Ndër të fundit në Europë në indeksin e shëndetit konsumator

Ministria justifikohet me faktin se shqiptarët shkojnë tek doktori vetëm për hall, por raporti e nxjerr blof: Shqiptarët shkojnë te doktori dy herë më shumë se suedezët. Ndër të fundit në Europë për parandalimin dhe shumëllojshmërinë dhe aksesin e shërbimeve…
Shqipëria renditet e 32-a nga 35 shtete europiane në Indeksin e Shëndetit Konsumator 2016 të matur nga Health Consumer Powerhouse, të publikuar më 30 janar.
Indeksi është një mënyrë për të matur se në çfarë mase, secili nga 35 vendet përmbush pritshmëritë e një shëndeti shëndetësor të mirë dhe të orientuar ndaj konsumatorëve.
Shqipëria është përfshirë në këtë indeks me kërkesë të Ministrisë shqiptare të Shëndetësisë, thuhet në raport.
Shqipëria, thekson raporti, ka burime shumë të kufizuara të kujdesit shëndetësor.
Më keq se ne renditen Rumania, Mali i Zi dhe Bullgaria. Por, raporti thekson se Shqipëria shpëton nga vendi i fundit, kryesisht për shkak se ka një performancë të fortë në akses, ku organizatat e pacientëve gjithashtu më 2016-n konfirmuan versionin e ministrisë se kohët e pritjes janë një problem i vogël.
Shpjegimi i ministrisë për nivelin e ulët të përdorimit të kujdesit shëndetësor lidhet me faktin se “shqiptarët janë të vështirë dhe shkojnë tek doktori vetëm kur janë të detyruar”. Por, sipas raportit, ky është një thjeshtim i situatës; shqiptarët vizitojnë doktorin e tyre kryesor mëse dy herë më shumë se suedezët (3.9 vizita në vit kundrejt 1.7).
Shqipëria ndan të njëjtin problem me të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit, me përjashtim të Sllovenisë: është e vështirë të vlerësohet se cilat shërbime shëndetësore janë të aksesueshme pa pagesë nën dorë.
Sipas raportit, Shqipëria paraqitet më keq në treguesin e parandalimit, me 65 pikë, produkteve farmaceutike me 35 pikë dhe sidomos llojit dhe aksesit në shërbime, ku është e fundit në Europë me vetëm 42 pikë. Në total, Shqipëria merr 526 pikë.
Shërbimin më të mirë shëndetësor në Europë e kanë Holanda (927 pikë), Zvicra (904), Norvegjia (865).
Në Europën Juglindore, Italia dhe Spanja ofrojnë shërbime shëndetësore, ku ekselenca mjekësore mund të gjendet në shumë vende.

Artikulli paraprakRikthehet debati për importin e mbetjeve
Artikulli tjetërFMN: Shqipëria vendi me më pak investime të huaja