“Me Ramën kemi bërë një hap përpara”… drejt greminës

Nga Dritan SHANO

Reportazh nga Jugu

Fjalia hapëse në fjalën drejtuar popullit të vet nga një diktator afrikan: “Kur morra pushtetin vendi ishte në buzë të greminës. Që atëhere kemi bërë edhe një hap tjetër të madh përpara!”

Nuk ju duket sikur po e jetojmë përditë. Dhe që nga Nëntori i vjetshëm e deri sot të amplifikuar edhe shumë më tepër. Sikur e kemi bërë edhe ne hapin e madh në boshllëkun akoma dhe më të madh ekonomik e psiko-social të krijuar nga qeveria?!

– Do ketë një paketë të tretë për biznesin, ne vijim të këtyre 2 paketave sociale – tha Kryeministri, në pranverë;

– Nuk do ketë një paketë të tretë për biznesin, nuk e kam thënë, dhe as nuk është e nevojshme – tha po i njëjti Kryeministër në fillim të verës.

E gjithë ndihma e dhënë për të amortizuar kostot e krijuara nga Qeveria, me vendimet e saj për mbylljen e ekonomisë dhe jetës së njerëzve është në rendin e 100 milion Euro, kur Qeveria vetëm për periudhën Janar-Qershor 2020 e ka fryrë e zmadhuar shtetin duke marrë borxh mbi 1 miliard Euro.

Dihet që çdo krizë është njëherësh edhe oportunitet, por për kë?

Dialogu im dje në një strukturë hoteliere në jug të vendit me një djalë 25-26 vjeçar që punonte kamarier:

– Çkemi?! Sa kohë ke që punon këtu?

– Tre muaj. Që në qershor. Pa pushim, asnjë ditë.

– Po më parë?

– Kamarier në Tiranë. Në restorant “xxx”. Po atë e mbylli qeveria.

– Këtu mbyllet në datë 7 apo jo. Ku do shkosh pastaj?

– Puna në Tiranë vazhdon e mbyllur. Nuk e di. Nuk e di fare.

Pas 3 ditësh jeta e këtij të riu është e paralizuar. Këmbët e tij nuk dinë nga të lëvizin. Ai ka mbetur në udhëkryq të rrezikshëm. Ka në xhep 3 rroga kamarieri dhe bakshishet e 3 muajve punë. Pas 3 ditësh ai nuk do ketë mundësi të krijojë të ardhura të tjera për të mbajtur frymën gjallë.

Njësoj si dhjetëra mijëra biznese që u mbyllën këto muaj pa patur mundësi për të ruajtur punësimin, të ardhurat për mbajtur familjet e vazhduar jetën. Për këta duhej ajo paketa e 3 si ndihmë direkte për bizneset ????

Është e qartë se bizneset e mbyllura, të rinjtë si ai i bisedës time nuk përfituan ndonjë oportunitet nga qeveria për të ardhmen e tyre. Nuk dihet si do shkojë jeta e tyre. Nuk dihet gjithashtu ku shkuan apo ku shkojnë paratë e marra borxh nga Qeveria. Në çfarë oportunitetesh u përdorën.

Por për Kryeministrin gjithçhka duket mirë. Ai kërkon një mandat te 3-të, për të qeverisur akoma dhe më shumë se kaq, shqiptarët që flenë në çadra, dhe nuk kanë punë e të ardhura.

Posi, posi.

Artikulli paraprak“Nuk fiton dot zgjedhjet pa krimin”, Gjata: Rama sfidon ambasadoren e SHBA, krah për krah me deputetin e larguar nga ligji i dekriminalizimit
Artikulli tjetërKreu i PD Durrës i përgjigjet Bashkisë: Po nëpërkëmbni qytetarët, paaftësia nuk justifikohet me statuse boshe