Nishani vlerëson Shoqatën “Çamëria” me titullin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”

Në një ceremoni solemne mbajtur në institucionin e Presidentit të Republikës, kreu i shtetit, Nishani vlerësoi me rastin e 25-vjetorit të krijimit të saj Shoqatën patriotike “Çamëria” me dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”: “Në shenjë vlerësimi për kontributin e vyer e të pamohueshëm dhënë ndaj çështjes çame, si dhe për veprimtarinë e çmuar atdhetare dhe nxjerrjen më në pah të vlerave kulturore dhe etnografike të kësaj bashkësie të rrallë shqiptare me histori sa të lashtë, aq edhe të lavdishme”. Në këtë veprimtari nderimi ishin të pranishëm nënkryetari i Parlamentit, Shpëtim Idrizi, kryetari i Nderit i PDIU-së, Tahir Muhedini, kryetari i “Shoqatës Çamëria”, Abaz Hado, si dhe anëtarë të bashkësisë çame. Në përshëndetjen e rastit, Presidenti i Republikës vlerësoi veprimtarinë e shoqatës me një shtrirje më të madhe në hapësirë dhe në kohë dhe me rrënjë të thella historike dhe atdhetare. Në vijim të fjalimit drejtuar komunitetit çam, Presidenti Nishani cilësoi tiparin dallues të tyre, krenarinë “për historinë dhe trashëgiminë e pasur të vlerave tuaja të patjetërsueshme atdhetare, kulturore, si dhe përpjekjeve tuaja të pareshtura ndër shekuj për të mbajtur të pastër dhe ngritur edhe më lart identitetin tonë karakterizues kombëtar”. “Që në epokën e artë të Rilindjes të parët tuaj me pushkë e penë dhe këtu kam parasysh me dhjetëra e qindra patriotë, por do të përmend njërin prej tyre, shumë të veçantë të historisë kombëtare: Hasan Tahsinin, ose si njihej ndryshe Hoxha Tahsin-e deri në fitimin e Pavarësisë ku mes shumë të tjerëve, spikati Abedin Dino-pra të gjithë ata janë shquar ngaherë për kontributet të qenësishme në përpjekjet e pareshtura për liri, dije, arsim dhe kulturë. Në këto njëqind e katër vjet ekzistencë të Pavarësisë së shtetit shqiptar, bashkësia çame ka pasur një përfaqësim jo vetëm intelektual, por edhe qenësisht kontribues të çështjes kombëtare, të ruajtjes së gjuhës shqipe, zakoneve, traditave të vyera, kulturës sonë kombëtare identifikuese. Deri në ditët tona, çamët të përhapur në pothuajse të gjitha zonat dhe qytetet e Shqipërisë nga jugu në veri, nga Saranda e Vlora, në Fier, Durrës e Tiranë e deri në Shkodër, kudo ku jetojnë e punojnë, kanë spikatur për ruajtjen me fanatizëm të identitetit, të zakoneve fisnike, të gjuhës së pastër shqipe, të muzikës dhe folklorit tonë karakteristik. Vallja tipike para litarit e Osman Takes është një shembull i përkryer i thesarit të çmuar etno-kulturor çam, por jo vetëm, sepse ajo u bë aq e njohur sa fama e saj ka kapërcyer me kohë edhe kufijtë e rajonit tonë ballkanik. Jeta tragjike dhe vepra letrare e Bilal Xhaferrit është bërë e njohur deri matanë oqeanit në Amerikën e largët, ku ai u shua para kohe kur ende kishte shumë talent, fuqi dhe dëshirë për të krijuar e për t’iu përkushtuar më tej vlerave tuaj që i përfaqësoi me aq besnikëri”, tha në vazhdim kreu i shtetit.

Artikulli paraprakDenoncimi i PD për deklaratat e këshilltarit të Cipras
Artikulli tjetërPërdhunuesi Rroshi mbetet në “Arrest shtëpie”, Apeli nuk e ndryshon masën e sigurisë