S’më pëlqejnë lojtarët agresivë

Paulo Dibala, “diamanti” i Juventusit dhe dopio-kampioni i Italisë, ka rrëfyer jetën personale në një intervistë të gjatë të dhënë për “Repubblica”-n. “Topi për mua ishte gjithçka. Me vëllezërit e mi dizenjuam me bojë një portë në murin e shtëpisë dhe më pas goditjet në drejtim të tij nuk reshtën, ndonëse mamaja ime nuk e priti shumë mirë këtë. Në shkollë mërzitesha dhe madje, në vegjëli, për disa kohë provoja të luaja edhe basketboll”.
“Nuk më pëlqejnë ata që bëjnë si të fortë, lojtarët agresivë, ata që jetojnë me ekzagjerime, ata që mendojnë se duhet të bësh gjënë e gabuar në mënyrë që të tjerët të flasin për atë, ata që duan të jenë me çdo kusht ndryshe nga të tjerët. Personalisht e mbroj shumë imazhin tim, sepse çfarë të keqe ka të jesh një person i drejtë?!
Unë nuk e hedh veten time kot, as në fushë, nuk kërkoj penalltinë, sepse mendoj se mund të bësh diçka për të tjerët edhe duke mos qenë të mallkuar dhe të nervozuar, pa pështyrë te jeta. Për këtë po krijoj një fondacion, me seli në Argjentinë, që të merret me fëmijët me probleme”.
“Unë nuk jam tipi që besoj te të bukurit dhe të mallkuarit, sepse mund ta shmangësh normalisht që të ngresh ferre të tillë. Mes të qenit shenjtor dhe indiferent ka shumë rrugë të mesme. Mua më pëlqejnë sportistët me stil, si Federer dhe Bolt, ata që të përfshijnë”. “Jam rritur në disa pjesë të rëndësishme të jetës sime pa babanë, pa familjen dhe kishte net që shkoja të qaja në tualet, – vazhdon Paulo, i cili pranon se mund të qajë sërish në të ardhmen. Për çfarë do derdhja lot? Në fushë për një finale të humbur, në jetë për një dashuri të humbur”.
“Jam mëngjarash, edhe dhëmbët i laj me dorën e majtë. Dhe nëse doni ta dini, çdo ditë marr një stilolaps dhe provoj të shkruaj, por me këmbën e djathtë. Stërvitem në këtë mënyrë si i çmendur, për të fituar më shumë ndjesi dhe saktësi. Por jo vetëm… Stërvit edhe sytë, me disa ushtrime.
Provoj të shoh më përtej sesa më lejohet, në drejtime të ndryshme, për të paraprirë kundërshtarët, për të fituar intuitën e trajektores. Dhe kam filluar të bëj shumë palestër. Në Itali kam mësuar të mbroj topin dhe Gatuzo, kur stërviste Palermon, më këshilloi që të mos e ekzagjeroj me peshat, sepse nuk nevojitet që të bëhem një keçist për të pasur siguri në fushë.
Mjafton që të kuroj shpërthimin në këmbët e mia. Gjithsesi, dua të them se jam i vendosur për t’i bërë të gjitha këto, sepse Kristiano Ronaldo e kaloi kuotën e 360 golave, sepse ai vërtet është një i djathtë, por di të gjuajë fort dhe saktë edhe me të majtën. Kur luan me një këmbë bëhesh më i lehtë për t’u markuar nga kundërshtarët dhe në Itali nuk bëhet shaka me mbrojtësit kundërshtarë”.

Artikulli paraprakMorata te Mançesteri
Artikulli tjetërEnigma Kaliningrad