“Lufta” e Italisë ndaj call center në Shqipëri

Në Itali, në datën 1 prill, hyri në fuqi Ligji “Për delokalizimin” e call center. I miratuar në dhjetor të vitit të kaluar, ligjit iu la një periudhë tranzitore për të hyrë në fuqi me qëllim që kompanitë të njiheshin me rregullat e reja, zbatimin e standardeve, raportimin e numrit të punonjësve, adresave të selive, mbrojtjes së të dhënave etj. Përveç ligjit, në maj erdhi goditja finale për call center. 13 kompani të mëdha firmosën një protokoll mirëkuptimi me kryeministrin italian Paolo Gentiloni dhe ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Carlo Calenda. Kjo marrëveshje parashikon që “95% e aktiviteteve që kryhen direkt të kalojnë në Itali brenda gjashtë muajve nga nënshkrimi dhe në kontratat e reja, të paktën 80% e vëllimeve outsourcing të kryhen në territorin italian”, raporton “Il Sole 24 ore”. Janë 13 kompani që janë angazhuar në këtë marrëveshje. Këto subjekte përbëjnë 65% të sektorit përsa i përket xhiros: Eni, Enel, Sky, Mediaset, Tim, Vodafone, Wind Tre, Fastweb, Intesa SanPaolo, Unicredit, Poste Italiane, Ntv, Trenitalia. Kjo marrëveshje vjen pasi qeveria italiane mori disa masa në ligjin e buxhetit për të vështirësuar delokalizimin e shërbimit call center dhe që hynë në fuqi më 1 prill. Kohëzgjatja e protokollit është 18 muaj dhe pas një viti do të ketë verifikim. Ndër pikat kyçe të protokollit të call center që është firmosur nënvizohet fakti se do të kufizohet delokalizimi i këtyre kompanive, sipas kushtit që: 80% e aktivitetit të realizohet në Itali. Që në muajin dhjetor, kur Parlamenti italian kaloi në ligjin për buxhetin edhe masat shtrënguese, që synonin frenimin e delokalizimit të call center në vendet jashtë BE-së, kompanitë në Shqipëri i kanë marrë masat. Operatorët më të mëdhenj kanë regjistruar tashmë kompani edhe në Rumani, që duke qenë brenda BE-së nuk i nënshtrohet kufizimeve të masave shtrënguese. Mbyllja e kompanive të vogla call center në Shqipëri ka filluar, të tjerë raportojnë vështirësi dhe në përgjithësi operatorët e tregut presin që deri në fund të vitit të bëhet më e qartë situata. Të tjerë kanë filluar të diversifikohen drejt shërbimeve të tjera, si web marketing apo dhe forex. Po synohet dhe tregu gjerman, por gjithsesi numri i të rinjve shqiptarë që dinë gjermanisht është shumë më i ulët se ai atyre që flasin italisht.

Artikulli paraprakMosmarrëveshjet brenda koalicionit qeveritar
Artikulli tjetërKonkurrenca hap hetimin paraprak për rritjen e tarifave celulare