Plani Rama për dhënien e të gjitha rrugëve me koncesion

Pas zgjedhjeve, të gjitha akset rrugore të vendit pritet të jepen me koncesion nga qeveria Rama dhe udhëtimi për në qytete të tjera do të tarifohet në bazë të kilometrave. Megjithëse nuk ka shtruar asnjë metër rrugë, Rama ka vendosur që ta dyfishojë koston e udhëtimit të shqiptarëve nëpër rrugët e vendit. Tiranë-Durrës, Tiranë-Kukës, Tiranë-Shkodër, Tiranë-Elbasan, Korçë, Gjirokastër, Vlorë etj., s’do të jenë më falas. Qeveria e Ramës ka hartuar një projektplan, i cili pritet të marrë jetë menjëherë pas zgjedhjeve. Tarifimi do të jetë rreth 3.5 cent euro për kilometër, çka do të thotë se për të përshkuar 100 kilometra rrugë do të paguhen 3.5 euro ose 500 lekë të reja. Duke llogaritur dhe kthimin, atëherë kjo shifër shkon në 1 mijë lekë ose sa ¾ e konsumit që kërkon një makinë normale karburant për ta përshkuar këtë distancë.

Distancat dhe tarifat

Por le ta marrim më të detajuar! Një personi me automjetin për të shkuar në Kukës nga Rruga e Kombit i duhet të përshkojë 143 kilometra. Vetëm për të mbërritur atje i duhen 5 euro ose me kursin aktual 6600 lekë. E njëjta shumë paguhet dhe në kthim dhe tarifa shkon në 1320 lekë, vetëm tarifë rruge për të shkuar dhe ardhur nga Kukësi. Duke llogaritur dhe karburantin, tarifa rritet goxha. Por më të prekurit nga kjo duket se janë qytetet lidhëse me njëra-tjetrën. Për shembull, për të shkuar dhe ardhur çdo ditë fjala vjen nga Tepelena në Gjirokastër, një individi me automjetin e tij do i duhen të paktën 2.2 euro në ditë ose 300 lekë e shumëzuar për 30 ditë, pra 9 mijë lekë në muaj vetëm taksë që i paguhet Edi Ramës. Ose, për shembull nga Lushnja në Fier dhe anasjelltas një tregtari ose individi do i duhen 2 euro në ditë. Nga Vlora në Fier 2.6 euro ose 78 euro në muaj. Me hapjen e tunelit të Krrabës, shumë persona nga ky qytet, shkojnë e vijnë përditë me automjetet e tyre. Por nëse deri më tani kishin vetëm koston e karburantit, për të njëjtën distancë do i duhet të paguajnë deri në 3.5 euro në ditë ose më shumë se 100 euro në muaj nga të ardhurat e tyre. Pra, në rast se qeveria Berisha shkurtoi distancat duke ndërtuar rrugë, sot Edi Rama po na kthen sërish në pikën e nisjes, duke na larguar me anë të tarifimit për interes të oligarkëve klientë afër tij.

Fitimet deri në 20 milionë euro në vit për klientët e Ramës

Por sa do të fitojë një klient i Edi Ramës nga këto koncesione, që kryeministri na i quan si sukses të madh? Kjo varet nga fluksi. Për shembull, në aksin Tiranë-Durrës ka një fluks me mesatare rreth 25 mijë automjete në ditë. Mendohet se fitimi vjetor vetëm në këtë aks të jetë mbi 20 milionë euro në vit ose rreth 1.8 milionë euro në muaj, sipas shifrave të përllogaritura. Një koncesionar 10-vjeçar mendohet të ketë marrë rreth 200 milionë euro ose gjashtë apo shtatëfish sa vlera e rrugës. Një rrugë e tillë, nuk kushton më shumë se 1 milion dollarë kilometri dhe 36 kilometra që është distanca, llogaritë mund të bëhen kollaj. Por një personi që të shkojë e të vijë çdo ditë nga Durrësi do i duhen jo pak, por 2.5 euro në ditë me automjetin e tij ose 400 lekë, aq sa është aktualisht çmimi i autobusit. Po të llogarisim dhe karburantin, atëherë shifra mujore vetëm e transportit rritet në përmasa të frikshme në raport me të ardhurat e njerëzve. Kjo pritet të ndodhë në të gjitha akset ku Rama ka menduar të tarifojë rrugët, për të cilat në katër vite nuk bëri asnjë investim, por tani mendon se si t’i përdorë për të rrjepur shqiptarët.

Kostot që prekin të gjithë

Kjo masë nuk do të rëndojë vetëm në xhepat e atyre që kanë automjetet e veta, por do të sjellë dhe një rritje të menjëhershme të kostos së mallrave dhe shërbimeve. Një trajleri, që të vijë nga Kukësi për të marrë prodhimet e Lushnjës për shembull, do të ketë një kosto rreth 1 euro për ton. Një furgon që bën rrugën e Vlorës dy herë në ditë do i duhet të paguajë 20 euro çdo ditë vetëm taksë rruge. Tregtari që bën rrugë në qytetet ndërmjetëse, Fier-Lushnjë, Elbasan–Tiranë ose Lushnjë-Durrës do të ndodhet përpara dy alternativave, ose falimentimin ose ngritjen e çmimeve. Pasojat ende nuk mund të përllogariten, por reaksioni është zinxhir dhe ata që do e vuajnë në kurriz do të jenë qytetarët e këtij vendi, të cilët kanë paguar një herë për ndërtimin e rrugëve. Rama, deri më tani nuk e ka aplikuar këtë masë, pasi pasojat zgjedhore do të ishin të paparashikueshme dhe ndaj është duke pritur mbarimin e zgjedhjeve. Këto janë masa që prekin të gjithë, që nga fshatari në zonën më të thellë dhe deri tek qytetari hallexhi që me ato pak para i duhet të llogarisë tashmë dhe kostot që i vë në kurriz oligarku i Ramës.

Llogaritë, deri në 100 euro në muaj shtesë për tregtarët

Duke bërë një llogari të përafërt dhe akset rrugore që pritet të jepen me koncesion shikojmë se më të humburit janë ata mes qyteteve ndërmjetëse. Në bazë të kilometrave dhe 3.5 cent euro euro për kilometër, tarifat që do të na duhet të paguajmë, me përafrësi për udhëtimet vajtje-ardhje pas zgjedhjeve për automjetet taksi dhe furgonë në rast se fiton Rama dhe kostoja mujore për disa nga distancat e afërta.
Tarifat vajtje-ardhje
Tiranë-Kukës, 8.5-9 euro
Tiranë-Vlorë,10 euro
Tiranë-Gjirokastër, 14-15 euro
Tiranë –Shkodër, 5-6.5 euro
Tiranë–Korçë, 10-11.7 euro
Gjirokastër-Kukës, 24-26 euro
Fier-Gjirokastër, 7-7.9 euro

Distancat ndërqytetase dhe shpenzimi mujor

Tiranë-Elbasan, 3.5 euro -105 euro/muaj
Fier-Vlorë, 2.6 euro -78 euro/muaj
Tepelenë-Gjirokastër, 2.2 euro – 64 euro/muaj
Kavajë-Lushnjë, 2.1 euro- 62 euro/muaj
Fier-Lushnjë, 2 euro- 60 euro/muaj
Tiranë-Durrës, 2.5 euro – 75 euro/muaj

Artikulli paraprakModeli i shteruar ekonomik dhe taksat
Artikulli tjetërDegradimi i 40 premtimeve të Ramës në 4 vite