile dhe të konflikteve të armatosura që zgjaten e zgjasin me dekada. Mjafton të kujtojmë këtu rastin e Kolumbisë, vendit emblematik të kultivimit të lëndëve të para për prodhimin e drogave, i cili prej më se 4 dekadash është zhytur në luftë civile, në qeverisje diktatoriale apo që kontrollojnë vetëm disa rajone të caktuara të territorit të vendit, dhe në mjerim për shumicën e qytetarëve të atij vendi.
Të mos harrojmë se, ndryshimet kushtetuese të verës së këtij viti kanë përgatitur terrenin ligjor dhe politik që të reformohet sistemi ynë i drejtësisë dhe çdo hap pozitiv në këtë drejtim do të ndikojë jo në ardhjen, por në largimin nga vendi të mjeteve financiare të siguruara në rrugë kriminale, përmes korrupsionit, etj., ku bëjnë pjesë edhe burimet e valutës që përmendni ju. Në vlerësimin tim, një tymnajë e tillë është përhapur nga ata që duan të justifikojnë ëndrrat oligarkie për pasurim përmes veprimtarive kriminale dhe për sundimin e vendit me metoda autokratike, por edhe nga ata që duan të justifikojnë pazotësinë e qeverisë për të ndërmarrë politika pro zhvillimit të vendit, dështimit thuajse total të saj në hapjen e vendeve të reja të punës, në thithjen e Investimeve të Huaja Direkte, në nxitjen e prodhimit vendas, në nxitjen eksporteve, etj. Të mos harrojmë se hyrja e valutës ka kuptim kur vjen nga veprimtari të ligjshme dhe kryhet përmes kanaleve të njohura në shkëmbimet tregtare midis një vendi dhe vendeve të tjera përreth apo më larg…
-Cilat janë sugjerimet tuaja për hapat e menjëhershëm që duhen ndërmarrë për orientimin e ekonomisë drejt një zhvillimi të qëndrueshëm?
Zhvillimi i qëndrueshëm i ekonomisë sonë kombëtare, ashtu si për shumicën e vendeve që ndërruan sistemin e tyre ekonomik e shoqëror dy dekada më parë është një sfidë mjaft e vështirë dhe komplekse. Kjo lidhet me njohjen më në thellësi të problemeve social-ekonomike që ka vendi ynë, si p.sh., rritja e moshës mesatare të popullsisë, pra plakja e saj, largimi masiv jashtë vendit i rinisë dhe fuqisë së aftë për punë, etj.; me analizën e zhvillimit të derisotëm dhe të faktorëve ende të pashfrytëzuar plotësisht në degë të tilla të ekonomisë si bujqësia dhe turizmi; me politikat që janë ndërmarrë dhe investimet që janë kryer e po kryhen për të penguar rrënimin e pyjeve dhe të kullotave të vendit; me heqjen dorë nga voluntarizmi dhe motivimi nga interesa të ngushta oligarkike e ndoshta edhe mafioze në politikat mjedisore, duke përfshirë edhe një moratorium shumëvjeçar ndaj importimit të mbetjeve dhe të plehrave nga vendet e BE-së dhe jashtë saj; me rishikimin e strategjive të zhvillimit, atyre degësore dhe ndërdegësore, me synim krijimin e një kuadri funksional të politikave që ndiqen për të mos lënë zhvillimin e vendit në lojën e rastësisë dhe të ideve e politikave të çastit që injorojnë ligjësitë e zhvillimit në tërësi; me përfshirjen më të gjerë të komuniteteve në identifikimin dhe vënien në rrugën e zgjidhjes së problemeve të mëdha me të cilat përballet ekonomia jonë kombëtare, në ditët e sotme; me respektimin e të drejtave fondamentale të njeriut dhe me shtimin e përpjekjeve për ndërtimin e institucioneve bazë të ekonomisë së tregut në vendin tonë…

Artikulli paraprakFermerët: Hashashi dëmton bujqësinë dhe po shkatërron të rinjtë
Artikulli tjetërNjë apel Shkodrës