Kriza e ujit nën hijen e luftës bërthamore

Tayyab Baloch

Vendimi i qeverisë indiane për të prishur Traktatin e Ujërave Indus të vitit 1960 në mënyrë të njëanshme e tronditi shumë Pakistanin pasi bllokonte ndërtimin e digave në lumenjtë e rrjedhës së poshtme. Veprimi i papritur i Indisë erdhi menjëherë pas sulmit Uri kundër ushtarëve indianë në Kashmir. Në fakt, qeveria e Modit në New Dehli ndërmori hapa të njëpasnjëshëm për të izoluar dhe terrorizuar Pakistanin si kundërpërgjigje ndaj përpjekjeve të fundit diplomatike në Islamabad për të risjellë në vëmendje çështjen e Kashmirit.
India është tërbuar gjithashtu për shkak të ndërtimeve të mijëra digave nga ana e Kinës në pllajën e Tibetit në rrjedhën e sipërme të Ultësirës indo-gangetike. India është shprehur publikisht se i konsideron digat e Kinës në rrjedhën e sipërme si armë kundër vendit. Kështu, diplomacia aktuale e Indisë për çështjen e ujit sinjalizon se po përpiqet të “unifikojë” vendet e ulëta aziatike për të detyruar Pekinin të firmosë një marrëveshje të ndarjes së ujërave transkufitarë, si kundërpeshë ndaj politikës kineze të ndërtimit të digave. Akti i Indisë për të revokuar Traktatin e Ujërave Indus është pjesë e përpjekjes së vendit për t’i bërë presion diplomatik Pekinit që të përshpejtohet sa më shumë traktati i ujërave në rajon.

Uji i përdorur si armë
Kontrolli i ujërave në zonën e rrjedhës së sipërme mund të përdoret si armë kundër vendeve të rrjedhës së poshtme. Skenari aktual gjeopolitik në Azinë Jugore mund të përshkruajë lehtësisht se si vendet e rrjedhës së sipërme janë duke përdorur ujin si armë kundër vendeve të rrjedhës së poshtme.
Teksa Kina ndërton diga në burimet e ujit të pijshëm të Tibetit, India nga ana e saj drejton qindra projekte të hidroenergjisë dhe digash në Kashmir në lumenjtë e Pakistanit. Fatkeqësisht, India gëzon kontrollin kryesor të ujërave të 6 lumenjve Indus që i kanë dhënë avantazhe të shumta strategjike kundër Pakistanit, njëlloj si Kina që ushtron kontroll mbi ujërat e pllajës së Tibetit dhe ka përfituar avantazhe të mëdha kundër vendeve aziatike në përgjithësi.
Historikisht, për herë të parë pas lindjes së Pakistanit, India përdori armën e ujit duke ndaluar furnizimin me ujë nga çdo kanal që buronte nga India në Pakistan më 1 prill të vitit 1948. Pas protestave të shumta në Pakistan, India ra dakord të firmoste një marrëveshje të përkohshme më 4 maj 1948, por zgjidhja e përhershme u arrit vetëm në shtator të vitit 1960, kur të dy vendet nënshkruan marrëveshjen e njohur si Traktati i Ujërave Indus.
Sipas këtij traktati, Pakistani do të përfitonte të drejta ekskluzive në tre lumenj perëndimorë të quajtur Indus, Jhelum dhe Chenab, ndërsa India do të vazhdonte të gëzonte të drejtat mbi lumenjtë lindorë, të quajtur Ravi, Beas dhe Sutluj. Fatkeqësisht, India jo vetëm që ka ndërtuar diga gjigante në lumenjtë pakistanezë të sipërpërmendur, por është duke punuar aktivisht edhe për të ndryshuar rrjedhën e lumenjve të Pakistanit drejt Indisë përmes tuneleve masive.

Impakti i digave indiane
Herën e parë që India kërcënoi se do të revokonte në mënyrë të njëanshme Traktatin e Ujërave Indus, ishte hera kur e shkeli këtë traktat përmes ndërtimit të digave aq të debatuara në zonën e pushtuar të Kashmirit në lumenjtë pakistanezë. Në fakt, India është duke punuar intensivisht në një strategji për ta bërë tërësisht të padobishëm sistemin e kanalizimeve të Pakistanit, duke shkatërruar kështu bujqësinë që është edhe shtylla mbajtëse e ekonomisë së vendit, praktikisht duke e kthyer Pakistanin në shkretëtirë.
India nuk ka të drejta speciale mbi lumin Chenab, por kjo nuk e ka ndaluar të ndërtojë 14 hidrocentrale dhe është duke shtuar projekte të tjera ndërtimi që kërcënojnë të bllokojnë të gjithë rrjedhën e lumit të Chenabit për 20-25 ditë me radhë. Politika e ndërtimit të digave në lumin perëndimor të Chenabit është një shkelje e hapur e traktatit dhe i ka ofruar Indisë avantazhe strategjike kundër Pakistanit, duke qenë se digat i kanë dhënë Indisë mundësinë për të përdorur ujin si armë të shkatërrimit në masë, përmes lëshimit të sasive të mëdha të ujit në rrjedhën e poshtme, jo vetëm duke dëmtuar të mbjellat, por edhe duke prishur sistemet e kanalizimit. Lumi i Chenabit siguron ujë për 21 kanale dhe ujit 3 milionë hektarë tokë bujqësore në provincën Punjab të Pakistanit.
Edhe pse traktati nuk e lejon Indinë të ndërtojë gardhe, vendi i ka ndërtuar ato në lumin Chenab dhe Jhelum këto gardhe në diga rrisin edhe më shumë manipulimin që India i bën rrjedhës së ujit dhe penda Baglihar në lumin Chenab është shembulli ideal. Kur India vendosi ta mbushte digën e Bagliharit, e bëri pikërisht në kohën kur mund të shkaktonte dëmin maksimal tek fermerët pakistanezë.
Sipas një raporti, mbajtja e ujit në digën e Bagliharit ka reduktuar rrjedhën e ujit në lumin Chenab gjatë periudhës së mbjelljes ndërmjet gushtit dhe tetorit dhe ka ndikuar shumë keq në sektorin e bujqësisë së Pakistanit. Vendi ka humbur sasi të jashtëzakonshme uji, fermerët nuk arritën të ujitnin tokat e mbjella për shkak të mungesës së ujit dhe 3.5 milionë ngastra toke kanë mbetur shterpë. Të mbjellat e pambukut dhe të orizit në Punjab u shkatërruan plotësisht për shkak të mungesës së ujit.
Ndërkohë, diga Chutak e ndërtuar nga India në lumin Suru (një degë e rëndësishme e lumit Indus në zonën indiane të Kashmirit) është bërë gjithashtu një kërcënim i drejtpërdrejtë për Rrugën e Mëndafshit të Pakistanit (autostrada Karakoram). Në rastin ekstrem të kolapsit të digës ose lëshimit të qëllimshëm të një sasie të madhe uji, Rruga e Mëndafshit ndërmjet Bashamit dhe Jaglotit do të zhdukej plotësisht, gjë që është mjaft kërcënuese për Pakistanin. Një event i tillë mund të fundoste plotësisht qytetin Skardu në veri të Pakistanit së bashku me aeroportin e tij.
Përveç lumenjve Chenab dhe Jhelum, India po punon aktivisht për të ndërtuar diga edhe në lumin Indus që përbën kërcënim direkt për bujqësinë pakistaneze, sepse është një nga lumenjtë më të mëdhenj në botë që kalon në pllajën e Tibetit dhe 400 kilometra përmes Kinës, 300 kilometra përmes Indisë dhe më as futet në Pakistan me një gjatësi totale prej 3,200 kilometrash.
Të gjithë lumenjtë në Pakistan takohen në lumin madhështor Indus, i cili derdhet më pas në Detin Arabik. Një studim i kohëve të fundit, i titulluar “Malet prej betoni: Ndërtimi i digave në Himalaje” paralajmëron se Pakistani ndodhet në prag të katastrofës së plotë për shkak të ujit. Ekziston mundësia që furnizimi me ujë të reduktohet deri në 800 metër kub për banorë në vit deri në vitin 2020, krahasuar me 1,200 metër kub në vit në ditët e sotme. Vetëm 60 vite më parë, çdo qytetar pakistanez gëzonte një sasi vjetore prej 5 mijë metër kub ujë.

Çështje mbijetese
Ndryshe nga India, Pakistani është thellësisht i varur nga agrikultura dhe sistemi unik i ujitjes që furnizohet prej lumit Indus. Pakistani është 80 për qind i varur nga ujitja për sektorin e bujqësisë. Nuk ka asnjë dyshim se bujqësia është motori i ekonomisë pakistaneze, pasi përbën 21 për qind të GDP-së dhe së bashku me produktet me bazë bujqësore, përbëjnë plot 80 për qind të të ardhurave totale nga eksporti. Mbi 48 për qind e fuqisë punëtore të vendit është e punësuar në sektorin e bujqësisë.
Kështu, duke qenë një vend agrar, kriza e ujit në Pakistan dhe problemet me Indinë janë po aq të rëndësishme sa rezolutat e Kombeve të Bashkuara për çështjen e Kashmirit. Në fakt, të dy çështjet janë të ndërlidhura, duke qenë se Kashmiri është një litar shpëtimi për Pakistanin. Kjo është arsyeja përse janë zhvilluar tri luftëra ndërmjet Indisë dhe Pakistanit për kontrollin mbi zonën e Kashmirit dhe burimeve ujore.
Pakistani e ka ngritur shpesh zërin kundër politikave të ndërtimit të digave të Indisë në zonën e pushtuar të Kashmirit dhe ujërat pakistaneze. India ka zhvilluar deri tani 50-60 projekte të madhësisë mesatare dhe planifikon të zhvillojë mbi 100 të tilla. Politika e ndërtimit të digave tregon qartë se India kërkon të bllokojë çdo pikë uji në Pakistan.
Duke pasur parasysh ndërlidhjen e rëndësinë e çështjes së Kashmirit dhe burimeve ujore, rezoluta për çështjen e ujërave duhet të jetë medoemos pjesë e çdo procesi normalizimi të marrëdhënieve ndërmjet Indisë dhe Pakistanit. Projekti hidroelektrik Hasti, projekti hidroelektrik Salal, projekti hidroelektrik Uri – I & II, projekti hidroelektrik Kishanganga, digat Baglihar, Bursar, Kirthai, Sawalkot, Nimoo Bazgo, Dumkhar & Chutak dhe Wullar janë të gjithë projekte të debatuar që rrisin çdo ditë tensionet ndërmjet Indisë dhe Pakistanit pasi janë ndërtuar në lumenjtë perëndimorë mbi të cilët Pakistani ka të drejta ekskluzive.
Pas kërcënimit të Indisë për të revokuar në mënyrë të njëanshme, Pakistani mund të kishte vendosur gjithashtu të shkelte traktatin sepse India e kishte shkelur atë kohë më parë duke ndërtuar digat në ujërat pakistaneze. Proceset e arbitrazhit të Bankës Botërore do të duhet të rihapen menjëherë për të ndaluar ndërtimin e digave të debatuara në lumenjtë Chenab, Jhelum dhe Indus.

Kina, dragoi i etur
Njëlloj si Kina, vendet e Azisë Jugore dhe të Azisë Lindore janë duke u përballur gjithashtu me mungesë të ujit dhe janë plotësisht të varur nga kontrolli që Kina ushtron mbi furnizimin e ujit të pijshëm në pllajën e Tibetit. Tibeti është burimi i dhjetë lumenjve kryesore të Azisë që furnizojnë me ujë 25 për qind të popullsisë globale. Kështu, njihet si litari i shpëtimit të Azisë.
Fatkeqësisht, politika masive e ndërtimit të digave nga ana e Kinës në Tibet është kthyer në një rrezik të hapur për mungesë të theksuar të ujit në Azinë Jugore dhe Juglindore. Aktualisht, Kina ka 87 mijë diga dhe shumica e tyre janë ndërtuar në Tibet. Për më tepër, ka në plan të ndërtojë akoma më shumë diga dhe projekte hidrocentralesh në të ardhmen për të përmbushur nevojat e zonave me burime të varfra ujore të vendit. Planet e ndërtimit të digave dhe ndarjes së ujit të Kinës përgjatë Yarlung Zangbo, njohur ndryshe si Brahmaputra në Indi, janë burim i theksuar tensioni ndërmjet Kinës, Indisë dhe Bangladeshit.
Përveç digave në lumenjtë e Azisë Jugore, Kina po punon edhe për të ndërtuar 21 diga të tjera shtesë në rrjedhën e sipërme të lumit Mekong, i cili është burimi kryesor i ujit për vendet e Azisë Juglindore dhe Vietnamit. Mekond kryqëzohet me rrjedhat e Qinghai, Tibetit dhe Yunnanit përpara se të kalojë në Mianmar, Laos, Tajlandë, Kamboxhia dhe Vietnam.
Katër vende të rrjedhës së poshtme, Laos, Kamboxhia, Vietnam dhe Tajlandë, kishin vendosur të ndanin kontrollin mbi ujërat e lumit Mekong për shmangur konfliktet ndërmjet vendeve që i përket baseni i këtij lumi përmes promovimit të menaxhimit të qëndrueshëm dhe zhvillimit të ujërave për përfitimin e përbashkët, ndërsa Kina ka rolin e vendit vëzhgues në Komisionin e Lumit Mekong që merret me menaxhimin e ujërave. Kina dhe Komisioni janë në konflikt të hapur për shkak të ndërtimit të digave në rrjedhën e sipërme. Megjithatë, për shkak të presionit diplomatik nga Shoqata e Vendeve Aziatike Juglindore, Kina ka rënë dakord të respektojë mekanizmin e bashkëpunimit Lancang-Mekong në nëntor të vitit të kaluar.
Ligji ndërkombëtar dhe konventat njohin të drejtat ekskluzive të përdorimit të ujërave për vendet e rrjedhës së poshtme në lumenjtë transkufitarë, por fatkeqësisht, Kina është i vetmi vend që nuk aderon në to. Politika e ndërtimit të digave sugjeron se Kina po punon për të përmbushur interesat e saj kombëtare për shkak të mungesës së theksuar të këtij vendi për ujë. Një e katërta e territorit kinez përbëhet nga shkretëtira, ndërsa në tërësi Kina është një sipërfaqe toke tepër e egër dhe me popullsinë më të madhe në botë. Nga ana tjetër, të gjithë lumenjtë tibetianë që lundrojnë në Azinë Jugore dhe Juglindore kanë basenet më të populluara dhe derdhen në Detin e Kinës së Jugut, Gjirin e Bengalit dhe Detin Arabik.

Pasojat gjeopolitike
Një profesor rus në Universitetin Politeknik Tomsk dhe kreu i kërkimeve për Institutin e Gjeologjisë së Naftës dhe Gjeofizikës, Stepan Svartsev, thotë se uji është një burim po aq i vlefshëm sa edhe nafta, gazi apo floriri dhe herët e vonë, vendet me burime të pasura ujore do të fillojnë ta shesin atë. Kemi filluar prej kohësh ta shesim atë në dyqane dhe gjithmonë e më shumë njerëz e blejnë. Uji është duke u kthyer në një produkt të tregtueshëm dhe me kalimin e kohës do të jetë më i vlefshëm se nafta. Duhet të përgatitemi për këtë.
Është parashikuar gjithashtu se luftërat e së ardhmes do të luftohen për shkak të ujit dhe fatkeqësisht, të gjithë konfliktet kufitare të vendeve aziatike bërthamore (Kina, India dhe Pakistani) bazohen në kontrollin që ushtrohet mbi burimet ujore. Tani që bota po lëkundet në prag të luftës, tensionet në Azinë Jugore janë rritur dhe Pakistani kërcënon Indinë me luftë bërthamore për shkak të politikës së saj të bllokimit dhe ndryshimit të rrjedhës së lumenjve që lidhen direkt me Kashmirin. Për më tepër, Pakistani është bërë subjekt i luftës hibride të Indisë pasi i ka dhënë akses tokësor Kinës për të arritur në Detin Arabik, gryka e lumit Indus.
Përpjekjet e Indisë për t’ju kundërpërgjigjur Kinës mund të shihen lehtësisht në përpjekjen e suksesshme për të përçarë SAARC-në dhe për të nxitur një luftë të ftohtë ndërmjet vendeve të Azisë Jugore. Në fakt, India është duke u bashkuar me vendet e Azisë Jugore dhe Juglindore kundër Kinës duke nxitur akoma më shumë konfliktet për ujin. Kështu në Azinë Jugore, Bangladeshi, i cili varet direkt nga lumenjtë indianë dhe Butani që gjithashtu ka konflikte me Kinën, janë duke mbështetur diplomacinë e Indisë në izolimin e Pakistanit, një lëvizje që ka për qëllim të godasë Kinën. Ndërkohë, Pakistani i cili gjithashtu lufton luftën e Kinës në Azinë Jugore, është kthyer në viktimën e luftës së ujit të Indisë dhe Kinës.
Kontrolli kinez mbi çatinë e botës i ka dhënë një pozicion unik dhe strategjik Pekinit për të siguruar furnizimin me ujë dhe nevojat e së ardhmes në mënyrë të njëanshme. Por në rastin e Pakistanit, kërcënimi indian për të prishur traktatin sugjeron se India ka ndërmend të adoptojë të njëjtat politika sulmuese të Kinës kundër Pakistanit. Fatkeqësisht, Pakistani jeton në parajsën e budallait nëse mendon vërtet se India nuk mund ta bëjë marrëveshjen e tyre të pavlefshme. Në fakt, India deri tani nuk e ka shkelur traktatin, por ka vazhduar të ndjekë ëndrrën e saj për ta “zbutur” Pakistanin për të përmbushur qëllimet e veta kombëtare.

A mund ketë zgjidhje paqësore?
Ka ardhur koha që Kina të rishqyrtojë politikën e saj mbi ujin e pijshëm të Tibetit tek i cili varen shumica e vendeve aziatike për të përmbushur nevojat jetike. Kina nuk ka firmosur asnjë marrëveshje në lidhje me ndarjen e lumenjve transkufitarë, madje as Konventën e Ujërave të Kombeve të Bashkuara të vitit 1997 që përcaktoi kornizën ligjore të bashkëpunimit ndërmjet 100 vendeve të ujërave të tyre ndërkombëtarë.
Nga njëra anë Kina po punon drejt zhvillimit paqësor dhe ka krijuar një skenar ku del gjithmonë fituese për ringjalljen e Rrugës së Mëndafshit përmes iniciativës së propozuar “Bet Road”. Nga ana tjetër, ka ndërmend të bllokojë furnizimin me ujë të pijshëm që kanë qenë pjesë e kësaj rruge antike. Me fjalë të tjera, të gjithë lumenjtë tibetianë janë degë të Rrugës së Mëndafshit sipas Kinës. Kontrolli strategjik mbi ujërat aziatike i kanë dhënë Kinës aksesin në rrugët detare të Detit të Kinës së Jugut.
Duke qenë vëllai i madh i Azisë, Kina duhet të adoptojë politikën e bashkëpunimit në rajon në rast se kërkon të ndihmojë fqinjin miqësor Pakistanin përmes rregullave të bashkëpunimit në menaxhimin e ujërave ndërkufitare, pasi Pakistani është kthyer në viktimën e të njëjtës politikë të ndërtimit të digave që Kina ka zhvilluar kundër Tibetit. Politika e bashkëpunimit mund të ndihmojë edhe Kinën që të pastrojë rrugët ujore të Gjirit të Begalit dhe Detit të Kinës së Jugut.
Në fakt, topi është tani në fushën kineze duke qenë se është shfaqur në arenën botërore si lider i botës multipolare. Tani ka ardhur koha të braktisen politikat egoiste. Nëse Kina arrin të nënshkruajë një traktat të ndarjes së ujërave ndërkufitare me Rusinë për lumin Amur të Siberisë, përse nuk nënshkruan dot një marrëveshje të tillë edhe me vendet aziatike?
Është e vërtetë se çdo vend i botës duhet të ndjekë fillimisht interesat e veta, por politikat masive të ndërtimit të digave nga gjigantët aziatikë si Kina dhe India dëshmojnë se interesat individuale duhet të sakrifikohen për hir të përfitimeve kolektive dhe zhvillimit pozitiv rajonal. Nëse Kina është e interesuar të shpëtojë Azinë nga lufta bërthamore, do të duhet të ulet në tavolinën e bisedimeve dhe të zgjidhë konfliktet e ujit në Azi. Kina është edhe shpresa e fundit e Pakistanit për të shpëtuar vendin nga shkretëtira e plotë.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakNë botën e spiunëve
Artikulli tjetërVetëvritet në paraburgimin e Shënkollit një i burgosur