Shporret Rroshi, Kushtetuesja i hap rrugën zgjedhjeve të reja në Kavajë

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur dje vendimin për shkarkimin e Elvis Roshit nga detyra e kryetarit të Bashkisë së Kavajës. Në vendimin prej 11 faqesh, argumentohet se përse vendimi i KQZ-së dhe ai i Këshillit të Ministrave për shkarkimin është kushtetues. Në vendim mësohet gjithashtu se, votimi kundër Roshit ka qenë 8-0. Sipas Kushtetutës, Presidenti Nishani ka tani 48 orë kohë të dekretuar datën e zgjedhjeve në Kavajë, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditëve. Ne arsyetimin e vendimit Kushtetuesja shprehet se vendimi i KQZ-së është një akt-administrativ i zakonshëm dhe për ankimimin e tij ish-kryebashkiaku nuk duhej t’i drejtohej kësaj gjykatë, por një gjykate te zakonshme. Gjithashtu kolegji vlerëson të gabuar edhe objektin e padisë duke argumentuar se duhet të ishte ankimuar vendimi i Komisionit Qendror të Zgjdhjeve dhe jo vendimi i Këshillit të Ministrave. Vendimi i zbardhur i ka shkuar zyrtarisht subjekteve të interesuara përfshirë Presidentin e Republikës, që pas vendimit të Kushtetueses pritet të dekretojë datën e zgjedhjeve për Bashkinë e Kavajës. Në seancën e 7 marsit, Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi, i cili kërkoi edhe shpalljen si të pavlefshme të disa neneve të ligjit të dekriminalizimit. Në seancë ishin edhe përfaqësues nga Këshilli i Ministrave, Prokuroria e Përgjithshme, Kuvendi dhe KQZ të cilët kërkuan rrëzimin e kërkesës së tij nga Gjykata Kushtetuese, me agumentin se Rroshi është subjekt i ligjit të dekriminalizimit.

Vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese

Kërkuesi kundërshton vendimin nr.952/2016 të KM-së, duke pretenduar se është shkarkuar nga detyra e kryetarit të Bashkisë Kavajë në mungesë të shkaqeve të parashikuara nga neni 115/1 i Kushtetutës, pasi ai nuk ka kryer sjellje dhe akte që bien ndesh me Kushtetutën dhe ligjin gjatë ushtrimit të detyrës. Gjykata në jurisprudencën e saj ka theksuar se vendimi për shkarkimin nga detyra të organit të qeverisjes vendore është një akt individual i natyrës administrative. Në rastin e shkarkimit nga detyra të organit të qeverisjes vendore, kushtetutbërësi, në mënyrë që t’u japë garanci më të mëdha në ushtrimin e detyrës këtyre organeve, në nenin 115/2 të Kushtetutës ka parashikuar të drejtën e tyre për t’u ankuar drejtpërdrejt në Gjykatën Kushtetuese, si një përjashtim nga rregulli i përgjithshëm, sipas të cilit Gjykata shqyrton drejtpërdrejt vetëm kushtetutshmërinë e akteve me karakter normativ (shih vendimet nr. 67, datë 11.11.2016; nr.32, datë 10.07.2013 të Gjykatës Kushtetuese). Pra, nisur nga praktika e vazhdueshme e kësaj Gjykate, kërkuesi legjitimohet prima facia t’i drejtohet Gjykatës, nëse shkarkohet nga KM-ja për shkelje të ligjit, sipas nenit 115/2 të Kushtetutës. Lidhur me legjitimimin ratione temporis, bazuar në nenin 115/2 të Kushtetutës, organi i shkarkuar mund të ankohet brenda 15 ditëve në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata është shprehur se si datë e fillimit të afatit të ankimit ndaj aktit individual, që cenon të drejtat e personit, do të konsiderohet data e marrjes dijeni nga personi për ekzistencën e aktit, pavarësisht formave të tjera të publikimit (shih vendimin nr.67, datë 11.11.2016 të Gjykatës Kushtetuese). Rezulton se vendimi i KM-së “Për shkarkimin nga detyra të Kryetarit të Bashkisë Kavajë, zoti Elvis Rroshi” është kundërshtuar nga kërkuesi në datën 09.01.2017, pra brenda afatit 15-ditor të parashikuar nga neni 115 i Kushtetutës. Për këtë arsye, kërkuesi legjitimohet ratione temporis për kundërshtimin e vendimit të KM-së.

Kërkesa e Rroshit pa pazë ligjore

Për sa i takon legjitimimit ratione materiae Gjykata vëren se KQZ-ja, në zbatim të Ligjit nr.138/2015, pas verifikimit të PP-së për funksionarin publik, ka vendosur: “Të shpallë të pavlefshëm dhe përfundimin e parakohshëm të mandatit të Kryetarit të Bashkisë Kavajë, z.Elvis Roshi. Ky vendim i njoftohet menjëherë Kryeministrit për të vijuar me procedurat e parashikuara nga neni 115 i Kushtetutës”. KM-ja me vendimin nr.952/2016 vendosi: “Shkarkimin nga detyra për shkak të shkeljeve të rënda të ligjit të Kryetarit të Bashkisë Kavajë, zoti Elvis Roshi”. Gjykata vlerëson se në rastin konkret nuk ndodhemi para situatës së parashikuar nga neni 115 i Kushtetutës, sipas të cilit kur në veprimtarinë e organit të zgjedhur drejtpërdrejt të njësisë së qeverisjes vendore konstatohen shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve, ai mund të shpërndahet ose të shkarkohet nga KM-ja, por kemi të bëjmë me veprimin e rregullimeve të reja kushtetuese dhe ligjore lidhur me garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike. Konkretisht, neni 179/a i Kushtetutës parashikon: “Mandati i funksionarëve të zgjedhur ose të emëruar në organet kushtetuese dhe ato të krijuara me ligj, që është fituar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, mbaron ose është i pavlefshëm kur konstatohet se i zgjedhuri ose i emëruari përfshihet në rrethin e subjekteve që janë të përjashtuara nga e drejta për t’u zgjedhur, sipas neneve 6/1 dhe 45, pika 3, të Kushtetutës”. Ndërsa nenet 7/1/a dhe 10/1/d të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” parashikojnë se kërkesa për verifikimin e figurës së zyrtarëve të zgjedhur ose të emëruar dorëzohet pranë Prokurorisë së Përgjithshme, e cila rezultatet e verifikimit ia dërgon KQZ-së. Kjo e fundit kur verifikon kushtet për moskandidim ose moszgjedhje shpall pavlefshmërinë e mandatit dhe përfundimin e parakohshëm të tij.

Rroshi vijoi detyrën e kryebashkiakut me mandat të pavlefshëm

Nisur nga sa më lart, Gjykata çmon se nuk ndodhet para rastit, kur duhet të marrë në shqyrtim kushtetutshmërinë e vendimit të KM-së, pasi vendimi i KM-së nuk ka sjellë asnjë pasojë juridike për kërkuesin, i cili në momentin e marrjes së këtij vendimi nuk përfaqësonte më asnjë pushtet apo organ të qeverisjes vendore. Mandati i tij ishte shpallur i pavlefshëm dhe kishte përfunduar para kohe si pasojë e vendimmarrjes së KQZ-së, si organi i vetëm që e ka një kompetencë të tillë sipas Kushtetutës dhe ligjit nr.138/2015. Gjykata vëren se në çështjen konkrete ndërprerja e parakohshme e mandatit të kërkuesit si kryetar i Bashkisë Kavajë nga KQZ-ja ka ardhur pas verifikimit të bërë nga PP-ja lidhur me deklarimet e bëra nga kërkuesi, në bazë dhe për zbatim të ligjit nr.138/2015. PP-ja ka verifikuar dhe konstatuar disa fakte, të cilat parashikohen në nenin 2/2 të ligjit nr.138/2015 si shkaqe për ndërprerjen e mandatit të zyrtarëve të zgjedhur ose të emëruar. Në këto kushte, KQZ-ja ka marrë vendim për përfundimin e parakohshëm të mandatit të kërkuesit. Pra, nuk është KM-ja që de facto dhe de jure i ka dhënë fund mandatit të organit të pushtetit vendor në rastin konkret, por është KQZ-ja dhe për rrjedhojë vetëm kundër vendimit të kësaj të fundit mund të fillojë procedura e ankimit gjyqësor nga kërkuesi në gjykatat e juridiksionit të zakonshëm. Një mandat i shpallur i pavlefshëm ose që mbaron para afatit nuk ka nevojë për akte të tjera juridike konstatuese, aq më pak që rezultojnë në shkarkimin e një organi, mandati i të cilit ka përfunduar tashmë. Gjykata e sheh me vend të theksojë gjithashtu se, në rastin e mbarimit të parakohshëm të mandatit, ligji nr.138/2015 nuk e autorizon KQZ-në që të referojë çështjen te një organ tjetër kushtetues ose ligjor që të fillojë procedurën e shkarkimit të një organi të zgjedhur ose të emëruar, por vetëm e autorizon KQZ-në që të njoftojë KM-në për përfundimin e mandatit të organit të zgjedhur. Për këtë arsye, togfjalëshi i përdorur në pikën 3 të vendimit të KQZ-së “për të vijuar me procedurat e parashikuara nga neni 115 i Kushtetutës” del tej kompetencave të saj. Gjykata, duke vlerësuar rrethanat konkrete të çështjes konstaton se përfundimi i mandatit të kërkuesit si kryetar i Bashkisë Kavajë nuk ka ardhur si pasojë e vendimmarrjes së KM-së, por si pasojë e vendimmarrjes së KQZ-së, bazuar në ligjin nr.138/2015. Për këtë arsye, Gjykata çmon se pretendimet e kërkuesit për kundërshtimin e vendimit të KM-së nuk bien në rrethin e çështjeve të parashikuara nga neni 115 i Kushtetutës dhe si të tilla nuk mund të shqyrtohen nga kjo Gjykatë.

Precedentët kriminalë të Roshit, i dënuar në Itali për përdhunim e trafik droge

Elvis Rroshi ka qenë i dënuar në disa shtete si, në Itali për përdhunim në grup dhe trafik droge, në Zvicër për trafik droge dhe në Gjermani për trafik droge. Prokuroria i kërkoi KQZ-së heqjen e mandatit të Elvis Rroshit pas përgjigjes së mbërritur nga autoritetet italiane, të cilat bëjnë të ditur se (Ervin ose Elvis Rroshi) ka qenë i dënuar për veprën penale të “përdhunimit në grup” në vitin 1992. Sipas dokumentacionit të Ministrisë së Drejtësisë së Italisë dhe Çertifikatës Gjyqësore mësohet se, vendimi ndaj Elvis Rroshit, asokohe me emrin Ervin Rroshi, është dhënë më datë 13 nëntor të vitit 1992, nga Gjykata e Minorenëve të Campobassos së Italisë. Rroshi është dënuar për veprën penale të përdhunimit, ose siç njihet në Kodin Penal italian, “violenza carnale”, neni 519. Në Kodin Penal italian, neni 519, thotë se: “Kushdo që me dhunë ose kërcënim detyron dikë tjetër të kryejë marrëdhënie seksuale, është i dënuar me burgim nga 3 deri në 10 vjet”. Kësaj vepre penale i është shtuar dhe kryerja e veprës penale në bashkëpunim, çka sipas vendimit të Gjykatës, i lëshuar më datë 13 nëntor të vitit 1992, Elvis Rroshi është dënuar me një vit e katër muaj burgim. Asokohe, Elvis Rroshi ka qenë rreth moshës 17 vjeç, ndaj vendimi është dhënë nga Gjykata e Minorenëve të Campobasos së Italisë. Për këtë vendim, sipas dokumentit të ardhur nga autoritetet italiane, rezulton se është kërkuar rrëzimi në Apel, por Gjykata e Apelit për Minorenët në Campobasso ka lënë në fuqi vendimin e mëparshëm, me vendim të datës 28.02.1995. Sipas Prokurorisë, Roshi nuk ka deklaruar një dënim të vitit 1995 në Itali, një dëbim nga Zvicra në vitin 1993, pasi është ndaluar nga Policia e Zyrihut për një rast droge dhe një dëbim të dytë nga Zvicra në vitin 1997. Sipas Prokurorisë, ai ka fshehur gjithashtu faktin se ka përdorur pesë emra të ndryshëm në lëvizjet e tij në Europë. Në maj të vitit 2016, Rroshi deklaroi publikisht dorëheqjen, që nuk u zyrtarizua asnjëherë. Pas arrestimit me akuzën e “falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve”, Gjykata vendosi hetimin e tij në gjendje të lirë. Rroshi u rikthye në krye të Bashkisë pas shuarjes së masës së arrestit.
Më 31 maj 2016, Elvis Rroshi dha dorëheqjen si Kryetari i Bashkisë së Kavajës, duke pranuar se ka qenë dënuar në Itali pa dijeninë e tij në një kamp refugjatësh. Rroshi tha se nuk ka bërë ndonjë ditë burg për këtë gjë, edhe pse dënimi ndaj tij është dhënë nga një Gjykatë Minorenësh, pasi ishte 17 vjeç. Pas tre ditësh, Rroshi u tërhoq nga dorëheqja, duke deklaruar se do të vijonte të ishte kryetar Bashkie. Në 30 dhjetor 2016, Rroshi u shkarkua nga detyra me vendim qeverie, por me mbështetjen e  Ramës, ai vazhdon të kryejë funksionet e kryebashkiakut.

A.Shahini

Artikulli paraprakMasakra ekologjike në Liqenin e Fierzës, 20 tonë peshk i ngordhur
Artikulli tjetërBiba lë në detyrë kryebashkiakët e Ramës trafikantë e falsifikatorë