Mosmarrëveshje mes Zidan e Perez për Martin Odegard

Talenti norvegjez, Martin Odegard është shndërruar në një “mollë” sherri mes presidentit të Realit të Madridit, Florentino Perez dhe trajnerit Zidan. Lajmin e bëjnë të ditur mediat franceze, të cilat raportojnë se bosi i “galaktikëve” ka detyruar Zidanin ta përfshijë në listën e lojtarëve që do të marrin pjesë në turneun miqësor që do të zhvillohet në Amerikë.
Zidan nuk kishte në plan ta merrte Odegardin, sepse ai e njeh mirë dhe nuk ka arritur të marrë asnjë impakt pozitiv nga performancat e lojtarit me të rinjtë e Realit. I gjendur përballë trysnisë së presidentit Perez dhe dëshirës që ai kishte për t’i dhënë një shans norvegjezit, Zidan vendosi ta përfshinte në listën e futbollistëve që udhëtuan për në Amerikë.
Pavarësisht se Zizu iu bind presidentit të tij, mediat raportojnë se mes tyre sapo ka nisur një krisje. Francezit nuk i pëlqen aspak fakti që Perez kërkon të përfshihet në punët e trajnerit dhe ka frikë se mos e njëjta gjë mund të ndodhë edhe gjatë sezonit të ardhshëm. Kjo nuk është hera e parë që presidenti i Realit kërkon të marrë dhe të japë informacione edhe lidhur me formacionin që ekipi i tij zbret në fushën e lojës përpara një ndeshjeje dhe shpeshherë ka pasur trajnerë që janë larguar, sepse nuk u janë bindur urdhrave të tij.
Megjithatë, Zidan nuk mund të bëhet “viktima” e tij, sepse e shpëtoi nga një sezon shumë i vështirë vitin e kaluar. Francezi e mori ekipin në një gjendje delikate dhe arriti të fitonte Ligën e Kampionëve. Odegard nuk është arsye që raporti mes palëve të kriset në mënyrë të thellë, sepse edhe Benitez nuk kishte ndonjë vlerësim të veçantë për norvegjezin. Ai duket se është një investim i gabuar edhe pse mbi shpatulla ka vetëm 17 vite.

Artikulli paraprakI fundit në listën e rinovimeve trajneri Luis Enrique
Artikulli tjetërPogba tek United