Nënkryetarja e PD, Tabaku: Sot është dita për të reflektuar mbi veten dhe guxuar për të ndryshuar

Duke kërkuar reflektim dhe guxim për të ndryshuar, nënkryetarja e PD, Jorida Tabaku tha se në kohë krizash, në kohë të një furtune në këtë familje të madhe rruga e vërtetë që duhet të ndjekim është ajo e një reflektimi real dhe të sinqertë me veten.

”Sot, ne duhet të shohim nga vetja për të kuptuar realisht se çfarë shkoi gabim që ne erdhëm këtu, në një Kuvend Kombëtar të jashtëzakonshëm.
E morëm një goditje paralajmëruese në pranverën e këtij viti dhe zgjodhëm që të mos reflektojmë realisht mbi çka ndodhi.
U gabuam të gjithë! Unë e para u gabova! Pasi mendova dhe besova se atëkohë ishte më e dobishme t’i shmangeshim asaj që ishte përpara nesh.
Prandaj na duhet sinqeritet dhe të shohim njëri-tjetrin në sy për të kuptuar pse gabuam. Na duhet guxim për të nisur një ndryshim real. Një familje e madhe e ngritur mbi vlera dhe parime të një të djathte që beson në Zot, e lufton për kombin, familjen dhe që çdo përpjekje të saj e ka për të krijuar një shoqëri të shëndetshme. Ne nuk kemi përse të jemi partia e favore dhe ndereve me të cilat i mbajmë peng të tjerët. Por një forcë politike që lufton për t’i shërbyer kombit dhe atdheut.
Jemi një forcë politike që u ngrit mbi dëshirën për më shumë liri mendimi, liri shprehje, angazhimi politik dhe mbi të gjitha lirie ekonomike. Ne jemi shpresa e të ardhmes sepse do të luftojmë për një ekonomi dhe Shqipëri të mundësive për të gjithë, të meritokracisë.
Po që këto parime t’ia japim shqiptarëve së pari duhet t’ia japim demokratëve.
Do të këmbëngulim që kjo forcë politike t’i afrohet përherë e më shumë meritokracisë brenda saj për të dhënë ne shembullin e parë se si do të veprojmë në qeverisje.
Ne besojmë se shtresa e mesme është pjesa më vitale e një shoqërie dhe ajo që mundëson avancimin e saj.
Ne besojmë dhe jemi të bindur që mbështetja e kësaj shtrese jo me shpikje fiskale siç bën kjo qeveri por me politika reale në favor të saj është lojtari kyç që mund ta kthejë për mirë ekonominë tonë. Ne besojmë tek dija e vendosur në praktikë nga kjo shtresë. Besojmë tek forca e njeriut për të mundësuar ndryshime të mëdha.
Prandaj sot jemi këtu për t’i ofruar Shqipërisë dhe shqiptarëve një parti më moderne, më të re, më dixhitale dhe më pranë jush”, tha Tabaku.

Artikulli paraprakGrida Duma i drejtohet Bashës: Kryetar, je më i pafajshmi midis nesh!
Artikulli tjetërFlutura Açka: Partia nuk përdoret vetëm për privilegje dhe për t’u krekosur, PD duhet të ndahet sot nga kjo mënyrë e të bërit politikë