Çmimet në Shqipëri panë rritjen më të madhe në Evropë

INSTAT publikoi Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për muajin shkurt, i cili ndryshe nga Indeksi i Çmimeve të Konsumit (IÇK) mat ndryshimin e çmimeve për familjet shqiptare dhe të huajve në tregjet e pakicës. Ky indeks rezultoi 3.7 për Shqipërinë, niveli më i lartë në Europë sipas INSTAT. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja vjetore e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije alkoolike” me 8,1%, pasuar nga grupet “Transport” me 3,3%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,2%, “Argëtim dhe kulturë” me 2,9%, etj. Në muajin shkurt 2017, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 1,0%. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të frutave dhe zarzavateve. Edhe në muajin shkurt Shqipëria rezultoi me rritjen më të lartë të çmimeve në Europë me 3.7 për qind, teksa mesatarja europiane ishte 1.9 për qind. Ritmet më të larta të rritjes i pati Shqipëria, Estonia, Belgjika, Letonia dhe Lituania. Ndërsa ritmet më të ulëta të rritjes së çmimeve i patën Islanda, Irlanda, Rumania dhe Zvicra. INSTAT shpjegon se në IÇK mbulohen vetëm shpenzimet familjare private shqiptare të kryera brenda dhe jashtë territorit të vendit. Ndërsa IHÇK mbulon të gjitha shpenzimet e bëra brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, përfshirë familjet private dhe institucionale, si dhe shpenzimet e vizitorëve rezidentë dhe jorezidentë. IHÇK përdoret për monitorimin e lëvizjes së çmimeve me pakicë në vendet europiane, duke krahasuar përqindjen e inflacionit ndërmjet vendeve të Europës dhe si inflacion zyrtar i Bankës Qendrore Europiane duke siguruar stabilitetin e çmimeve në Unionin Ekonomik dhe Monetar.

Shqipëria në vendet me normën më të lartë tatimore në rajon

Shqipëria u rendit në vendet me normën më të lartë tatimore në rajon sipas një studimi të Al-Tax, por vendi gjithashtu paguan më pak taksa se çdo shtet tjetër i rajonit në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto në vitin 2016. Studimi tregon se edhe për vitin 2016, Shqipëria dhe Serbia janë vendet me normën më të lartë tatimore në vendet e rajonit të zgjerimit. Në të kundërt, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Kroacia kanë normën më të ulët tatimore në mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Norma e taksave në Shqipëri është 36.5%, duke u rritur me gati 6 pikë përqindje në krahasim me 2014, kjo normë në Maqedoni është 13%, në Kosovë, 15%, në Kroaci 20.9%, në Malin i Zi 22.2%, në Bosnjë 22.6% dhe Bullgari 27,0%. Por edhe pse formalisht Shqipëria ka normën më të lartë tatimore në rajon, paguan më pak taksa nga të gjitha vendet e rajonit. Sipas Al-Tax në vitin 2016, Shqipëria bashkë me Kosovën u renditën në vendet që paguajnë më pak taksa, me një barrë tatimore përkatësisht 24,4% dhe 23.5%. AL-Tax, me barrë tatimore mat pagesën e taksave në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto. Edhe në renditjet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore Shqipëria paguan taksa në raport me PBB më pak se në të gjitha vendet e rajonit. Të ardhurat tatimore në Shqipëri që janë pjesa kryesore e buxhetit për vitin 2016 dhe 2015, ishin respektivisht sa 24,4% dhe 24.1% e PBB-së. Al-Tax shpjegon se barra tatimore (pagesa e taksave në raport me PBB) në rajonin e Ballkanit në vitin 2016 është mesatarisht sa 32% e PBB, ndërsa në vitin 2015 ishte 31.5% e PBB-së. Mesatarja e barrës tatimore në Ballkan është dukshëm më poshtë mesatares së barrës tatimore në BE (40%), por diferenca ka ardhur duke u ngushtuar vitet e fundit. Secili nga parlamentet e vendeve të Ballkanit u ka prezantuar dhe ka kërkuar të ndikojnë në përmirësimin e klimës së biznesit nëpërmjet ndryshimit të normave tatimore të një viti më përpara, duke synuar një pagesë më të madhe të taksave sipas planifikimeve buxhetore dhe politikave të secilit nga vendet për zhvillimin ekonomik. Nga renditja shikohet se Maqedonia dhe Kosova ruajnë edhe më 2016 barrën më të ulët të normës së taksave në rajon.

Artikulli paraprakRajoni konkurron me teknologji, Shqipëria rikthehet në vend bujqësor
Artikulli tjetërMasakra ekologjike në Liqenin e Fierzës, 20 tonë peshk i ngordhur