Në botën e spiunëve

“Gnosis”

Një prej maksimave të përsëritura më shumë midis atyre që merren me spiunazh na kujton se nuk ekzistojnë shërbime inteligjente mike, por vetëm shërbime inteligjente të vendeve mike. Ende sot nuk është e vështirë t’i gjendet konfirmimi. Shërbimet sekrete izraeliane konsiderohen ndër më agresivet në përpjekjen për të kapur sekrete midis kolegëve të tyre amerikanë dhe vetë amerikanët kishin një informator në brendësi të shërbimeve sekrete gjermane, shërbime që po amerikanët i kishin krijuar dhe kontrolluar nga fillimi i Luftës së Ftohtë.
Kjo luftë e ashpër ecën paralelisht me bashkëpunimin intensiv midis po këtyre agjencive të inteligjencës. Studiuesit dhe specialistët e sektorit bien dakord kur theksojnë se ky bashkëpunim është më i rëndësishëm se kurrë më parë dhe ka arritur nivele mjaft të larta. Sidomos në luftën kundër një armiku transkombëtar si terrorizmi xhihadist, bashkëpunimi ndërkombëtar midis agjencive të inteligjencës rezulton thelbësor. Megjithatë jemi ende larg nga pasja e një kuptimi të kënaqshëm të këtij fenomeni. Në këtë artikull të shkurtër do të përqendrohemi mbi intelligence sharing, domethënë mbi ndarjen e produkteve informative me agjenci të huaja, ndoshta aspekti më i rëndësishëm dhe më i shpeshtë i këtij bashkëpunimi. Në bazë të analizës së literaturës, përshkruajmë benefitet kryesore që burojnë nga shkëmbimi informativ, rreziqet më të mëdha dhe pengesat që bëjnë të vështirë dhe në fund kërkojmë që të identifikojmë kushtet që e bëjnë pak a shumë të mundshëm.
Benefiti i parë dhe më i natyrshëm i intelligence sharing është se lejon të kihet akses në informacione në rast të kundërt të padisponueshëm. Siç vëren Michael Herman, eksperti i vjetër britanik në lëmin e inteligjencës, “ka gjithnjë e më shumë informacion potencialisht të disponueshëm se ai që secila agjenci është në gjendje që të mbledhë e vetme”. Çdo vend ka rrjetin e tij unik të informatorëve dhe të pikave gjeografike të forcës. Të kihet parasysh këtu rëndësia e Human Intelligence (HUMINT) jordanez në luftën kundër Shtetit Islamik në Irak e në Siri apo e bashkëpunimit, për të cilin nuk dëgjojmë pothuajse më të flitet, midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës për mbledhjen e informacionit në Korenë e Veriut. Edhe në fushën e Signal Intelligence (SIGINT) ndarja mund të çojë në rezultate të mëdha. Vlerësohet se dekriptimi nga ana e inteligjencës britanike e kodit “Enigma” gjatë Luftës së Dytë Botërore e ka shkurtuar luftën me rreth 2 vjet, por avantazhet ushtarake u shumëfishuan nga vendimi i qeverisë së Madhërisë së Tij për ta ndarë sekretin shumë të çmuar të saj me aleatin amerikan.
Në mënyrë më jo të drejtpërdrejtë, territori i një vendi mik mund të përdoret për të instaluar aparatura për monitorimin e vendeve në rast të kundërt mjaft të largët. Sipas rasteve, vendi mikpritës mund të sigurojë të gjitha ose disa prej informacioneve të mbledhura, të ketë akses në teknologji të avancuara ose ta shkëmbejë mikpritjen e tij me koncesione të tjera. Për shembull, gjatë Luftës së Ftohtë, Shtetet e Bashkuara e rrethuan Bashkimin Sovjetik me stacione monitorimi të ndodhur, midis të tjerash, në Gjermani Perëndimore, në Iran në kohën e Shahut dhe në posedimet britanike të Lindjes së Mesme dhe Lindjen e Largme. Nga ana e saj, inteligjenca ushtarake sovjetike shfrytëzoi territorin kubanez për të interceptuar telefonatat në lindjen e Shteteve të Bashkuara, për të monitoruar programin hapësinor amerikan në Cape Canaveral dhe komunikimet e Marinës ushtarake dhe tregtare.
Pastaj, ndarja mund të çojë në një ndarje më efikase të punës, në të cilën secila agjenci specializohet në mbledhjen e informacionit në sektorin ku, për arsye gjeografike apo për shkak të aftësive të veta, gëzon një avantazh krahasimor. Inteligjenca e mbledhur pastaj shkëmbehet, duke shmangur kështu dublikime të kushtueshme të përpjekjeve. Për shembull, midis qëllimeve të British-US Communication Intelligence Agreement të vitit 1946 ishte ajo e “sigurimit të avantazheve dhe efikasitetit në kohë paqeje me një ndarje të duhur të punës dhe duke shmangur dublikimet”. Në qoftë se pranohet të ndahet inteligjenca, mund të kombinohen forcat dhe të ndahen kostot e mbledhjes së informacionit, duke realizuar projekte përndryshe jo të realizueshëm, si satelitët Helios që u japin inteligjencë ushtarake shumë vendeve europiane.
Së fundi, ndarja e produkteve analitike mund të ndihmojë të shmanget fenomeni groupthink, në të cilin grupe kohezë në brendësi të tyre dhe të mbyllur për jashtë përqendrohen mbi një interpretim apo zgjidhje të mundshme të vetme, shpesh me rezultate të shpifura. Analistët e agjencive të huaja mund të luajnë kështu një rol të ngjashëm me atë të rishikuesve në revistat akademike, duke kritikuar dhe duke përmirësuar atë që është bërë nga kolegët e tyre.
Përkrah këtyre benefiteve, ndarja sjell edhe një seri të tërë kostosh dhe rreziqesh. Të kuptuarit se cilat janë ato na ndihmon që të kuptojmë se pse apelet e shpeshta në favor të një ndarjeje më të mirë shpesh bien në vesh të shurdhër.
Rreziku i parë ka të bëjë me ruajtjen e sekretit lidhur me informacionet që është zgjedhur të ndahen. Siç e di çdo fëmijë, sa më shumë persona e dinë një sekret, aq më i lartë është rreziku që sekreti të mos jetë më i tillë dhe më e vështirë bëhet individualizimi i përgjegjësit të nxjerrjes eventuale të sekretit.
Shkelja e sekretit mund të ndodhë në shumë mënyra. Agjencia marrëse mund të jetë e penetruar nga agjentë armiq, mund ta ruajë apo ta transmetojë inteligjencën me mjete jo të sigurta ose, si në rastin e Edward Snowden, mund të ketë në brendësi të saj funksionarë rebelë që projektojnë t’i kalojnë informacione shtypit. Asnjë agjenci inteligjence nuk mund të jetë kurrë e sigurt se nuk është penetruar nga armiku, aq më pak të jetë e sigurt se agjencitë me të cilat bashkëpunon nuk janë penetruar. Për shembull, në vitet e para të Luftës së Ftohtë, shumë prej operacioneve anglo-amerikane përtej Perdes së Hekurt dështuan sepse u zbuluan apo në mos deri u organizuan, nga spiunë sovjetikë në brendësi të MI6-ës angleze. Sot, kur marrin në konsideratë se cila dhe sa inteligjencë u kalon shërbimeve sekrete ukrainase, vendet perëndimore pyesin nëse ato nuk janë penetruar gjerë e gjatë nga shërbimet e inteligjencës ruse.
Rreziku i dytë i ndarjes është se ajo mund të komprometojë metodat dhe burimet e mbledhjes së informacionit. Në disa raste mjafton të dihet se çfarë është grumbulluar për të zbritur tek kush dhe si janë grumbulluar, me efekte të këqija mbi mbledhjen e ardhshme të informacionit. Një agjenci që i zbulon një tjetre, megjithëse në mënyrë indirekte, identitetin e njërit prej burimeve të tij, ajo e ekspozon vetë burimin ndaj një rreziku më të madh për t’u zbuluar, ashtu siç zbuloi pa dëshirën e saj kolonelin sovjetik Penkovsky, i menaxhuar në mënyrë të përbashkët (dhe shumë të keqe) nga CIA e MI6 në fillimin e viteve gjashtëdhjetë. Të njëjtat metoda të përdorura për mbledhjen e informacionit të shkëmbyer nuk mund të përdoren pastaj kundër agjencisë marrëse. Për shembull, Shtetet e Bashkuara mund të kenë interes që ndajnë me Rusinë dhe Kinën pjesë të inteligjencës së saj ndaj Koresë së Veriut që vjen nga satelitët dhe nga monitorimi i rrjetit informatik koreanoverior. Megjithatë, ka mundësi që vetë satelitët dhe metoda të ngjashme monitorimi të përdoren edhe për të spiunuar Rusinë dhe Kinën, duke e bërë ndarjen e informacionit shumë më të komplikuar.
Rreziku i tretë, kur merret informacion nga burime që nuk njihen bëhet e vështirë që t’u kuptohen motivet, të vlerësohet besueshmëria dhe identifikohen ekzagjerimet dhe falsitetet e shpeshta. Për shembull, gabimi i inteligjencës amerikane lidhur me armët e shkatërrimit në masë të Saddam Hussein pjesërisht i detyrohet besimit që ju dha në atë kohë një burimi, të quajtur “Curveball”, të menaxhuar nga inteligjenca gjermane. Duke mos pasur akses tek “Curveball”, pjesërisht sepse ushqente ndjenja antiamerikane, CIA nuk arriti që t’i identifikojë disa ekzagjerime. Në raste të caktuara, i njëjti burim mund t’u kalojë informacion shumë agjencive, pa pasur dijeni këto të fundit. Nëse pastaj informacioni do të shkëmbehej pa e zbuluar burimin, agjencitë do të rrezikonin që ta merrnin informacionin e shkëmbyer si konfirmim të atij që tashmë kishin, kur në fakt bëhet fjalë për të njëjtin informacion të ricikluar.
Ekziston edhe një rrezik i katërt, kontaktet midis agjencive për të shkëmbyer informacione mund të bëhen një rast për të rekrutuar burimet e njëra-tjetrës. Të kihet parasysh këtu Aldrich Ames, agjent i kundërspiunazhit të CIA-s që spiunoi për llogari të shërbimeve ruse rreth një dekadë deri në mesin e viteve nëntëdhjetë. Arriti të fshihej për një kohë të gjatë sepse midis detyrave të tij kishte atë të liaison me vetë rusët.
Profili i pestë i rrezikut: inteligjenca e marrë mund të përdoret për qëllime që nuk përkojnë me interesat e vendit që i kishte mbledhur. Shtetet e Bashkuara e informuan Izraelin për ekzistencën e reaktorit bërthamor iraken në Osirak, por, ndoshta në mënyrë naive, nuk menduan se Izraeli do ta sulmonte, siç edhe ndodhi më 1981.
Së fundi, shpesh inteligjenca ndahet për të influencuar dhe në raste të caktuara për ta mashtruar agjencinë marrëse. Në fakt, ndarja e inteligjencës nuk është neutrale dhe e çinteresuar. Ndahet sepse ekzistojnë interesa të përbashkëta, sepse pritet të sigurohet diçka në shkëmbim ose sepse, pikërisht, dëshirohet të influencohen perceptimet dhe sjellja e të tjerëve.
Edhe kundërshtarët më të egër mund të ndajnë inteligjencë kur kanë objektiva të ngjashëm, por edhe aleatët më të ngushtë mund ta mashtrojnë njëri-tjetrin. Në vitin 1977, Bashkimi Sovjetik informoi Shtetet e Bashkuara se Afrika e Jugut po përgatiste provën e një bombe bërthamore, duke i nxitur kështu Shtetet e Bashkuara që të ndërhynin diplomatikisht për ta parandaluar. Në vitin 1941 inteligjenca britanike i kaloi Franklin Roosevelt një hartë, që dihej se ishte false, me projektet e supozuara naziste lidhur me Amerikën Latine. Roosevelt e mori hartën si të mirëqenë dhe e përdori në një diskutim të tij për të theksuar rëndësinë e ndihmës amerikane për aleatët e ardhshëm.
Natyra interesante e intelligence sharing bën që agjencia marrëse duhet të kërkojë sesa ka të vërtetë në informacionin e marrë, çfarë është përjashtuar dhe pse është kaluar pikërisht ai informacion dhe jo të tjerë. Dallimi i të vërtetit nga falsi dhe nga devijuesi nuk është aspak i lehtë. Edhe kur qëllimi është dezinformues, informacioni fals do të përzihet me atë të vërtetin, për ta bërë të parin më të besueshëm dhe më pak të identifikueshëm.
Kur do të ekzistonte një shkëmbim informativ i vërtetë, megjithëse me interes? Agjencitë e inteligjencës ndodhen në një situatë të ngjashme me atë të “dilemës së të burgosurit”. Do të donin ta merrnin informacionin në posedim të tjetrës, por preferojnë që të mos japin informacion në posedimin e tyre për të mos rrezikuar ato që përmendëm më sipër. Në qoftë se ndërveprimi ndodh një herë të vetme, strategjia dominuese për të dyja do të jetë mosshkëmbimi i informacionit, edhe pse kjo çon në një ekuilibër suboptimal. Vetëm nëse ndërveprimi përsëritet një numër të pafundëm herësh, atëherë bashkëpunimi bëhet strategjia më e mirë, boll që pala tjetër të veprojë njëlloj.
Shumë agjenci inteligjence ndërveprojnë në mënyrë të përsëritur për një numër të pafundëm radhësh, por bashkëpunimi shpesh mungon. Disa studiues theksojnë se ajo që i dallon marrëdhëniet më bashkëpunuese nga ato më konfliktuale është niveli i besimit reciprok dhe reputacioni i agjencive të përfshira. Sa më shumë besohet që një agjenci do të kalonte informacione të vlefshme do ta ruante sekretin mbi informacionin që merr, aq më shumë agjencitë e tjera do të ishin të prirura të bashkëpunojnë me të.
Besimi dhe reputacioni janë patjetër të rëndësishëm, por shpjegimi është i pakënaqshëm dhe pak ndriçues. Nuk është e qartë nga çfarë lind besimi dhe pse disa agjenci besojnë dhe të tjera jo. Disa theksojnë se besohet kur ekzistojnë interesa të përbashkëta dhe dyshohet kur interesat divergjojnë. Por rrallë interesat përkojnë plotësisht. Për më tepër, po të ishte kështu, besimi do të varej krejtësisht me interesat e përbashkëta dhe për pasojë, i parëndësishëm. Të tjerë e vënë theksin mbi sa është bërë në të kaluarën, por edhe ky shpjegim nuk është i mjaftueshëm. Në qoftë se bashkëpunoj vetëm me ata tek, të cilët kam besim dhe u besoj vetëm atyre me të cilët kam bashkëpunuar në të kaluarën, nuk është e qartë se çfarë mund t’i fillojë raportet e reja të bashkëpunimit. Së fundi, këshilla që buron nga ky shpjegim është i tillë: për të ndarë më shumë nesër, besoni dhe ndani më shumë sot.
Institucionet ndërkombëtare janë demonstruar të rëndësishëm në promovimin e bashkëpunimit midis shteteve, edhe kur mungon besimi. Megjithatë, në fushën e intelligence sharing institucionet luajnë një rol pothuajse zero, në mos deri të dëmshëm. Funksioni themelor i institucioneve ndërkombëtare, theksojnë teoricienët e institucionalizmit liberal, është ai i grumbullimit dhe i furnizimit me informacione shteteve anëtare lidhur me interesat dhe qasjen ndaj njëri-tjetrit. Të armatosur me këto informacione, shtetet mund të identifikojnë zonat në të cilat mund të bashkëpunojnë dhe të individualizojnë shkelje eventuale të marrëveshjeve. Grumbullimi dhe shkëmbimi i informacionit është kështu një hap i ndërmjetëm në favorizimin e bashkëpunimit. Kurse në fushën e intelligence sharing bashkëpunimi ezaurohet në shkëmbimin e informacionit. Sapo shtetet dhe agjencitë e inteligjencës së tyre vendosin të ndajnë informacion, bashkëpunimi tashmë ka ndodhur. Kështu që nuk është e qartë se çfarë roli mund të luajnë institucionet ndërkombëtare, veç në mos kanë kapacitetin e grumbullimit të informacionit vetë.
Krijimi i institucioneve ndërkombëtare bile mund ta frenonte intelligence sharing. Sa më i lartë që është numri i agjencive të përfshira, aq më të mëdha janë rreziqet e shkeljes së sekretit. Identifikimi i atij që nuk ka respektuar marrëveshjet bëhet shumë më i vështirë, sidomos kur bëhet fjalë për çështje sekrete. Stimujt për palët kontraktuese shkojnë kështu në drejtime të gabuara: të mos ndahet asgjë nga frika se mund të bjerë në duar të gabuara dhe të mos respektohen marrëveshjet duke e ditur se vështirë se do të zbulohen dhe eventualisht ndëshkohen. Jo rastësisht, shumica e intelligence sharing ndodh në baza bilaterale, jo multilaterale.
Në një prej punimeve më të mira lidhur me argumentin, James Walsh thekson se edhe pa besim reciprok mund të kishte një shkëmbim informacioni të fortë, boll që agjencitë e inteligjencës të krijonin një raport hierarkik. Në një hierarki, agjencia dominuese ka 3 tagra themelore: plazmon dhe interpreton marrëveshjen e intelligence sharing, krijon dhe ruan mekanizma mbikëqyrjeje dhe ndëshkon shkelje eventuale të marrëveshjes pa mundur që agjencia vartëse të përgjigjej. Hierarkia lehtëson negocimin e një marrëveshjeje, që do të pasqyrojë për më tepër interesat e partnerit dominues dhe redukton stimujt për të shkelur. Agjencia dominuese nuk do të kishte interes të shkelte një marrëveshje që e favorizon, ndërsa agjencia e dominuar do të dyshonte se mund ta shkelte marrëveshjen pa u zbuluar. Pikërisht pse redukton stimujt për të shkelur marrëveshjet, hierarkia nxit për intelligence sharing edhe agjenci që nuk i besojnë njëra-tjetrës.
Do të ishte gabim të interpretohej hierarkia si një renditje e thjeshtë. Agjencia e dominuar do të kishte akses në fonde dhe resurse teknologjike e njerëzore në rast të kundërt të padisponueshme. Më të shumtën e herëve do të specializohej dhe do të vihet në posedim informacioni për të cilat partneri dominues ka nevojë, duke e rritur kështu aftësinë negociuese të saj.
Novatorizmi teorik i Walsh është i merituar, por dinamikat e brendshme ndaj raporteve hierarkike nuk janë eksploruar plotësisht. Në radhë të parë, të gjitha rastet e hierarkisë të studiuara nga Walsh kanë si agjenci dominuese Shtetet e Bashkuara. Sikur studimi do të kishte përfshirë edhe vendet e bllokut sovjetik, arkivat e të cilit sot janë të hapura për studiuesit, do të kishim një ide më të plotë sesi funksionojnë hierarkitë. Edhe për raportet hierarkike të Shteteve të Bashkuara mbesin mjaft pika të errëta. Burimet mungojnë dhe nuk është e qartë se cilat janë saktësisht instrumentet e kontrollit hierarkik dhe sa janë vërtet efikasë ato. Për shembull, mund të flasim vërtet për hierarki amerikane ndaj inteligjencës egjiptiane, siç vepron Walsh? Nëse bëhet fjalë për hierarki, atëherë ngjarjet e 4 viteve të fundit të bëjnë të mendosh për një hierarki tejet të paqartë.
Megjithëse me ndonjë limit, a mund të identifikojmë kushtet që e bëjnë më të mundshëm intelligence sharing? Disa prej tyre janë të natyrshëm: në qoftë se interesat e shteteve përkojnë dhe në qoftë se midis agjencive të inteligjencës ekziston besim dhe vlerësim reciprok, do të ketë një shkëmbim informacioni më të madh. Të tjerat janë më interesante, por edhe më kontradiktore. Shkëmbimet bilaterale do të jenë më të lehta sesa ato multilaterale. Institucionet ndërkombëtare do të shërbejnë pak dhe mund edhe të jenë të dëmshme. Më të dobishme do të jenë në fakt raportet hierarkike midis agjencive, megjithëse me dinamika jo ende krejtësisht të eksploruara.

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakEksperienca afër vdekjes, çfarë përjetoi Moorjani?
Artikulli tjetërKriza e ujit nën hijen e luftës bërthamore