Mesazhi i Bashës: Çfarë po vjen më e mirë se çfarë po shkon

Besimtarët myslimanë në Shqipëri dhe në të gjithë botën festuan dje, festën e Fiter Bajramit. Fiter Bajrami vjen pas muajit të madhërishëm, të sakrificës, atij të Ramazanit. Fiter Bajrami është një ditë feste e gëzimi për myslimanët dhe solidarizimi me të varfërit, e para faljes së kësaj dite, besimtarët shpërndajnë të mira materiale e dashuri edhe me të pamundurit, për ta festuar së bashku këtë festë. Falja e Namazit të Fiter Bajramit ka bërë bashkë me mijëra besimtarë myslimanë, shumica të rinj, që edhe këtë vit kanë tejmbushur Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Rituali i lutjes së shenjtë të Bajramit të Madh, i dyti për nga rëndësia për botën islame, ka nisur në orën 6:00 të mëngjesit dhe është drejtuar për herë të parë nga imami i Xhamisë së Qabes, xhamia më e rëndësishme për myslimanët. Në fjalën e mbajtur para mijëra besimtarëve shqiptarë të mbledhur në shesh, imami i xhamisë së shenjtë të Mekës, Shejh Salih Bin Talib i bëri thirrje çdo myslimani të distancohet nga elementë turbullues që kërkojnë ta dëmtojnë islamin. Lutje për më shumë paqe, mirësi dhe vëllazëri me më të varfërit janë përcjellë nga kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Brucaj si dhe myftiu i Tiranës, Ylli Gurra. Ajo që mund të cilësohet si një traditë e krijuar nga halli, falja e namazit të Bajramit në rrugë duket se do të marrë fund me përfundimin e xhamisë së madhe të Tiranës, që për numrin dy të Komunitetit Mysliman, Ali Zaimi, me shumë gjasë do të jetë gati brenda dy Bajramesh. Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Skënder Bruçaj, uroi dje besimtarët myslimanë për festën e Fiter Bajramit. “Ditën e Fiter Bajramit duhet ta shohim si ditën e shpresës, vëllazërisë dhe solidaritetit. Ne po e përcjellim me përmallim Muajin e Bekuar të Ramazanit, me shpresën e madhe, që Zoti të na ketë falur mëkatet tona dhe të ketë pranuar lutjet, adhurimet dhe sakrificën tonë. Ramazani na mësoi se, mirësitë dhe begatitë që na ka dhënë i plotfuqishmi, marrin kuptim, vetëm atëherë kur ndahen me të tjerët me synim fitimin e kënaqësisë së Zotit. Ky muaj i madhërueshëm na mësoi se, sofra e iftarit është sofra e harmonisë dhe e vëllazërisë, mes besimtarëve, mes vëllezërve dhe miqve, mes të pasurve dhe të varfërve”, shprehet Bruçaj. Të gjithë jemi të barabartë para Krijuesit, vijon Bruçaj, dallimi është vetëm në devotshmëri, në përkushtim, në bujari dhe te sinqeriteti në adhurim, lutje dhe vepër të mirë që bëjmë. “Lutjet, adhurimet, sakrifica dhe ripërtëritja shpirtërore që përjetuam gjatë muajit të bekuar të Ramazanit na forcon dhe motivon ta shohim festën e Fitër Bajramit si ditën e shpresave të reja, si ditën e të kujtuarit dhe solidaritetit me njëri-tjetrin, si ditën e ripërtëritjes së vëllazërisë, miqësisë dhe dashurisë për njeriun dhe njerëzoren”, përfundon urimi i kreut të KMSH-së, Skënder Bruçaj. Presidenti, Bujar Nishani uroi të gjithë besimtarëve myslimanë Festën e shenjtë të Fiter Bajramit: “Kjo ditë e shenjtë na shërben të gjithëve për të larguar nga vetja urrejtjen, ndasitë dhe përçarjet e panevojshme, duke na afruar edhe më tepër me njëri-tjetrin, duke na shtuar dashurinë për bashkatdhetarët si dhe duke na ripërtërirë virtytet, besimin dhe paqtimin. Pas ditëve fort të mundimshme të agjërimit, por njëkohësisht të sprovës e të konsolidimit të besimit që keni kaluar gjatë Ramazanit, Festa e madhërishme e Fiter Bajramit kurorëzon përpjekjet e frytshme të atyre që besojnë në mësimet e shenjta dhe fuqinë e Krijuesit, të atyre që pasi kanë përshkuar udhëtimin shpirtëror njëmujor, ia kanë dalë mbanë të jenë bërë më të virtytshëm, më të mëshirshëm dhe më zemërgjerë. Kjo Festë e madhe na mbush të gjithëve me pak më shumë shpresë, me shumë më tepër vullnet për të dhënë e për t’iu gjendur më afër të sëmurëve, fatkeqëve, të vobektëve si dhe atyre, të cilët jeta nuk i ka trajtuar edhe me aq mëshirë apo begati”. Edhe ish kryeministri përmes një mesazhi uroi besimtarët myslymanë. “Gëzuar Fiter Bajramin!! Besimtarëve mysliman shqiptarë ju uroj nga zemra gëzuar Fiter Bajramin! Uroj që Zoti i Madh, sakrificën tuaj, agjërimin e muajit të Ramazanit dhe çdo sakrificë tjetër t’ua shpërblejë me mirësi dhe gëzime për ju, fëmijët, familjet dhe mbarë shqiptarët” shprehej Berisha në mesazhin e tij.

Basha uron me vargjet e Kuranit

Kryetari i PD, Basha uroi besimtarët myslymanë në një mënyrë të veçantë duke cituar vargjet e Kuranit, përmes të cilave ai u përcolli shqiptarëve mesazhin e shpresës. “Gëzuar Fitër Bajramin çdo shqiptari. E di se Muaji i Ramazanit ka qenë një sakrificë e madhe për të gjithë agjëruesit, me ditë të gjata e të nxehta. Uroj që Zoti t’ua pranojë sakrificën dhe agjërimin si një ndjesë dhe si një bekim për të gjithë shqiptarët dhe kombin shqiptar. Këto janë ditë të vështira për mijëra familje. Janë ditë të pasigurisë, të varfërisë. Por festa e sotme është edhe një simbol shpresë dhe besimi. Prej ditës së parë të Ramazanit më kanë mbetur në mend katër vargje të Kuranit, të cilat me lejen tuaj do desha t’i kujtoj sot publikisht një sure të  Kuranit që quhet Ndriçimi. Në mesditë kur shndrit dielli, e natën kur errësira bie Zoti yt nuk të ka braktisur as zemëruar me ty nuk është. E patjetër çfarë po vjen  më e mirë është se çfarë po shkon e Zoti bujar do të jetë me ty e ti i kënaqur” u shpreh Basha në mesazhin e tij të urimit.

Artikulli paraprakMurinjo prezantohet te Manchester United
Artikulli tjetërMerkel e prerë: S’ka integrim në BE pa i plotësuar kushtet