Mesi kundër planit për Coutinhon

Ylli i Barcelonës, Lionel Mesi raportohet të jetë nevrikosur me planin më të fundit të klubit katalanas, që përfshin fantazistin e Liverpool, Philippe Coutinho. Barcelona vijon të ndjekë dhe të tentojë afrimin e Coutinhos, pavarësisht refuzimit konstant të Liverpool për të shitur brazilianin në merkaton e verës së kaluar. Trajneri i asaj kohe i porsaemëruar në krye të ekipit blaugrana, Ernesto Valverde ishte i vendosur të nënshkruante me 25-vjeçarin, të konsideruar si një zëvendësues të Neymar, që u largua në drejtim të PSG për shumën e £200 milionë.
Gjithsesi Liverpool refuzoi tre ofertat për Coutinhon, me vetë futbollistin të vendosur për t’u larguar nga “Anfield”. Tashmë raportohet se Barcelona ka shtyrë nënshkrimin e brazilianit për në verë, ndërkohë që konsideron futbollistin e Gremios, Arthur, si një alternativë të mundshme. Kështu, vendimi i klubit për të ngrirë çdo lëvizje në drejtim të Coutinhos, supozohet se ka hasur në irritimin e yllit të Barças, Mesi.
Sipas raportimeve të portalit spanjoll, “Don Balon”, 30-vjeçari argjentinas beson se klubi duhet të sigurojë me çdo kusht firmën e Coutinhos. Ndonëse Arthur ka shkëlqyer me Gremio, Mesi është i sigurtë se në “Camp Nou” është i domosdoshëm një emër më i madh dhe i mirë. Mendohet se ka qenë pikërisht ai që ka rekomanduar te Barcelona ndjekjen e Coutinhos që në merkaton e verës së fundit. Gjithsesi klubi katalanas e pati të pamundur të sigurojë blerjen e brazilianit.

Artikulli paraprakIrlandë: Demokraci me short
Artikulli tjetërInter kërkon € 600 mijë në këmbim të Gabigol