Bankat e nivelit të dytë transferojnë 285 milionë dollarë jashtë Shqipërisë

Pavarësisht deklarimeve të forta politike që bëhen çdo ditë për rritje të të ardhurave si dhe të investimeve, Banka e Shqipërisë sjell një tjetër realitet. Në raportin e saj të fundit BSH, deklaron se vetëm gjatë muajit gusht nga Shqipëria kanë dalë 34.8 muliardë lekë. BSH raporton se këto para janë investuar nga bankat e nivelit të dytë jashtë vendi, ose si investim ose si kreditim për bizneset e huaja.
Më rreth 3 miliardë dollarë investime jashtë, Shqipëria është një kreditor neto i botës, pasi detyrimet që bankat shqiptare kanë ndaj jorezidentëve, banka ose individë të huaj, janë vetëm 45 miliardë lekë ose pak më shumë se 400 milionë dollarë. Dalja masive e kapitaleve jashtë ka qenë një shqetësim i hershëm për Bankën e Shqipërisë, e cila do që këto para të investohen brenda vendit për të mbështetur ekonominë. Dy vjet më parë, ajo mori një sërë masash për të dekurajuar daljen e kapitaleve jashtë duke ju bankave që për çdo investim në tregjet e huaja të sigurojnë më shumë fonde rezervë në bilancet e tyre.
Por ndonëse e kanë ngadalësuar ritmin e investimeve jashtë, këto ndërhyrje nuk kanë mundur ta frenojnë atë. Vetë bankat private thonë se janë të detyruara ti investojnë fondet e lira jashtë për shkak të mungesës së ulët për kredi në tregun e brendshëm, por edhe projekteve bindëse nga biznesi.

BSH i tërheq vëmendjen qeverisë për investimet

Pasi shqyrtoi informacionin e ri ekonomik, Banka e Shqipërisë vendoi dje të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit duke e lënë atë në nivelin, 1.25%. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko tha se, informacioni i ri, i marrë në analizë në raportin e radhës të politikës monetare, ka rezultuar përgjithësisht në përputhje me pritjet Bankës. Ai tha se, aktiviteti ekonomik vazhdon të zgjerohet, inflacioni ka ardhur në rritje, ndërsa kostot e financimit mbeten rreth niveleve më të ulëta historike. Banka i tërheq vëmendjen qeverisë që bëjë më shumë kujdes me shpenzimet publike. Banka Shqipërisë gjykon se një shpërndarje më e njëtrajtshme e shpenzimeve buxhetore gjatë vitit, do të përmirësonte efektivitetin e tyre dhe do të reduktonte luhatjet në treguesit ekonomikë e financiarë.
Në bazë të informacionit të disponuar, Banka e Shqipërisë gjykon se tabloja e pritur e zhvillimeve ekonomike e financiare, e paraqitur në raportin tremujor paraardhës, mbetet ende e vlefshme. “Ne parashikojmë një përmirësim progresiv të aktivitetit ekonomik gjatë dy viteve të ardhshme. Ky përmirësim do të ndihmojë në kthimin e ekonomisë në ekuilibër gjatë gjysmës së dytë të vitit 2017 dhe të inflacionit në objektiv gjatë gjysmës së dytë të vitit 2018. Njëkohësisht, informacioni i disponuar sugjeron se balanca e rreziqeve në horizontin afatmesëm vazhdon të qëndrojë në kahun rënës” tha Sejko.
Inflacioni i çmimeve të konsumit arriti në nivelin 2% në muajin gusht, duke vazhduar të ndjekë një trajektore rritëse pas vlerave të ulëta të shënuara gjatë tremujorit të parë. Rritja e inflacionit erdhi si pasojë e rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe e çmimit të naftës. Në terma makroekonomikë, rritja e inflacionit pasqyron efektin e rritjes së kërkesës agregate dhe reduktimin e goditjeve të ofertës të ardhura nga çmimet e ulëta të ushqimeve dhe të lëndëve të para në tregjet botërore.
Të dhënat e disponuara sugjerojnë se ekonomia shqiptare ka vazhduar të rritet gjatë tremujorit të dytë e të tretë, me ritme të krahasueshme me ato të shënuara në tremujorin e parë. Kjo rritje është mbështetur nga zgjerimi i kërkesës së brendshme të sektorit privat, ndërkohë që shkëmbimet tregtare me jashtë dhe politika fiskale konsoliduese kanë ndikuar në kahun e kundërt. Ambienti i favorshëm financiar, rritja e punësimit, përmirësimi i besimit të agjentëve ekonomikë dhe vazhdimi i flukseve të larta hyrëse të investimeve të huaja direkte, kanë ndihmuar në rritjen e konsumit dhe të investimeve private. Banka e Shqipërisë vlerëson se këta komponentë të kërkesës agregate do të vazhdojnë të udhëheqin rritjen ekonomike edhe në tremujorët në vazhdim.

Artikulli paraprakBurgjet, Avokati i Popullit dhe OSBE kritika për shkeljen e të drejtave të njeriut
Artikulli tjetërNiveli i kreditimit të ekonomisë, i paqendrueshëm