Merkel e prerë: S’ka integrim në BE pa i plotësuar kushtet

Më në fund një mesazh i mirë për Ballkanin Perëndimor: pas Brexit-it nuk janë përkeqësuar shanset e Ballkanit Perëndimor që një ditë të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, bën të dikur Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Presidenti i Francës François Hollande, pas samitit në Paris. Ballkani vazhdon të ketë perspektivë të hapur për anëtarësim, edhe pas “jo-së” britanike, tha Merkel në Pallatin Elysée. “Pas vendimit të Britanisë së Madhe nuk ka ndryshuar asgjë”.
Në Paris u takuan të hënën në darkë kryeministrat dhe përfaqësuesit e Shqipërisë, Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës, Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë, si dhe Bashkimit Evropian, Gjermanisë, Francës, Italisë, Sllovenisë dhe Kroacisë. Ishte kjo konferenca e tretë e Procesit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor, ku u bisedua për projektet e zhvillimit në Ballkan, por edhe çështjet globale, si lufta kundër terrorizmit, refugjatët dhe gjendja pas Brexit-it.

Konsolidimi para zgjerimit?

Në konferencën me pjesëmarrje të politikanëve më të lartë u dërgua një sinjal i fuqishëm. Ballkani Perëndimor ka një perspektivë të qartë evropiane. Po, BE-ja është e interesuar për afrimin e këtyre gjashtë vendeve të këtij rajoni. Por: si do të shkojë kjo punë? Shoku pas referendumit britanik është ende shumë i thellë.
Pas Brexit-it ka rënë hovi për zgjerimin e BE. Vet komisioneri i BE Jean-Claude Juncker mendon se në një kohë të caktuar nuk do të pranohet asnjë vend tjetër në BE. Konsolidimi para zgjerimit, thuhet në Bruksel. Merkel tha se, vendet kandidate duhet të plotësojnë kushtet për anëtarësim. “Secili vend ka arritur një nivel të caktuar”. E ngarkuara e BE, por Politikë të Jashtme Federica Mogherini nënvizoi: “Ne jemi të vendosur që të vazhdojmë procesin e zgjerimit të BE”.
Dhe vërtet gjërat po lëvizin. Në samit u bë e ditur se, me Serbinë do të hapen kapitujt 23 dhe 24 në negociatat për anëtarësim. Kryeministri Aleksander Vuçiq ishte dukshëm i kënaqur. “BE është vendi ku ardhmëria e popujve tanë është më e mira”. Por deri në anëtarësim do të kërkohet shumë punë dhe mund. Kroacia e ka hequr bllokadën e saj për negociatat me Serbinë. Kryeministri kroat Tihomir Oreshkoviq tha se, “është shumë mirë që gjërat janë sqaruar, e ardhmja do të dëshmojë”.

Problemet e rajonit

Ekonomia e vendeve të Ballkanit Perëndimor është në gjendje të rëndë prej vitesh. Numri i të papunëve është tepër i lartë dhe sipas mediave është rritur për 1,6 milionë. Për shkak të mungesës së perspektivës, shumë të rinj të kualifikuar kanë ikur nga vendet e tyre. Tendosjet politike mes vendeve të rajonit janë shumë të larta. Mediat e pavarura po shtypen. Kriza e refugjatëve ka tendosur edhe më shumë gjendjen në disa vende, si Serbi dhe Kroaci.
Një politikë e përbashkët për shërimin e plagëve të luftës në rajon, nuk duket në horizont. “Disa vende të BE janë lodhur ndoshta me gjithë procesin e integrimeve, por jo edhe ne”, tha ministri serb i Financave Dushan Vujoviq.

Rrjeti i të rinjve

Në këtë samit u nënshkrua edhe Marrëveshja për krijimin e Qendrës për Bashkëpunim mes të Rinjve, me seli në Tiranë. Por ajo do të ketë përfaqësinë në të gjitha vendet e tjera. Qëllimi i saj është që të afrojë të rinjtë nga këto vende, të ndihmojë tejkalimin e problemeve si dhe të thellojë komunikimin dhe shkëmbimin mes tyre. Merkel e quajti këtë qendër një sukses të madh, sepse ajo do të ndihmojë afrimin e vendeve, të cilat deri para disa vitesh kanë qenë në luftë mes tyre.

Artikulli paraprakMesazhi i Bashës: Çfarë po vjen më e mirë se çfarë po shkon
Artikulli tjetërThe Guardian: Rama pas skandalit me fondin 80 mijë dollarë