Morata te Mançesteri

E përditshmja spanjolle “Marca”, pas lajmit mbi martesën në horizont mes Moratës dhe Milanit, njofton se Murinjo po përgatitet të prishë marrëveshjen mes lojtarit dhe kuqezinjve. Prej dy sezonesh, Reali i Madridit ndjek De Gean, portieri i “djajve të kuq”. Sikur të mos mjaftonin premtimet e Zidanit për më shumë minuta aktivizim në sezonin e ardhshëm, tashmë mes Milanit dhe ish-sulmuesit të Juventusit përfshihet edhe trajneri luzitan.
Portugezi kërkon për kartonin e gardianit të tij 75 milionë euro, por shuma në fjalë mund të ulet në rast se në marrëveshje përfshihen lojtarë. Pikërisht në këtë pikë “Special One” shfrytëzon momentin për të kërkuar sulmuesin e Realit në radhët e Mançesterit të tij që, përveç Ibrahimoviçit, mund të humbasë edhe shërbimet e Uejn Runit.
Nga ana e tij, sulmuesi duket i prirë për të zgjedhur Milanin, jo vetëm për arsye ekonomike, por edhe për rolin që do t’i caktohej në skuadër. Alternativa italiane ka një sponsor shumë të fuqishëm, që është e fejuara e lojtarit, e cila mund të jetë kundërpesha e ofertës së Murinjos.
Çelsi i Antonio Kontes gjatë gjithë vitit ka qenë një mundësi reale për kalimin e Moratës në ligën angleze, por tashmë trajneri italian duket se e ka përqendruar vëmendjen te Lukaku i Evertonit, i cili, gjatë këtij sezoni, ka shënuar 26 gola në 39 takime të zhvilluara. Fjala e fundit për transferimin e 24-vjeçarit do t’i takojë Realit të Madridit me Florentino Perez, që ka deklaruar se nuk do të shqyrtojë asnjë ofertë përpara finales së Ligës së Kampioneve.
Sipas së përditshmes spanjolle, pavarësisht qëndrimit të presidentit madrilen, ofertat e Milanit dhe Mançesterit janë sidoqoftë më të ulëta se sa pretendimet e “Los Blancos”. Anglezët e vlerësojnë lojtarin deri në 50 milionë euro, ndërsa nga ana e kuqezinjve, oferta rrotullohet te 40 milionë euro plus një seri bonusesh në lidhje me ndeshjet e zhvilluara dhe golat e shënuar.
Në Madrid nuk kanë në plan të pranojnë oferta nën 70 milionë euro, ndaj për të gjithë kandidatët që kërkojnë Moratën do të duhet një sforco ekonomike. “Djajtë”, qofshin anglezë apo italianë, duhet të riformulojnë ofertat e tyre nëse dëshirojnë bomberin, përndryshe do t’u duhet të presin verën e vitit 2019 për ta marrë falas, pasi pikërisht pas dy vitesh skadon kontrata e tij me mbretërorët e kryeqytetit spanjoll.

Artikulli paraprakRonaldo: Juventus, i fortë në mbrojtje
Artikulli tjetërS’më pëlqejnë lojtarët agresivë