Niveli i kreditimit të ekonomisë, i paqendrueshëm

Thellimi i deficitit të shkëmbimeve tregtare me jashtë nuk ka ndihmuar rritjen ekonomike të vendit. Kjo ecuri është ndikuar kryesisht nga rritja e importeve, në përgjigje të ciklit pozitiv të investimit në ekonomi. Paralelisht me të, kërkesa e ulët e huaj për disa produkte tipike të eksportit shqiptar – si nafta dhe lëndët e para minerale – ka frenuar eksportet tona. Ambienti i jashtëm ekonomik pritet të mbetet i pafavorshëm edhe në afatin e shkurtër, por bilanci tregtar me jashtë pritet të shënojë një përmirësim gradual në horizontin afatmesëm. Politika fiskale konsoliduese u përkthye në një suficit buxhetor prej rreth 13.7 miliardë lekësh gjatë tetë muajve të parë të vitit. Respektimi i niveleve të programuara të deficitit buxhetor për vitin 2016 nënkupton se politika fiskale do të marrë një natyrë stimuluese për pjesën e mbetur të vitit. Ky respektim kërkon gjithashtu përshpejtimin e ritmit të shpenzimeve në pjesën e mbetur të vitit. Banka e Shqipërisë gjykon se një shpërndarje më e njëtrajtshme e shpenzimeve buxhetore gjatë vitit, do të përmirësonte efektivitetin e tyre dhe do të reduktonte luhatjet në treguesit ekonomikë e financiarë.
Stimuli monetar, i përcjellë nëpërmjet reduktimit të normës bazë të interesit, është transmetuar tashmë në tregjet financiare. Këto tregje kanë rezultuar përgjithësisht të qeta, ndonëse segmente të caktuara kanë pasur volatilitet të shtuar. Normat e interesit të kredive dhe të depozitave kanë vazhduar të qëndrojnë pranë niveleve minimale historike edhe gjatë muajit gusht. Nga ana tjetër, yield-et e letrave me vlerë të qeverisë kanë shënuar rritje gjatë ankandeve të fundit. Kjo rritje pasqyron një tendencë korrektuese të rënies së shpejtë të tyre gjatë gjysmës së parë të vitit, por edhe zhbalancime të përkohshme të kërkesës dhe ofertës për këto instrumente. Kreditimi i ekonomisë vazhdon të shënojë rritje, por kjo ecuri mbetet ende e brishtë. E pastruar nga efektet e fshirjes së kredive nga bilancet e sistemit bankar dhe të luhatjes së kursit të këmbimit, kredia për ekonominë shënoi një rritje vjetore prej 4.2% në muajin gusht. Portofoli i kredisë në lekë shënoi një rritje vjetore prej 6.9% ndërkohë që portofoli i kredisë në valutë u rrit me 2.3%. Në terma sektoriale, kredia konsumatore ka një ecuri relative më të mirë se kredia për biznese. Ngadalësimi i ritmit mujor të rritjes së kredisë në muajt korrik e gusht pritet të jetë një fenomen kalimtar. Megjithatë, ky zhvillim ilustron paqëndrueshmërinë e kreditimit në vend dhe rithekson nevojën për vazhdimin e reformave strukturore, të cilat do të mundësonin reduktimin e rrezikut të kredisë dhe rritjen e kërkesës për të.

Artikulli paraprakBankat e nivelit të dytë transferojnë 285 milionë dollarë jashtë Shqipërisë
Artikulli tjetërKosova i kërkon SHBA dhe BE të ndalin ‘tensionet’ e krijuara nga Serbia