Kompanitë publike të energjisë të zhytura në borxhe

Ministria e Energjetikës raportoi zyrtarisht se OSHEE e mbylli 2016 me fitim 11.5 miliardë lekë, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare rezultoi me bilanc pozitiv vjetor prej 1.7 miliardë lekësh dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit 1 miliard lekë. Gjithsej fitimi i kompanive këtë vit arriti në 14,2 miliardë lekë ose 104 milionë euro, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Energjetikës. “Hapat e ndërmarra kanë krijuar efekt pozitiv në financat publike duke e çliruar buxhetin e shtetit nga barra e rëndë e këtij sektori që rrezikonte të fundoste financat publike. Vetëm në tre vitet e fundit janë paguar 23 miliardë lekë në tatim taksa, si kontribut direkt në buxhetin e shtetit. Ndërsa 135 milionë euro është efekti pozitiv indirekt në buxhet përmes reduktimit të mbështetjes buxhetore për sektorin dhe çlirimin e garancive sovrane më 2013-2017”, është shprehur ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri.

Kala borxhesh për operatorët publikë

Detyrimet e të tretëve ndaj OSHEE-së, rikuperimi i gjendjes së debisë përfshirë kamatat, ka ardhur në rënie, po megjithatë ato janë nivele tepër të larta. Nëse në vitin 2013 ato ishin 117.8 miliardë lekë, në vitin 2016 arritën në 105.2 miliardë lekë. Borxhi i OSHEE-së ndaj KESH, OST dhe palëve të tjera të treta nga 99.9 miliardë lekë që ishte në vitin 2013 është ulur në 93.6 miliardë lekë. Sipas një raporti të KLSH, detyrimi total i KESH, OSHEE dhe OST, deri më datën 20 shtator 2016, është 80.6 mld lekë. Detyrimi i OSHEE ndaj KESH për blerjen e energjisë elektrike është 50.9 mld lekë (370 mln lekë). Detyrimi i OSHEE ndaj KESH për huatë afatgjata është 11.3 mld lekë. Detyrimi i OSHEE ndaj OST për transmetim energjie, shërbime dhe kredi është 8.2 mld lekë. Detyrimi i OST ndaj KESH për energji, shërbime dhe kredi, është 10.2 mld lekë. Në bazë të marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim, detyrimi i mbetur i OSHEE ndaj CEZ AS, deri më datë 20 shtator 2016, është 5.8 mld lekë, konstaton KLSH. Në përfundim të procesit, Kontrolli i Lartë i Shtetit rekomandon se OSHEE, OST dhe KESH, të respektojnë masën e pagesës për detyrimet e ndërsjella, sipas përcaktimit në Ligjin nr. 170/2014, “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë”. KLSH ka vërejtur se nuk ka një studim të saktë, mbi prognozën e ecurisë së shlyerjes së detyrimeve të ndërsjella, veçanërisht në skedulin e pagesave dhe objektivave të vendosura ndaj OSHEE. Gjithashtu OSHEE, OST dhe KESH, të hartojnë një program të saktë për pagesat e detyrimeve të ndërsjella, sipas afateve të caktuara në projektin e rimëkëmbjes, rekomandon KLSH.

Artikulli paraprakMbi 20 mijë shqiptarë rrezikojnë vendet e punës, arsyeja vjen nga Italia
Artikulli tjetërRob Wainright, nga Shërbimi Inteligjent anglez në krye të Policisë Evropiane