Modeli i shteruar ekonomik dhe taksat

E gjithë gara e partive është e fokusuar në nivelin e taksave, ndërkohë që Shqipëria po shkon drejt problemeve të mëdha strukturore, që nuk lidhen shumë me sistemin fiskal. Sipas INSTAT, 90% e ndërmarrjeve janë me 1-4 të punësuar, kryesisht në tregti dhe shërbime. Shqipëria renditet ndër vendet me numrin më të lartë të të vetëpunësuarve në Europë, me rreth 30% të totalit, në nivele të krahasueshme me Greqinë. Këto biznese paguajnë pothuajse zero taksa (deri në 5 milionë lekë, ato janë të përjashtuara nga tatim fitimi, që nga 1 janari 2016). Problemi i tyre qëndron gjetkë, tek orientimi i ekonomisë drejt zinxhirëve të mëdhenj tregtarë, një dukuri normale kjo. Zinxhirët e mëdha të tregtimit dhe qendrat tregtare ofrojnë kushte më të mira tregtimi higjieno-sanitare, çmime më të ulëta, më shumë shumëllojshmëri produktesh, duke rritur mundësinë e zgjedhjeve, si dhe më shumë ulje në formën e ofertave të vazhdueshme dhe eventeve promocionale.
Por, kjo tendencë, në këndvështrimin e konkurrencës te biznesi i vogël tregtar po rezulton gjithnjë e më problematike për shkak të peshës së rëndësishme që kanë njësitë e vogla tregtare në punësim dhe sidomos vetëpunësim.
Pesha e lartë e të vetëpunësuarve është tipar i një ekonomie jo konkurruese, teksa këto biznese kanë nivel të ulët produktiviteti. Një dukuri kjo, që pritet të kthehet në problematike në afatin e mesëm, nëse ekonomia nuk shkon drejt inovacionit (gjë që nuk po ndodh përderisa jemi të fundit në Europë) apo shtimit të bizneseve të mëdha (sot në vend numërohen vetëm 1700 sipërmarrje që kanë më shumë se 50 punonjës).
Korrupsioni dhe ryshfeti është një tjetër gangrenë për biznesin. Sipërmarrësit pohojnë se kostoja e ryshfetit këto vite ka ardhur vetëm në rritje, duke ia kaluar në disa raste edhe taksave që ata paguajnë zyrtarisht në shtet, sidomos për bizneset që e kanë aktivitetin e tyre të lidhur me institucionet shtetërore. Sipërmarrësit pohojnë se sot të fitosh drejtësisht një tender në institucionet shtetërore është një mision thjesht i pamundur. Nëse do të reduktohej tarifa e korrupsionit, pohojnë ata, do të çliroheshin shumë para në ekonomi, që do të shkonin për investime e rritje punësimi. Dhe kjo dukuri pohojnë ata, nuk pritet të zgjidhet as nga “vettingu” në sistemin e drejtësisë, teksa shumë prej tyre gati janë dorëzuar në pranimin e asaj që ryshfeti është kthyer në një normë në ekonomi.
Shpresa e vetme për zhvillime pozitive është një ulje e peshës së sektorit publik në ekonomi, por nëse kjo nuk do të bëhet me anë të koncesioneve korruptive që thjesht e zgjerojnë fiktivisht sektorin privat ndaj atij publik, por që lënë barrën e shërbimit të kostos së tepërt të tyre në kurriz të publikut. Askush nuk po bëhet i ndërgjegjshëm që kjo lloj politike do të çojë padyshim në një kolaps të financave publike. Fatkeqësisht, Greqia është shumë afër nesh për të parë efektet që kjo jep ndaj ekonomisë së vendit e ndaj mirëqenies së popullsisë së atij vendi.
(Fatmirësisht nëse dikush do të jetë aq i zgjuar sa të vlerësojë ngjashmëritë).

Artikulli paraprakInteri mbi gjithçka
Artikulli tjetërPlani Rama për dhënien e të gjitha rrugëve me koncesion