Mbi 20 mijë shqiptarë rrezikojnë vendet e punës, arsyeja vjen nga Italia

Nga dita e djeshme e në vazhdim mijëra shqiptarë rrezikojnë që të humbin vendet e tyre të punës. Kjo për shkak të ligjit të miratuar nga qeveria italiane. Kështu dje hyri në fuqi Ligji “Për delokalizimin”. I miratuar në dhjetor të vitit të kaluar, ligjit iu la një periudhë tranzitore për të hyrë në fuqi me qëllim që kompanitë të njiheshin me rregullat e reja, zbatimin e standardeve, raportimin e numrit të punonjësve, adresave të selive, mbrojtjes së të dhënave etj. Ndërkohë Shqipëria ka nisur të ndjejë efektet. TIM, Sky, Fastweb kanë reduktuar kontratat në Shqipëri. Por edhe pse u lajmërua që para 4 muajsh, qeveria shqiptare thuajse nuk ka bërë asgjë për të negociuar, vetëm dërgimit të ndonjë letre në ambasadën e Italisë, ku është diskutuar për këtë gjë. E nga ana tjetër për ministren e Zhvillimit të Ekonomisë, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi, është mëse normale që shteti italian të mbrojë interesat e biznesit të tij përmes hartimit të këtij ligji. Në këtë industri të call center-ave janë të punësuar më shumë se 20 mijë shqiptarë, shumica prej të cilëve janë të rinj që kanë mbaruar universitetin dhe shpëtimin e tyre e kanë gjetur duke punuar në këtë “profesion”. E mbyllja e këtyre aktiviteteve në Shqipëri do të sillte edhe nxjerrjen e tyre në rrugë, duke shkaktuar një tjetër valë sociale varfërie.

Artikulli paraprakHertha humbet duelin e Europës me Hoffenheim
Artikulli tjetërKompanitë publike të energjisë të zhytura në borxhe