Rikthehet debati për importin e mbetjeve

Ligji për importin e integruar të mbetjeve do të rikthehet në diskutimet e Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese. Palët e interesit i janë përgjigjur letrës së Eduard Shalsit duke i qëndruar të njëjtave pika kundërshtuese ndërsa AKIP ka kërkuar të respektohet dekreti i Nishanit. Grupet e interesit, shoqatat dhe ambientalistët i kanë kthyer përgjigje kryetarit të Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Eduard Shalsi në lidhje me kërkesën për rishikimin e ligjit për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Edhe këtë herë Aleanca kundër Importit të Plehrave ka shprehur rezervat lidhur me ndryshimet në ligj, ndërsa thekson se nuk është respektuar dekreti i presidentit. AKIP gjykon se importi i mbetjeve është një çështje e refuzuar në mënyrë masive nga qytetarët e këtij vendi, jo vetëm me sondazhe me mbi 90% të popullsisë, por dhe me 65000 firma referendare dhe me protesta të vazhdueshme. Ndaj gjykojmë se amendimet Shalsi duhet të rrëzohen si të papranueshme dhe të miratohet dekreti i Presidentit. Nga ana tjetër, Qendra e Studimeve të Burimeve Natyrore thekson se janë njësitë vendore ato, të cilat duhet të ndërmarrin fushata informuese për ndarjen e mbetjeve në burim. Lidhur me ndarjen e mbetjeve të riciklueshme, që është edhe një nga objektivat e ligjit të menaxhimit të integruar të mbetjeve, duhen zbatuar forma më praktike, në kushtet e favorshme të krijuara nga ndarja e re administrative-territoriale, vendosja e administratorëve të pallateve dhe administrimi me bordin e banorëve dhe rolit që do të luajnë në komunitet bordet e zgjedhura të pallateve. Po ashtu sipas kësaj qendre, mbetet shqetësuese çështja e ngritjes së incerneratorëve. Forumi i Mendimit të Lirë dhe Instituti i Kërkimeve Urbane mjafton që ligji të zbatohet me përpikmëri dhe kjo nuk krijon asnjë problem e asnjë rrezik për importin e mbetjeve.

Artikulli paraprakTAP do kushtojë 4.5 miliardë euro
Artikulli tjetërNdër të fundit në Europë në indeksin e shëndetit konsumator