PRONONCIMI PËR MEDIAT I KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA, NË OBORRIN E KUVENDIT

Trajtimi i gjyqësorit dhe trajtimi i medias duhet të jenë të njëjtë nga politika. Jo vetëm kërkesat që parashtruat këtu, por faktikisht politikanët nuk kanë punë të komunikojnë drejtpërdrejtë as me gazetarët, as me redaktorët, as me pronarët e medias. Një kod etike i standardeve europiane do ta ndalonte këtë, ose do t’i kërkonte çdo politikani që ka një kontakt të këtill, të shpjegonte natyrën e kontaktit, sepse dihet që këto kontakte bëhen për pazare, bëhen për favore, bëhen për të ushtruar presion. Por padiskutim që sot jetojmë në një ambient mediatik i cili është pothuajse tërësisht i dominuar nga interesat politike. Pa zgjidhur këtë, asgjë tjetër nuk zgjidhet dot. Edhe situata ekonomike e gazetarëve është një derivat i kësaj, duke i mbajtur gazetarët për bukën e gojës, janë më të kontrollueshëm. Kaq e thjeshtë është . Prandaj demi duhet kapur nga brirët dhe briët janë konflikti i interesit midis politikës dhe medias. Trajtimi i kësaj çështejeje kërkon në radhë të parë një angazhim të vërtetë politik dhe në radhë të dytë këtë që sapo keni nisur dhe për të cilën ju inkurajoj, një qëndrim të qartë dhe të prerë. Sepse sado të jetë presioni i politikës mbi pronarët e mediave, pronarët e medias nuk bëjnë dot gjë nëse ndeshen në murin e solidaritetit të gazetarëve. Ky është qëndrimi im personal, padiskutim edhe Partia Demokratike e ka pjesën e vet të reflektimit në këtë çështje. Nuk mendoj se jemi shkaku i problemit. Por mund të kemi kontribuar me format dhe mënyra të ndryshme në përpjekje për t’iu kundërvënë betejës së vazhdueshme së qeverisë për të vënë nën kontroll politik median. Ndaj jemi të hapur që në bashkëpunim edhe me organizime të ndryshme të gazetarëve, të koordi nojmë pjesën tonë që na takon ne si opozitë për të mbështetur një faqe të re për median shqiptare.

Mos të harrojmë se 34 vite më parë liria e medias i parapriu lirive të tjera, konsolidoi lirinë e sapofituar politike dhe kontribuoi në zhvillimin e një debati të shëndosh politik dhe shoqëror derisa interesat politike iu mbivendosën. Liria e medias, gjyqësori i pavarur janë dy shtyllat dhe dy kollonat të një shoqërie të lirë dhe të përpauar. Gjithkush që kërkon të jetojë në një vend normal, me standarde normale duhet ta dij se kjo do të jetë e pamundur sa kohë që nuk ka një media të lirë dhe një gjyqësor të pavarur. Kështu që në këtë kuptim, jo vetëm që solidarizohem me kërkesat e shpallura këtu dhe shpreh reflektimin dhe ndjesën tonë si Parti Demokratike për atë pjesë të problematikës që mund të ketë ardhur nga vet ne. Por kërkoj dhe shty të gjithë mediat shqiptare, të gjithë punonjësit e medias, gazetarë, operatorë, kryeredaktorë që ta vazhdojnë këtë aksion.

Ndërsa politikës, atyre që me sinqeritet duan të mbështesin lirië e medias, i kërkoj ta kapin demin nga brirët. Konflikti i interesit mes nivelit të lartë politik, pushtetit të çfarëdolloj natyre qoftë ky dhe pronarëve të medias, është burimi i të keqes, aty duhet kërkuar e keqja dhe duhet nisur, siç e thash me një kod etik i cili do të detyronte në Shqipëri, si kudo në Europë, shpjegime të qarta për çdo kontakt të papërshtatshëm midis politikanëve, njerëzve të pushtetit dhe njerëzve të medias. Sigurisht media është e pranishme në formate intervistash, në konferenca, emisione, por çdo kontakt i një natyre tjetër qoftë ky SMS, telefonata, kërcënime publike, apom private, apo përplasje interesash me pronarët e medias, duhet jo vetëm të përjashtohet nga ky kod etik, por dhe të kriminalizohet, pra të bëhet subjekt i ndjekjes penale. Nesër është dita e lirisë së shtypit dhe është momenti për të shprehur ndjesën dhe nevojën për një reflektim. Por siç e thash, nëse e lëmë në kuadër të 1 ditë vit, kjo s’ka për të shkuar askund. NE kemi pasur raste të bisedojmë off rekord, që është një format etik për çështje të ndryshme duke përfshirë edhe lirinë e medias, është e qartë që zhytja e Shqipërisë vit pas viti është produkt i pastër i pushtetit dhe i nevojës së një pushteti të korruptuar për të kontrolluar çdo media, për të kontrolluar çdo zë të lirë. Dhe sigurisht kjo bëhet dhe me e rrezikshme kur pushteti politik, përzihet me interesat e krimit të organizuar.

Çështja tjetër që desha të trajtojë është puna e amnistisë. Tashmë është e qartë se ajo që ne ngritëm si shqetësim, ka qenë një plan i mirëfilltë. Dhe pyetja e parë që shtrohet është, pse edhe në rastin e projektligjit të parë u konsultua SPAK-ku, Prokuroria? Pse në rastin e dytë këta u përjashtuan dhe gjithçka erdhi si nëj pazar i çastit të fundit. Përgjigjen e kemi paa syve tanë. Ulsi Manja dhe qeveria që ai përfaqëson, Partia Socialiste, vet Edi Rama, kanë pasur një dhe vetëm një interes, i kanë mbajtur 3 muaj më gjatë në burg një numër të madh familjarësh, prindërish të dënuar, që do të përfitonin më herët nga amnistia, që të lironin mbi 80, madje shifra ka arritur mbi 100 persona të dënuar për korrupsion. Kjo nuk do të ishte e mundur pa bashkimin e votave me një pjesë të deputetëve të cilët ndodhen aty me votat e Partisë Demokratike.

Ndaj ne kemi depozituar dje kërkesën për një interpelancë urgjente me Ulsi Manjën, sikundër që ky është momenti që çdokush që i është kërkuar në pretendime false të votojë për këtë amnisti, të shpreh distancim të plotë dhe të qartë. Partia Demokratike dhe deputetët e Partisë Demokratike dhe çdokush i dalë nga votat e Partisë Demokratike, pavarësisht prej diferencave që mund të kemi për çështje të tjera, nuk mund të përzihen e të përfshihen në këtë Pazar të ndyrë i cili kishte dhe ka për qëllim së pari lirimin e zyrtarëve të korruptuar dhe të dënua për korrupsion nga SPAK-u. Dhe së dyti lëshimin e këtij mesazhi të lig dhe të rrezikshëm për drejtësinë dhe demokracinë që edhe në rastet kur zyrtarët dënohen, politika, në këtë rast qeveria në bashkëpunim me segmente të cilat ndodhen në aty me votën e opozitës, i lirojnë duke bërë presion të hapur ndaj dejtësisë. Ndaj për këtë kemi kërkuar interpelancë urgjente dhe presim që mos të ketë të njëjtin fat si me interpelancat e tjera të kërkuara me Edi Ramën, si në rastin e zëvendëskryeministrit Ahmetaj dhe në rastin e kampeve të refugjatëve.

Ne presim përgjigje zyrtare nga institucionet e drejtësisë të cilëve u kemi kërkuar informacion të sakt. Mesa duket në mënyra dhe forma të tjera, meë jemi edhe tek media, kolegët tuaj kanë qenë në gjendje të sigurojnë burime të besueshme që ky numër vërtetitet nga 80 deri në 100 zyrtarë të korruptuar, të dënuar edhe njëherë nga GJKKO. Po e pësëris që 2 kanë qenë qëndrimet tona për të cilat kemi kërkuar reflektim nga të gjithë. Së pari nga qeveria, por edhe nga të tjerët. I pari që nga amnistia nuk mund të përfitojë askush i dënuar nga GJKKO për korrupsion. Dhe së dyti që nuk mund të përjashtohet asnjë protestues që është ngritur kundër korupsionit qeveritar. Kështu që të dhënat të cilave iu referohem janë të dhëna të bëra publike nga kolegët tuaj, ndërkohë që presim përgjigje zyrtare nga institucionet e dejtësisë.

Artikulli paraprakBasha denoncon nga Kuvendi pazarin e PS me grupin e Berishës dhe Bardhit: U liruan 100 të dënuar nga GJKKO
Artikulli tjetër“Dua të votoj 2025”, qytetarët pankartë në Kuvend, kërkojnë votën e diasporës