Masakra ekologjike në Liqenin e Fierzës, 20 tonë peshk i ngordhur

Një katastrofë e vërtetë mjedisore mund të cilësohet ajo që ka ndodhur në brigjet e Liqenit të Fierzës në Kukës në 24 orët e fundit, pasi raportohet se kanë ngordhur më tepër se 20 tonë peshk i llojit gjuhëz. Peshku i ngordhur është gjetur në brigjet e lumit, në një gjatësi prej gati 10 km vijë panoramike, nga zona e urës së Drinit të Zi deri tek ura e Drinit të Bardhë. Liqeni i Kukësit pranë një katastrofe ekologjike. Bregu i liqenit është mbushur me peshq të ngordhur në të gjithë gjatësinë e tij nga ura e Drinit të Zi deri tek ajo e Drinit të Bardhë. Specialistët e mjedisit thonë se fenomeni është konstatuar në dy ditët e fundit, ndërsa si shkak mund të jetë gjuetia e paligjshme me lëndë plasëse. Arben Palushi, ekspert i mjedisit dhe i peshkut: “Bregu është krejt i ndotur me popullatë gjuhëze të ngordhur. Që nga ura e Drinit të Zi e deri tek ura e Drinit të Bardhë gjendja është e mjerueshme. Për çdo hap mundesh që të hasësh nga 70-100 individë të ngordhur. Kjo gjendje ka ardhur ose nga gjueti masive ose lëndë plasëse”. Sipas ekspertit të mjedisit, Arben Palushi, është hera e parë që në ujërat e Liqenit të Fierzës, të konstatohen sasi kaq e mëdha peshqish të ngordhur, që siç tha mund të jetë rreth 20 tonë. Peshqit e ngordhur gjenden jo vetëm në breg, por edhe në thellësi të liqenit. Specialistët shprehen se ngordhja e peshqve mund të ketë ardhur si pasojë e gjuetisë së paligjshme me mjete plasëse. “Kjo sasi masive e peshkut të ngordhur nga një distancë nga 8 deri në 10 kilometër, është e pazakontë. Gjendja është shumë e mjerueshme. 10-20 tonë gjuhëz është e ngordhur në brigjet e liqenit”, thotë eksperti i mjedisit dhe peshkut, Arben Palushi. Sipas Palushit është hera e parë që në ujërat e Liqenit të Fierzës të konstatohen sasi kaq të mëdha peshqish të ngordhur. Bëhet fjalë për peshkun e llojit gjuhëz, por specialistët ende nuk dinë të japin mendimin e tyre për shkakun e kësaj katastrofe. Situata ka alarmuar strukturat e agjencisë së liqenit dhe të turizmit të Bashkisë Kukës. Edhe policia ka nisur hetimet ndërkohë që mostrat e peshkut u dërguan në laborator për t’ju nënshtruar analizave të plota. Për biologët kjo është katastrofa më e madhe ekologjike në Liqenin e Fierzës. Kjo nuk është hera e parë që probleme të tilla mjedisore prekin natyrën shqiptare. Rreth 1 muaj më parë Liqeni i Ohrit pësoi një rënie të ndjeshme të ujit e nuk dihet dëmi që mund t’u ketë sjellë gjallesave të tij.

Artikulli paraprakÇmimet në Shqipëri panë rritjen më të madhe në Evropë
Artikulli tjetërShporret Rroshi, Kushtetuesja i hap rrugën zgjedhjeve të reja në Kavajë