Interi mbi gjithçka

Rregulli i parë te Interi i së ardhmes është që “Interi vjen para gjithçkaje”. E thotë dhe e përsërit trajneri Luciano Spalletti, që zbulon konceptet e tij për projektin zikaltër, ku në krye qëndron historia dhe identiteti i klubit. “Lojtarët nuk duhet të mendojnë, unë jam Candreva apo Murillo, lojtar i Interit, por ‘Unë jam Interi’. Duhet të kenë parasysh historinë e madhe të këtij klubi. Kush do të punojë me mua duhet të ndihet i bindur, madje të ndihet i Interit”, shprehet Spalletti.
Spalletti këmbëngul se para çdo gjëje tjetër, para rindërtimit të skuadrës apo stilit të tij të lojës që duhet asimiluar, para merkatos, stërvitjes dhe ndeshjeve, para gjithçkaje vjen klubi. “Do ua ngulis fort lojtarëve këtë koncept. Nëse nuk e kuptojnë se çfarë do të thotë të veshësh fanellën e Interit nuk shkojmë gjëkundi. Jam i lumtur që punoj për Interin dhe dua të rigjej të njëjtën ndjenjë te lojtarët e mi. Vetëm kështu krijohet simbioza e duhur për të arritur suksesin”, thekson më tej trajneri zikaltër.
Për sa i përket objektivave, ai që është deklaruar zyrtarisht është sigurimi i një vendi që garanton pjesëmarrjen në Champions, objektiv i detyrueshëm për trajnerin e ri. “Dua të shikoj menjëherë dëshirën te djemtë në takimet me skuadrat e mëdha në miqësoret e verës, në të cilat rrezikon të bësh edhe figurë të keqe për shkak të gjendjes fizike jo optimale. Championsin kemi si detyrim që ta ndiejmë si objektivin tonë minimal”, tha Spalletti.
Për sa i përket merkatos, Spalletti deklaroi se Interi me siguri do të marrë dy mbrojtës, ndërsa foli edhe për Bernardeshcin dhe Borja Valeron. “Drejtuesit tani po punojnë, Borja Valero mund të luajë edhe si regjisor i tërhequr, edhe si trekuartist. Ka shumë karakter dhe di si të jetë një lider. Disa lojtarë të tillë na duhen”, u shpreh trajneri i Interit.
Presidenti zikaltër, Eric Thohir flet pas shumë kohësh në lidhje me projektin për ndërtimin e një skuadre të suksesshme në Itali dhe Europë. Numri 1 i klubit, edhe pse me kompetenca të limituara pasi shiti pjesën më të madhe të aksioneve te kinezët e Suning, thekson se drejtuesit e rinj janë në gjendje të ndërtojnë një skuadër që si objektiv minimal do të ketë kualifikimin në Chamions League. “Do t’i shtojmë skuadrës disa lojtarë të tjerë, por po punojmë shumë për të rritur praninë tonë edhe në Kinë. Interi është një nga klubet më të mëdha të botës dhe mendoj se duhet të luajmë rregulisht në Champions League. Klubi po tenton të përmirësojë sa më shumë skuadrën për të arritur sa më parë objektivat që kemi”, shton Thohir. Në vijim ai qartëson se fillimisht duhen sheshuar bilancet brenda dhe jashtë fushës së blertë sepse Interi nuk duhet thjesht të investojë te lojtarët, por duhet gjithashtu të ndërtojë një markë të suksesshme dhe infrastrukturën e nevojshme.
“Kur mbërrin një i huaj, tifozët pyesin shumë dhe ne duhet të tregojmë se po punojmë për të ndërtuar një skuadër konkurruese. Do të duhet pak kohë për t’u rikthyer te sukseset, por mendoj se duhet të frymëzohemi nga Leicester City”, nënvizon në fund manjati indonezian.

Artikulli paraprakRonaldo nuk di të ndalet, një tjetër rekord historik
Artikulli tjetërModeli i shteruar ekonomik dhe taksat