Mosmarrëveshjet brenda koalicionit qeveritar

Arsyeja se pse sucifiti buxhetor është kaq i lartë lidhet thjesht dhe qartazi me mosmarrëveshjet brenda koalicionit qeverisës aktual, ku Ministria e Financave kontrollohej nga socialistët, ndërsa Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, e cila zë shumicën dërrmuese të investimeve publike, kontrollohet nga LSI.
Kjo mosqeverisje e vendit ka bërë që shpenzimet buxhetore të mos realizohen sipas planit, ndërsa ekonomia vuan luhatje të larta e të panevojshme, të cilat Banka e Shqipërisë i konsideron si një problem jo të vogël. “Banka e Shqipërisë gjykon se një shpërndarje më e njëtrajtshme e shpenzimeve buxhetore gjatë vitit, do të përmirësonte efektivitetin e tyre dhe do të reduktonte luhatjet në treguesit ekonomikë e financiarë”, deklaroi BSH tetorin e kaluar.
Nëse hyn të shpjegosh çdo term të kësaj fjalie, përfshirë termat, “efektivitet” dhe “luhatje”, atëherë kritika është shumë më e rëndë nga sa lihet të kuptohet nga gjuha zakonisht burokratike e BSH. Efektiviteti ka të bëjë me faktin se sa rritje ekonomike prodhojnë shpenzimet buxhetore. Do të thotë, nëse qeveria ka, fjala vjen, 100 milionë euro për të shpenzuar, kompanitë dhe individët që përfitojnë këto para krijojnë kushtet për t’i përthithur duke i kthyer 100 milionë euro investim publik, idealisht në më shumë 100 milionë euro vlerë të shtuar bruto. Por kur qeveria shpenzon një muaj 1 milion dhe një tjetër, 99 milionë, atëherë ekonomia nuk është në gjendje ta tresë këtë shumë parash për ta konvertuar në rritje ekonomike. Rrjedhimisht, kjo gjë shkakton “luhatje” në treguesit ekonomikë e financiarë. Për shembull, punëtorët që duhet të jetojnë me këto fonde publike, një muaj e marrin rrogën dhe shumë muaj të tjerë nuk e marrin, kompanitë që mund të kenë kredi, një muaj e shlyejnë kredinë dhe disa muaj nuk e shlyejnë, punimet që duhet të kryhen gradualisht dhe në mënyrë të shëndetshme përgjatë disa muajve, kryhen me nxitim dhe pa cilësi brenda një periudhe të shkurtër.
Asgjë nga këto nuk është arsye për t’u mburrur. Një qeveri e mirë duhet të dijë t’i qëndrojë planit të vet, jo vetëm në të ardhura, por edhe në shpenzime.

Artikulli paraprakThellohet afera, koncesioni i hemodializës i kalon kompanisë guaskë në Amsterdam
Artikulli tjetër“Lufta” e Italisë ndaj call center në Shqipëri